Investimet publike dhe konsumi privat patën një ecuri më të dobët. Rritja ekonomike ende nuk është përkthyer në ulje të normës së papunësisë
Ervin Kaduku
Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, aktiviteti ekonomik u zgjerua i mbështetur kryesisht nga kontributi pozitiv i investimeve private dhe eksporteve neto. Investimet publike dhe konsumi privat patën një ecuri më të dobët. Rritja ekonomike ende nuk është përkthyer në ulje të normës së papunësisë. Politika fiskale vijoi prirjen e saj konsoliduese dhe financimi i deficitit buxhetor u realizua kryesisht me burime të huaja financiare. Kjo pohohet në raportin e stabilitetit financiar për gjashtëmujorin dhe gjithë vitin 2015, të përgatitur nga Banka e Shqipërisë dhe të publikuar dje.
Sipas raportit, politika monetare lehtësuese është reflektuar në rënien e interesave mesatare për huamarrje në tregun ndërbankar, në tregun e parasë, në produktet bankare dhe në tregun e titujve të borxhit të qeverisë. Luhatshmëria në kursin e këmbimit të lekut ka qenë e ulët, duke reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe ndryshimet e kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm. Tregu i emetimit të titujve të borxhit të qeverisë dhe tregu ndërbankar, kanë funksionuar sipas pritshmërive, duke u mbështetur nga operacionet e nevojshme të administrimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë. Në botë, vijuan përpjekjet e autoriteteve për të rigjallëruar kreditimin dhe rritjen ekonomike, përmes ruajtjes së një mjedisi me norma të ulëta interesi dhe kushte të bollshme likuiditeti. Megjithatë, tregjet ndërkombëtare reflektojnë paqëndrueshmëri, si rezultat i brishtësisë së rritjes ekonomike në vendet e zhvilluara dhe dobësisë ekonomike të vendeve në zhvillim.
Veprimtaria e sistemit financiar në vend ishte e qëndrueshme gjatë vitit, duke u vlerësuar në 101.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Megjithë zgjerimin e totalit të aktiveve të sektorit bankar me 1.9% gjatë vitit 2015, pesha e tyre ndaj PPB-së vlerësohet se ka zbritur në 91.3%.
Bankat, fitime maksimale
Rënia e normave të interesit pritet të ulë ndjeshëm fitimet e bankave gjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë vlerëson se rënia e interesave të kredive dhe titujve qeveritarë do të vendosë nën presion aftësinë e bankave për të ruajtur fitime të krahasueshme me nivelin të vitit të kaluar. Për vitin 2015, fitimi arriti shifrën rekord të 15.7 miliardë lekëve, kryesisht falë rënies së interesave të depozitave me ritme më të shpejta se interesat e kredive. Kjo solli një rritje të të ardhurave neto nga interesat. Por, këtë vit gjërat paraqiten ndryshe. Interesat e depozitave janë tashmë pranë zeros, ndaj bankat nuk kanë shumë hapësira për të ruajtur marzhet, duke i ulur ato më tej. Ndërkohë, interesat e kredive priten të ulen, për shkak të konkurrencës mes bankave, veçanërisht në segmentin e kreditimit të individëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Nga ana tjetër, në kushtet kur sistemi zotëron sasi shumë të mëdha të likuiditeteve të lira, bankat ndodhen gjithnjë e më shumë përballë domosodshmërisë për t’ju rikthyer rritjes së kreditimit. Kjo bëhet akoma më e domosodshme, kur qeveria ka ulur ndjeshëm huamarrjen në tregun e brendshëm, duke kufizuar të vetmin instrument alternative të investimit për fondet në lekë. Banka e Shqipërisë pret që kjo situatë të shkaktojë tkurrje të fitimit të bankave, ndaj këshillon që ato të mos shpërndajnë fitimin e vitit të kaluar, por ta kapitalizojnë atë, për të forcuar pozicionin e tyre financiar. Parashikimi i Bankës Qendrore ka rezultuar i saktë për dy muajt e parë të vitit 2016, kur fitimi i sistemit bankar është përgjysmuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Megjithëse treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit është ndjeshëm sipër minimumit rregullator prej 12%, forcimi i kapitalizimit është domosdoshmëri, duke pasur parasysh edhe rreziqet që vijnë nga niveli ende i lartë i kredive me probleme. Banka e Shqipërisë vlerëson se rreziku i kreditit ngelet i lartë, çka është e kuptueshme duke pasur parasysh se ekonomia reale ndodhet ende poshtë niveleve të rritjes potenciale.
Treguesit
Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve, raportoi banka e Shqipërisë. Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit. Në rënie ka qenë dhe besimi konsumator. Sipas grafikut të Bankës, ky është niveli më i ulët që nga tremujori i parë i vitit 2014.
Sektori i industrisë
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) u ul me 3 pikë përqindje, në tremujorin e parë të vitit 2016. Niveli i TBI-së është luhatur nëpër tremujorë, që nga fillimi i vitit 2015, por duke qëndruar sipër mesatares së tij historike. Aktualisht TBI-ja qëndron 4.5 pikë përqindje mbi mesataren. Në tremujorin e parë të këtij viti, rënia e TBI-së u përcaktua nga rënia në të tre përbërësit e tij: balanca e prodhimit ra me 8.1 pikë përqindje, balanca e gjendjes financiare ra me 7.7 pikë përqindje, dhe balanca e gjendjes së inventarëve u rrit me 6.6 pikë përqindje. Balancat për pyetjet se si bizneset e vlerësojnë situatën ekonomike në vend dhe gjendjen e përgjithshme të biznesit, janë ulur përkatësisht me 9.7 dhe 5.8 pikë përqindje. Pritjet e bizneseve për gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre në tremujorin e dytë janë rritur lehtësisht (balanca u rrit me 1.3 pikë përqindje).
