Rikthimi i profesor Konit si zgjim i shpresës

0
133

Nga Dr. Albano Zhapaj

 

Gjylja e madhe plasi. Po, po, mirë e thashë, plasi. Pushteti së fundmi kërkoi të gjunjëzojë profesoratin, por fatmirësisht nuk ja doli dot, të paktën deri tani. Kërcënimi ndaj profesor Mynyr Konit për tërheqje nga gara akademike në universitet, mund të konsiderohet padyshim treguesi më i qartë i mundshëm i vullnetit të këtij ekzekutivi për centralizimin e pushtetit të arsimit, dhe padyshim mungesës së vizionit të tij për arsimin e lartë.

 

Si arriti arsimi i lartë deri në këtë pikë?

 

Përpara se të shikonim se si u rrënua arsimi i lartë, pamë se si ky ekzekutiv  asgjësoi “Maturën Shtetërore”,  shkatërroi “Altertekstin” dhe e përqëndroi atë pranë shtëpive botuese afër qeverisë, pamë se si u hoqën nga puna specialistë të mirëfilltë të arsimit në administratën publike, pamë se si u hodhën në rrugë me qindra mësues, pamë se si në kundërshtim me ligjet e këtij vendi u organizuan “konkurset”  për rekrutimin e mësuesve të arsimit të gjeneratës tjetër, të përqëndruara vetëm në Tiranë, dhe përsëri pamë se si u punësuan vetëm militantët, të rekomanduarit e deputetëve apo të listave të partisë pushtet në çdo rreth.

Pamë se si një arsim të lartë të inkuadruar sipas sistemit të Bolonjës, me autonomi dhe liri akademike të garantuar me ligj, e kthyen në një arsim klientelist, duke rritur tarifat e studimeve, duke zbrazur auditorët e universiteteve publikë dhe duke mbushur auditorët e universitete private, klienteliste edhe këto, në pronësi të ndonjë biznesmeni, politikani apo deputeti afër qeverisë.

Pika e parë dhe më kritike për vendin tonë, sistemi i arsimit të lartë, prej afro tre vitesh, gjendet në një kolaps të thellë keqmenaxhimi qendror, saqë jo vetëm që nuk u përgjigjet dot më nevojave të së ardhmes të shoqërisë dhe ekonomisë së vendit, por po bëhet pengesë për to.

Mungesa më se prej një viti e akteve nënligjore, e ligjit të projektuar për kapjen e arsimit të lartë, si dhe rregullorja e fundit e zgjedhjeve në universitetet publike, nxorrën në pah vullnetin e qeverisë për të nënshtruar universitetin, si dhe tendencën për të penguar shkallën e ndjeshmërisë dhe përgjegjshmërisë akademike, duke çuar kësisoj në humbjen e rolin që universitetet duhet të kenë në zhvillimin e shoqërisë, dhe ngritjen e standarteve të demokracisë dhe civilizimit.

Universiteteve tona publike, sitematikisht këto tre vjet, u është penguar, si menaxhimi i brendshëm që nevojitet për të vepruar në nivelin e kërkuar të autonomisë, ashtu edhe mekanizmat lidhur me përgjegjshmërinë e jashtme.

 

Ku po shkon arsimi i lartë?

 

Situata e krijuar, e cila ka kohë që është paralajmëruar si nga akademikë, ështu edhe nga ekspertë të arsimit të lartë, vendas e të huaj, vjen si rezultat i një pune të keq orientuar, dhe të pakualifikuar, të ekzekutivit, e cila nxjerr në pah se, edhe pas bërjes së ligjit të arsimit të lartë, qeveria aktuale nuk ka një strategji të qartë për drejtimin e ardhshëm të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Sa për kërkimin shkencor, përveç se mungesë fondesh e vizioni, tashmë ka tre vjet që nuk dëgjohet më të përmendet as si togëfjalësh.

