Vazhdojnë testimin profesionet e Mjekësisë, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

0
128

 

Janë publikuar tashmë datat e provimit të shtetit për fushën e mjekësisë, ku përfshihen: mjekët, stomatologët, farmacistët dhe infermierët. Dita e parë e provimit të shtetit për sezonin e 10 ka qenë 3 maji, i cili ka nisur me testimin e farmacistëve dhe stomatologëve, ndërsa do të mbyllet me provimin e infermierëve që do të testohen në 14 ditë të ndryshme. Duke iu referuar publikimit të këtij kalendari, të bërë në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), gjithsej në këtë sezon pritet të hyjnë gati tre mijë kandidatë, që nëse e kalojnë me sukses provimin kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit për të cilin janë diplomuar. Agjencia Kombëtare e Provimit ka përcaktuar datat e provimit të shtetit për stomatologët, farmacistët dhe profesionet e infermierisë. Të parët që do të hyjnë në provim janë farmacistët, të cilët u testuan më 3 maj, në tri grupe të ndryshme. Po ashtu, në datën 4 maj, grupi i parë ishin farmacistët, ndërsa vijoi testimi për stomatologët, dje, më 5 maj. Mësohet se sot do të hyjnë në provim studentët e diplomuar si teknik laboratori, ndërsa në datat 9-10 maj 2016 do të testohen studentët që kanë ndjekur studimet e larta për mami.

Data 11 maj është përcaktuar për kandidatët e fizioterapisë, ndërsa në datën 12 maj, veç dy grupeve të para që janë me studentë që janë diplomuar për teknik laboratori, dy grupet e tjera janë lënë në dispozicion të rreth 100 mjekëve. Infermieria e përgjithshme, e cila ka edhe numrin më të lartë të kandidatëve në çdo sezon të provimit të shtetit, do të ketë në dispozicion nëntë ditë të ndryshme testimi, duke filluar nga data 13 maj, deri në datën 25 maj. Sipas të dhënave nga AKP-ja, në këtë sezon pritet të hyjnë në testim mbi 1300 kandidatë të infermierisë, të cilët do t’i nënshtrohen provimit të shtetit për t’u pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit.

AKP njofton se ditën e provimit, kandidatët duhet të kenë me vete letërnjoftimin (ID) dhe një fotokopje të saj, mandatpagesën e tarifës së provimit të shtetit dhe faturën, e publikuar nga AKP-ja, të vulosur mundësisht nga Posta Shqiptare ose në pamundësi nga çdo bankë e nivelit të dytë; në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Kandidatët duhet të paraqiten në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Sipas rregullores së provimit të shtetit, thuhet se kandidatët që hynë për herë të parë në këtë provim paguajnë 10 mijë lekë, ata që testohen për herë të dytë 12 500 lekë, për herë të tretë 15 000 lekë, ndërsa ata që po testohen për herën e katërt është 17 500 lekë të reja dhe ata që testohen për mundësinë e pestë dhe të fundit, paguajnë 20 000 lekë. Zyrtarisht mësohet se faturën e pagesës të interesuarit mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së. Po sipas rregullores, nëse kandidatët nuk kalojnë me sukses këtë provim, ata nuk kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit, pavarësisht se zotërojnë diplomën e nivelit të parë të studimeve.

“Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm) nëse merr 95-100 pikë; kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë) nëse merr 85-94 pikë; kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë) nëse merr 75-84 pikë; kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm) nëse merr 65-74 pikë; kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm) nëse merr 55-64 pikë; kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm) nëse merr 50-54 pikë”, sqaron AKP-ja. Ndërsa nën këtyre të fundit ai/ajo vlerësohet me notën 4, e cila i detyron t’i rikthehen provimit edhe për katër herë të tjera, për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit, siç e parashikon ligji për profesionet e rregulluara.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here