OPOZITA/ PD përgënjeshtron qeverinë: Konkluzionet e dialogut Shqipëri-BE, pa praninë e opozitës dhe të njëanshme

0
248

Florenc Drizari

 

Majlinda Bregu: Kush lexon këto konkluzione, mund të arrijë në dy përfundime: ose që opozita ka qenë në takim vetëm për sy e faqe e nuk ka folur fare, ose konkluzionet, veç faktit që përmendin praninë e opozitës në tryezë, nuk referojnë asnjë fjalë të qëndrimit të pakicës parlamentare

 

Majlinda Bregu ne konference, 7 marsOpozita përgënjeshtroi dje konkluzionet e publikuara nga qeveria lidhur me takimin e nivelit të lartë me komisionerin për Zgjerimin, Štefan Füle, dhe përfaqësuesit e qeverisë. Në një reagim për mediat, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin thotë se konkluzionet e publikuara pa dijeninë e opozitës nuk reflektojnë shqetësimet për zbatimin e standardeve të demokratike nga qeveria, situatën e kriminalitetit, shkarkimin e 5 mijë nëpunësve dhe zhbërjen e shumë arritjeve që po vënë në rrezik marrjen e statusit.

Sipas përfaqësueses së opozitës, kush lexon këto konkluzione, mund të arrijë në dy përfundime: ose që opozita ka qenë në takim vetëm për sy e faqe e nuk ka folur fare, ose konkluzionet, veç faktit që përmendin praninë e opozitës në tryezë, nuk referojnë asnjë fjalë të qëndrimit të pakicës parlamentare.

Sjellja me dy standarde, sipas Bregut, nga ana e mazhorancës është arrogante dhe tregon seriozitetin e qeverisë ndaj procesit të integrimit të vendit.

“Është tashmë shumë e qartë se koncepti i gjithëpërfshirës në procesin e integrimit konsiderohet si lëmoshë institucionale nga ana e Edi Ramës, por në standardin evropian gjithëpërfshirje do të thotë përfshirje e mendimit ndryshe dhe e shqetësimeve të paraqitura nga ne në tryezë, të cilat qeveria duhet t‘i marrë në konsideratë nëse kërkon bashkëpunim e jo diktat në kurriz të integrimit të vendit në BE!”, – tha Bregu.

Në mungesë të shqetësimeve të reflektuara në konkluzionet e mazhorancës, sipas Bregut, opozita publikoi përfundimet e saj.

“Kemi ngritur shqetësimin për shkatërrimin e administratës publike ne vend. Një vendim antikushtetues si akti normativ për nëpunësin civil, shkatërroi konsensusin politik për një ligj të votuar me 3/5, flaku në rruge 5000 gra e burra punonjës të administratës.

Ky akt çoi në dhunimin e të drejtës së tyre juridike që e fitonin me ligjin e nëpunësit civil, në dhunimin e prioritetit të parë të depolitizimit të administratës dhe si për të mos e lënë me kaq, konfirmoi dhe mashtrimin e kësaj qeverie, se shtyrja e ligjit ishte çështje teknike.

Ndaj, konkluzioni se qeveria ka premtuar se do ta zbatojë butë ligjin e nëpunësit civil, është minimumi i fjalës, cinizëm i qeverise me 5000 familje ne hall, maksimumi i fjalës, të tallesh me shqiptaret. Ndryshe është diktat”, – deklaroi kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu. Së bashku me ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, Bregu ishte në tryezën e nivelit të lartë që u zhvillua me komisionerin për Zgjerimin, Štefan Füle në prani të përfaqësuesve të qeverisë.

Një shqetësim tjetër, sipas saj, ishte edhe dhunimi i institucioneve të pavarura. “E vlerësoj që tek konkluzionet mirëpritet rezoluta e votuar ne parlamentin shqiptar si mbështetje për integrimin evropian. Por të mos harrojmë që ajo rezolute u propozua nga opozita shqiptare në respekt të vendimit tonë se do të mbështesim pa kushte reformat për procesin e integrimit. Por në tryezë, dje kemi bërë me dije se Mazhoranca dy here ka votuar duke u betuar se nuk do te dhunoje institucionet e pavarura, si INSTAT, AMA, ILDKP, KLD e kështu me radhë”, – deklaroi Bregu. Lidhur me këtë çështje opozita ka akuzuar vazhdimisht ditët e fundit krerët e qeverisë, duke ndërmarrë edhe nisma në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimeve të saj.