Mungesa e përgjithshme e aftësisë politikbërëse të qeverisë për t’iu përgjigjur nevojave e sfidave, në fillim i`u adresua të shkuarës të universiteteve, por shpejt u kuptua se ishte i gjithi faji i keqqeverisjes qendrore që universitetet nuk funksionojnë efektivisht, ashtu siç do të duhej të funksiononin në shekullin e njëzetenjë. Rasti i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës është prova e gjallë e keqmenaxhimit qendror. Universitetet publike po humbasin përditë e më shumë, për të mos thënë që e kanë humbur, autonominë e nevojshme për të kryer misionin e tyre.

Ndërhyrja e qëllimishme e  ekzekutivit në disa disa kompetenca të universiteteve, i ka ç`orientuar shumë këto të fundit, aq sa t`i detyrojë të pranojnë diktatin nga lart, dhe dhe kjo gjë mund të arrihet vetëm duke zgjedhur dikë të „kontrollueshëm“.

Mungesa e rregullave dhe akteve, ende të pamiratuara, pra ende në rang draftesh, dhe mos kundërshtimi i autoriteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, do të bëj edhe për ca kohë që të “shijnë lëmë“ klanet drejtuese të burokracisë së ekzekutivit të arsimit të lartë, në bashkëpunim dhe interes, me ato të arsimit të lartë privat.

 

Përse i jep shpresë shoqërisë fenomeni Koni?

 

Me rikthimin në garë të profesor Konit, kurajoja intelektuale triumfoi mbi kërcënimin dhe njëkohësisht zgjoi edhe shpresën. Opinioni publik kuptoi se identiteti personal dhe integriteti i pjesës më të shëndoshë të akademikëve dhe intelektualëve tanë, është i pakorruptueshëm nga kapriçot politike të radhës, dhe fenomeni i mosnënshtrimit të intelektualëve, përbën garanci për shoqërinë shqiptare, pasi kjo e fundit i shikon intelektualët shqiptarë jo vetëm si mbështetje në udhëtimin evropian, por edhe si garant për ruajtjen  e universitetit si tempull të dijes, dhe zhvillimin e tij mbështetur mbi dimensione intelektuale, kulturore, sociale dhe shkencore.

Me rikthimin në garë të profesor Konit, pamvarësisht faktit nëse fiton apo jo, këto ditë u bëmë dëshmitarë të rritjes së ndërgjegjësimit publik në një pjesë të madhe të botës politike, akademike dhe të opinionit publik në përgjithësi, mbi nevojën e krijimit të një arsimi të lartë publik më të fortë e më të pavarur, ku universiteti  të ndihmojmë zhvillimin e shoqërisë, të ngrejë standartet e demokracisë dhe civilizimit dhe të ndihmojë në aspiratat e të rinjve për mundësi më të mira për jetën e tyre, në vend që të marrin rrugët e emigracionit.

Kush e ka ndjekur nga afër fushatën e zgjedhjeve në universitetet publike, me siguri ka vënë re se kandidatët më profesionalë, nuk kanë bërë fushatë shumë të dukshme, as premtime të tepërta, dhe as shumë reklamë vetvetes, dhe kjo i detyrohet faktit se kandidatët e dinë mirë se edhe vetë ligji i ri i arsim it të lartë u`a ka rrudhur universiteteve hapësirat e autonomisë akademike,  financiare,  strukturore e zhvillimore.

Rrjedhimisht përballë kësaj situate, pritet që puna e drejtuesve “jo komodë“ që do të fitojnë zgjedhjet e ardhsme universitare, të mos jetë kaq e lehtë.  Me gjithë pengesat që solli udhëzimi për zgjedhjet, kandidatët në garë, që nuk u arritën të përjashtohen, profesorë me integritet e profesionalizëm, e kaluan me sukses edhe këtë fazë. Pas disa ditësh zhvillohen zgjedhjet dhe urojmë që të mos kemi surpriza të tjera të pakëndëshme.

Në fazën post zgjedhore do të dëshironim të besonim se profesorët që do të jenë në drejtimin e ardhshëm katër vjeçar në universitete, të luftojnë që studentët të mos vazhdojnë të paguajnë tarifa të larta, të impenjohen që çmimet e shërbimeve universitare të jenë të përballueshme, të jenë sa më afër studentit dhe pedagogut, pra, të vazhdojnë të besojnë se arsimi është shumë më tepër se shkollimi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here