Burokracia, sistemi i budallenjve, në pushtet

0
438

Nga Brikena Bogdo

 

 

Në tregimin e tij “Bureaucratie”, (burokracia) Honoré de Balzac (1799-1850), ngre një pyetje: “Burokratët e bëjnë këtë profesion, meqë janë budallenj, apo bëhen budallenj, meqë  bëjnë këtë profesion? Çuditërisht, pyetja, mbas 200 vitesh e kusur, mbetet aktuale, por dhe shumë më e evoluar.  Në kohën e shkrimtarit të famshëm dhe analistit social, apo më saktë, në epokën postnapoleoniane, profesioni i burokratit, u bë synimi i klasave subalterne, (më të ulta) dhe lufta për pushtet u trasferua, nga sallonet, në administratën publike, ku u koncentrua bërthama e të gjithë mediokritetit të shoqërisë politike. Kur, për një periudhë të gjatë, gjithçka shndërrohet në mediokritet, shtetet rrezikojnë – shkruan Balzaku. Fenomeni “burokraci”, ka patur kudo të njëjtin dis-evoluim, duke degjeneruar në një sistem parazitizmi, klientelizmi politik dhe korrupsioni, për të arritur, deri në ditët e sotme, në një nga krizat më të mëdha ekonomike, pas 1929-ës. Burokratët nuk ndihen kurrë, personalisht, përgjegjës per veprimet e tyre, dhe për më tepër, vazhdojnë të bëjnë të njëjtat gjëra, megjithëse nuk funksionojnë. Kështu – thotë Balzak, – megjithëse nuk kanë lindur krejt budallenj, përfundojnë të bëhen të tillë.

Sigurisht që, ajo çka thotë Balzaku ka të vërteta dhe aktualitet, sigurisht që administrata është, në një përqindje të konsiderueshme, mediokre. Ka, midis tyre, që nuk janë, as budallenj, as i bën ai profesion, të tillë, thjesht duan të duken si të tillë, për mijra arsye dhe privilegje. Dhe të duash, të dukesh budalla, në të kundërt, kërkon mjaftueshëm zgjuarsi. “Duhet të jesh shumë i zgjuar, që të dukesh budalla”, filozofi që shoqëroi regjimet, qoftë diktatoriale, qoftë komuniste, apo postkomuniste, siç jemi ne, aktualisht.

Por, kjo tendencë ka pasqyruar edhe  reflektim. “Budallallëku” i burokratëve stopon aty, ku preken interesat jetikë të tyre. Është përfolur, në media, që para disa ditëve,  kanë dhënë dorëheqjen masivisht drejtorë në Ministrinë e Financave, të drejtuar nga Arben Ahmetaj, pasi nuk kanë dashur, që të vënë firma për disa konçesione, të konsideruara, të paligjshme. Ky ka qenë një fenomen, që është ndeshur edhe në kohën e PD, jo masivisht, siç po ndodh rëndom, këto ditë. Edhe në atë periudhë, ka patur drejtorë, që kanë dhënë dorëheqje, në mënyrë që të mos firmosnin, për një veprim të paligjshëm.

Por, ka edhe një formë tjetër burokratësh, që janë realisht budallenj, por që shiten si të zgjuar dhe mbi të gjitha, shumë të pushtetshëm. Janë ata pa pushtet, por që drejtohen nga pushteti real, i nëndheshëm, që janë bandat e krimit të organizuar. Janë ata “budallenjtë e  zgjuar”, që drejtohen nga Shullazët, të cilët kanë kapur ekonominë, për ta varfëruar ekonomikisht këtë popull, por që tentojnë të kapin edhe botën akademike, për ta varfëruar,  edhe kulturalisht, atë. Kulmimin specia burokrat “budalla-I zgjuar” e arrin kur të tjerët I duken budallenj dhe I trajton si të tillë

Specia “Burokrat”, ka evoluar, është rafinuar, estetizuar, globalizuar, dhe ngjitja sociale e politike e tij ka qenë e pandalshme. Funksionarët me çantë, u trasformuan në ambiciozë, të cilët, më pas, u bënë ministra, bankierë, ekonomistë, presidentë komisionesh, apo kryeministra.  Kështu, nomenklatura antike, administrative balzakiane, është teokracia aktuale, e superpaguar, duke avancuar hypjen e një qeverie arbitrare, në demokraci. Nuk ekziston më, botë politike, por tashmë jemi të dominuar nga bota burokratike. Ko është arsyeja, që sot, vërehet një boshllëk politik.

Këta kryeministra të “gjithpushtetshëm” bëjnë, deri gafa, në politikat ndërkombëtyare, me deklarata, kundër kandidatëve për  presidentë, pasi urdhërohen nga të pushtetshmit real, që i drejtojnë, me fijet e padukshme. Gojët e liga tregojnë, që deklaratat e kryeministrit tonë të “gjithpushtetshëm”, kundër kandidatit për president në SHBA, Donald Trump, ishin të urdhëruar nga i gjithpushtetshmi Soros, si një nga kundërshtarët e tij.

Pushteti burokratik, i privuar nga përgjegjësitë, rritet gjithmonë e më tepër, dhe jeton në një paaftësi politike dhe ekonomike, permanente. Arsyeja, përse shkakton gjithmonë dëme, është shumë e thjeshtë: Nuk rrrezikon kurrë, paratë e veta. Për më tepër, ia lejon vetes, që të bëjë të gjitha eksperimentet sociale, të mundshme, duke e shndërruar elektoratin, në një kavie. Dëmi më i madh, që ata kanë bërë, është sigurisht, në ekonomi, pasi krimi dhe burokratët “shejtan-budallenj”, të lidhur, tashmë, pazgjidhshmërisht me njëri tjetrin, synojnë, sigurisht, paratë.