 

 

KONKLUZIONET E OPOZITËS

 -Së pari; ne jemi njohur me këto konkluzione vetëm sot, një ditë pas takimit. Dje, as gjatë edhe as në përfundim të takimit, nuk jemi njohur dhe as konsultuar lidhur me tekstin e konkluzioneve të këtij takimi që ishte i përbashkët.

-Se dyti: Është tashmë shumë e qartë se koncepti i gjithëpërfshirës në procesin e integrimit konsiderohet si lëmoshë institucionale nga ana e Edi Ramës, por në standardin evropian gjithëpërfshirje do të thotë përfshirje e mendimit ndryshe dhe e shqetësimeve të paraqitura nga ne në tryezë.

-Se treti: Kemi ngritur shqetësimin për shkatërrimin e administratës publike në vend. Një vendim antikushtetues si akti normativ për nëpunësin civil, shkatërroi konsensusin politik për një ligj të votuar me 3/5, flaku në rrugë 5000 gra e burra punonjës të administratës.

-Ky akt çoi në dhunimin e të drejtës së tyre juridike që e fitonin me ligjin e nëpunësit civil, në dhunimin e prioritetit të parë të depolitizimit të administratës dhe si për të mos e lënë me kaq, konfirmoi dhe mashtrimin e kësaj qeverie, se shtyrja e ligjit ishte çështje teknike.

-Kemi ngritur shqetësimin e dhunimit te institucioneve te pavarura. Dje kemi bërë me dije se Mazhoranca dy herë ka votuar duke u betuar se nuk do te dhunoje institucionet e pavarura, si INSTAT, AMA, ILDKP, KLD e kështu me radhë.

-Kemi ngritur shqetësimin e shkeljes se rregullores së Parlamentit me shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP si dhe cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve me Presidentin e Republikës. Sot, kjo mazhorancë është në konflikt me Kushtetutën, me opozitën, me ligjet, me vendimet e gjykatave.

-Kemi ngritur shqetësimin e situatës se rendit e masave në letër, të luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve. Atë shqetësim që kemi muaj qe e artikulojmë nga kjo foltore. Emërimet pa kriter në polici, inkriminimi i policisë së shtetit, refreni i përditshëm i tritolit, shqetësimi i autoriteteve të vendeve fqinje…

-Kemi ngritur shqetësimin e mungesës së vizionit të qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Në rast se 2 muaj pasi ka ardhur në pushtet, qeveria vendos të blejë votat, siç ndodhi në Korçë, ky është korrupsion politik.

-Me përmallim lexova konkluzionin se qeveria konfirmon gatishmërinë për një proces dialogu të qëndrueshëm e konstruktiv me opozitën. Kjo është tallje me opozitën, me veten, me ndërkombëtarët.

-Ne ishim dje në Dialogun e Nivelit të Lartë për të kontribuar e për t’i kërkuar qeverisë shqiptare të heqë dorë urgjent nga shkelja e parimeve demokratike dhe standardeve të arritura ne Shqipëri.

 

 

PPE zgjedh J. Claude Juncker kandidat për kreun e KE-së

 Grupimi i Partive Popullore Evropiane ka përzgjedhur si kandidatin e saj për president të Komisionit Evropian, ish-kryeministrin e Luksemburgut, Jean-Claude Juncker. Në një votim që u zhvillua gjatë konferencës së mbajtur ne Dublin, Juncker arriti të mundë me 382 vota pro rivalin e tij të vetëm, politikanin francez Michel Barnier.

Grupimi PPE është më i madhi në Parlamentin Evropian, ndërsa mban postet kyçe evropiane. Duke shpjeguar kandidaturën e tij, Juncker deklaroi se dëshiron të bëhet presidenti i Komisionit për t’i dhënë fund ndasive që ekzistojnë në Bashkimin Evropian. Juncker ka drejtuar Eurogrupin nga viti 2005 deri në vitin 2013. Zgjedhjet evropiane do të mbahen nga data 22 maj deri më 25 të po atij muaji ndërsa drejtuesit e rinj të Komisionit Evropian do të marrin detyrën në tetor të këtij viti.

Jean-Claude Juncker lindi më 9 dhjetor 1954. Më parë ai ka qenë Kryeministri i Luksemburgut nga 1995 deri në vitin 2013. Në atë kohë ai e la detyrën si kryeministër, ai ishte më gjatë në detyrë kreu i qeverisë në Bashkimin Evropian. Nga viti 2005 deri në vitin 2013, ai shërbeu si presidenti i parë i përhershëm i Eurogrupit, e cila mbledh ministrat e Financave të vendeve të eurozonës.

Në zgjedhjen kandidatit për president të Komisionit Evropian, ka marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pjesë e delegacionit në Dublin ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti i PD-së, Gerti Bogdani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency