OKB: Ulet norma e fertilitetit në Shqipëri. UNICEF: Shqipëria s’ka sistem të qëndrueshëm të përkujdesit social

0
104

Norma e lindshmërisë është në rënie edhe në Shqipëri, ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian. Sipas një raporti të OKB, krahasuar me 10 vitet e shkuara, norma e fertilitetit ka pësuar rënie nga 1.4  që ishte në vitet 90 në 0.7 në vitin 2015. Sipas këtij raporti, ky trend ulje do të jetë I tillë edhe në 5 vitet në vazhdim. Sot një grua zgjedh të lindë 1 deri në 2 fëmijë. Në vitet 70-75, lindshmëria ishte 4 deri në 5 fëmijë, ndërsa në vitet 90-95 ishte 2-3 fëmijë. Shkak për këtë trend ulje, janë: shkalla e ulët e vdekshmërisë foshnjore, zgjedhja për t’i kushtuar më shumë rëndësi shkollimit dhe edukimit profesional, si dhe statusi ekonomik. Ulja e lindshmërisë ka ndikim të drejtpërdrejtë në plakjen e popullsisë. Edhe fertiliteti në rang global ka arritur nivele të ulëta. Rajoni i Afrikës ka lindshmërinë më të lartë me 4-5 fëmijë për grua, e ndjekur nga Azia dhe Amerika Latinë deri në 3 fëmijë për grua, dhe më pas renditet Europa me 1 deri 2 fëmijë.

 

UNICEF

 

“Deri në fund të 2016-s, duhet të gjenden mekanizmat për të mbrojtur familjet dhe fëmijët e rrezikuar”. Së fundmi, UNICEF ka përgatitur një raport për Mbrojtjen Sociale për të Drejtat dhe Mirëqenien e Fëmijës në Europën Qendrore, Lindore, Kaukaz dhe në Azinë Qendrore. Në raport evidentohen sfidat kryesore me të cilat përballet rajoni në përmbushjen e nevojave të fëmijëve për mbrojtje sociale, që përfshin disa forma: Ndihmën me para në dorë, subvencione në shëndetësi dhe arsim, këshillim dhe punë sociale dhe leje prindërore. Raporti vuri në dukje se fëmijët në rajon janë më mirë sesa 20 vite më parë, por shumë prej tyre jetojnë ende në shtëpi të varfra, ku u mohohen nevojat bazë, të përjashtuar nga shërbimet, komunitetet dhe shoqëritë. “Përfitimet me para në dorë në rajon po mbulojnë gjithnjë e më shumë fëmijët dhe familjet që kanë nevojë për to. Megjithatë, shumë fëmijë në nevojë nuk kanë përfituar ende, veçanërisht nëse ata u përkasin grupeve të disavantazhuara. Midis fëmijëve më vulnerabël dhe të diskriminuar janë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët nga minoritete etnike dhe gjuhësore dhe fëmijët e prekur nga migracioni. Ajo çfarë marrin fëmijët dhe familjet në shumë shtete dhe territore të rajonit nuk përbën ndonjë ndryshim në jetën e tyre. Prindërit me të ardhura të ulëta ose pa një punë nuk marrin mbështetje sociale cilësore që i ndihmon ata të merren me konfliktet në familje apo të lidhen me përfitimet dhe shërbimet e disponueshme, përfshirë mundësitë për trajnim dhe punësim”, janë disa prej gjetjeve të raportit. Sipas tij, shtetet që shpenzojnë dhe përqendrohen më shumë te mbrojtja sociale e fëmijëve dhe familjeve janë më të suksesshme në reduktimin e varfërisë së fëmijëve. Duke iu referuar raportit të Monitorimit Social të UNICEF në vitin 2013 dhe 2015 sa u takon dimensioneve të shumta të mohimit të të drejtave të fëmijës, të rrënjosura në varfëri, rezulton se Shqipëria duhet të krijojë një sistem të qëndrueshëm të përkujdesit social, që aktualisht nuk e ka. “Që nga viti 2013, me mbështetjen e financimit nga Qeveria Zvicerane, UNICEF ka mbështetur Qeverinë Shqiptare për të krijuar atë që deri më tani nuk ka ekzistuar në këtë vend, një sistem plotësisht funksional dhe të qëndrueshëm të shërbimeve të përkujdesit shoqëror. Deri në fund të vitit 2016, me anë të kësaj reforme, Shqipëria duhet të ketë një sistem, i cili mund të përmbushë vizionin e tij afatgjatë, aftësinë për të mbrojtur dhe për të mbështetur familjet dhe fëmijët e saj më të rrezikuar dhe në rrezik”, sqaron UNICEF. Duke iu referuar të njëjtit raport, UNICEF gjykon se kjo mund të arrihet duke i siguruar një paketë minimale të ardhurave në para dhe shërbimet e mbështetjes sociale për familjet me fëmijë, të cilat zvogëlojnë pabarazinë dhe varfërinë në të ardhura për fëmijët. Në përmbushje të këtij kushti, UNICEF rekomandon: Thjeshtimin e procedurave të aplikimit të disponueshme për ndihmën me para në dorë dhe mbështetjen sociale; Informimin e fëmijëve dhe familjeve për përfitimet e mbrojtjes sociale dhe zgjerimin e mbulimit për grupet më vulnerabil; Sigurimi se ndihma me para në dorë është e mjaftueshme për të bërë një ndryshim për fëmijët dhe monitorimi dhe analizimi nëse mbështetja e ofruar përmirëson jetën e fëmijëve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here