Shpërndarja e të mirave materiale është bërë sot thelbi i korrupsionit, që njëkohësisht, e forcon edhe pozicionin e species “burokrat”. Mund të rrish, tërë ditën, i ulur, pa punur dhe në fakt edhe pa kërkuar punë. Mund të qëndrosh, tërë ditën, duke parë TV, dhe në fund të muajit, të marrësh shpërblimin. Kjo është e tërë dita e një burokrati, “Mos bëj asnjë gjë, ose puna që bën, nuk sjell asnjë efekt pozitiv. Zoti i tha Adamit: “Do të jetosh me djersën e ballit”. Të ketë gabuar vallë, Zoti?  Mbase ai, nuk e ka parashikuar, që mjaftoka shpërndarja e të mirave materiale, për t’i shpëtuar dënimit origjinal. Përse shërben, që të punosh, të prodhosh, kursesh, kapitalizosh, investosh, shqetësohesh për pensionin, kur ke bonusin e të mirave materiale? Funksionon, apo nuk funksionon? Budallenjtë, në pushtet, nuk e dinë paraprakisht. Funksioni i tyre nuk është të parashikojnë, por thjesht, të eksperimentojnë.

Të provojmë, që ta shikojmë ekonominë, si një magazinë të madhe, ku njerëzit shkojnë që të magazinojnë të mirat e tyre, që ata prodhojnë, në mënyrë që të kenë të drejtë, të marrin, në këmbim, të mirat që konsumojnë. Ky është realiteti i shkëmbimit ekonomik. Pagesa reale është ajo që çdokush, prodhon. Në fillesat e koncepteve ekonomike, ishte këmbimi mall, me mall, ose shkëmbimi në natyrë, që ishte këmbim i dukshëm dhe i menjëhershëm, ku abuzimi minimalizohej. Më pas, shkëmbimi u shndërrua, në mall, lekë, koncept dominant, deri në periudhën e sistemin kapitalist.

Ky koncept morri kthesën me sistemin socialist, që shkatërroi konceptin e shkëmbimit, siç u quajt rishpërndarja e të mirave materiale. Kur prishet ky koncept ekonomik, pra merr pa prodhur, ka filluar mundësia e korrupsionit dhe abuzimit, siç ndodhi realisht, në vendet me sistem socialist. Ta mendojmë paranë si tollon, kupon të mirash, për të marrë prodhimet nga magazina e madhe e ekonomisë. Kush nuk prodhon, pra nuk ka asgjë për të këmbyer, nuk ka të drejtë për tollonat, për të marrë të mirat, që kanë prodhuar të tjerët.

Ngremë një hipotezë, që gjysmës së popullsisë i jepen tollona nga Banka, kjo sigurisht për të stimuluar ekonominë. Ndërkohë, gjysma tjetër, që nuk prodhon, thjesht shpenzon tollonat për konsum, që ka prodhuar gjysma tjetër. Por, meqënëse gjysma, që nuk prodhon, nxiton të tërheqë nga magazine e ekonomisë, atë çka gjysma tjetër ka prodhuar, të mirat që futen në magazinë, nuk rriten, por zbresin, pasi ritmi për të marrë, pa prodhuar, është më i madh, nga ai që prodhon dhe depoziton në magazinë. Për të frenuar rrëmbimin e të mirave, nuk ka mënyrë tjetër, veçse të ritet cmimi i këtyre të mirave, duke zhvleftësuar tollonat. Thënë thjesht, priten më shumë para se sa prodhohet mall, duke rritur inflacionin. Nëse kjo nuk kontrollohet, shumë shpejt, inflacioni do të bëhej i pakontrollueshëm. Eksperimentimi do të sillte, për pasojë, një eksperimentim të ri. Në këtë pikë, çfarë përfitimi do të kishin prodhuesit? Do të prodhonin, në favor të kujt, për të konsumuar? Kështu, eksperimentimi i ri i kësaj burokacie, pra lekë, që bien nga qielli, si shi, do të shkaktonte stanjacion, apo stagflacion, dhe njerëzit do të ndiheshin më të varfër, se më parë.

Ideja më e thjeshtë dhe më efikase për të zhvilluar ekonominë, ajo e uljes drastikisht të taksave, as që i shkon nëpër mend, pasi do të minonte bazën e pushtetit të burokratëve. Nëpërmjet konfiskimeve fiskale, rrjedhin të ardhurat, me të cilat forcojnë nivelin e pavarësisë, shkatërrojnë etikën e punës, dhe shndërrojnë në shërbëtorë dhe në skllevër, elektoratin. Hjdutëria individuale u institucionalizua, pra u shndërrua në sistem hajdutërie shtetërore.  Por, kjo nuk do të përfundonte këtu. “Pushteti gjigand, i lëvizur nga xhuxhët”, siç e ka përshkruar burokracinë Balzaku, kësaj rradhe, duhet ta bëjë llogarinë, me një revolucion.

Askush nuk do i lejojë më, të eksperimentojnë. Eksperimentet, e bëra deri më tani, nga budallenjtë, nuk kanë funksionuar dhe tani provojnë, të improvizojnë një të ri. E dinë burokratët, që shqiptarët mund të mendojnë dhe të vlerësojnë? Burokratët duhet të kuptojnë, që sjelljet tyre janë aktualisht, tepër arrogante. Por harrojnë që megjithëse në nivele shumë të larta institucionale, janë funksionarë publik dhe mbi të gjitha, shërbyes të shtetit, dhe Kushtetuta e përcakton popullin, sovranin absolut.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here