Balanca e kërkesës ka pësuar rënien më të theksuar në tremujorin e parë, me 12.4 pikë përqindje. Gjithashtu, kërkesa nga eksportet vlerësohet të ketë rënë (balanca ra me 2.6 pikë përqindje). Për tremujorin e dytë, bizneset presin një rikuperim të lehtë të kërkesës (balanca u rrit me 0.3 pikë përqindje).
Sektori i ndërtimit
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 16.7 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016, pas dy tremujorësh me rritje. Niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me 15.4 pikë përqindje dhe poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2015 me 9.0 pikë përqindje. Në rënien e TBN-së ndikuan të treja balancat formuese të tij: balanca e kërkesës, e prodhimit dhe e gjendjes së punësimit, të cilat ranë përkatësisht me 20.0, 15.5 dhe 14.4 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të parë janë vlerësuar me rënie të gjitha aspektet e biznesit në sektorin e ndërtimit. Rënien më të theksuar e shënoi balanca e gjendjes së përgjithshme të biznesit, me 23 pikë përqindje. Pritjet për gjendjen e përgjithshme të biznesit, për tremujorin e dytë të vitit, janë gjithashtu me rënie. Edhe balanca e gjendjes financiare regjistroi rënie me 21.2 pikë përqindje në tremujorin e parë. Në përputhje me rënien e kërkesës, gjendja e inventarëve vlerësohet të jetë rritur në këtë tremujor. Ndërkohë, balanca e pyetjes mbi investimet e reja, të kryera gjatë gjashtë muajve të fundit, është zvogëluar me 13.8 pikë përqindje, por pritjet për gjashtë muajt e ardhshëm janë rritur me 5.7 pikë përqindje. Çmimet e prodhimit janë raportuar në rritje në sektorin e ndërtimit.
Sektori i shërbimeve
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) vijoi tendencën rënëse në tremujorin e parë të vitit 2016, duke qenë 1.0 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë. Rënia e tij rezultoi disi më e ngadalësuar gjatë periudhës në analizë. Aktualisht niveli i TBSh-së mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike. Vijimi i prirjes rënëse të TBSh-së u shkaktua nga rënia e dy prej balancave përbërëse të tij: kërkesa (balanca ra me 5.3 pikë përqindje) dhe ecuria e përgjithshme e biznesit (balanca ra me 1.7 pikë përqindje). Në të kundërt, gjendja financiare, balanca tjetër formuese e TBSh-së, rezultoi e përmirësuar (+4.1 pikë përqindje), por në një masë të pamjaftueshme për të ndërprerë rënien e treguesit. Balancat e pyetjeve për ecurinë aktuale dhe të pritur të ekonomisë në vend shënuan rënie me përkatësisht 2.4 pikë përqindje dhe 4.9 pikë përqindje. Ndërkohë, vlerësimet dhe pritjet e bizneseve për çmimet e shërbimeve shënuan rritje. Për sa i takon pritjeve të bizneseve për kërkesën dhe ecurinë e përgjithshme të biznesit për tremujorin e dytë, ato rezultuan të përmirësuara. Balancat përkatëse u rritën me 4.3 dhe 2.7 pikë përqindje. Rritje shënoi edhe balanca e investimeve të reja për gjashtëmujorin e ardhshëm.
Sektori i tregtisë
Treguesi i besimit në tregti (TBT), megjithë rënien me 4.1 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016 vijoi të qëndrojë mbi mesataren historike afatgjatë. Të treja balancat formuese të treguesit kontribuan në rënien e nivelit të TBT-së gjatë tremujorit në analizë. Rënie të ndjeshme shënoi balanca e gjendjes financiare, me 5.8 pikë përqindje, dhe balanca e ecurisë së përgjithshme të biznesit, me 5.7 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca e punësimit ra në një masë më të vogël, prej rreth 0.7 pikësh përqindjeje. Vlerësimet dhe pritjet e bizneseve të përfshira në vrojtim kanë rezultuar të përkeqësuara për të gjitha aspektet e lidhura me aktivitetin e tyre. Më konkretisht, në nivele më të ulëta rezultuan balancat për pyetjen mbi ecurinë e aktuale të ekonomisë në vend (ra me 3.1 pikë përqindje) dhe atë të pritur (ra me 1.6 pikë përqindje). Gjithashtu, balancat për treguesin e kërkesës së vlerësuar dhe të pritur nga bizneset shënuan rënie me 7.3 pikë përqindje dhe me 3.0 pikë përqindje. Bizneset vijojnë të vlerësojnë ecuri rënëse të çmimeve (balanca ra me 1.0 pikë përqindje) në tremujorin e parë, ndërkohë që presin rritje të tyre në tremujorin e dytë (balanca u rrit me 1.1 pikë përqindje).
Bie dhe besimi konsumator
Treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi rënie me 2.5 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016, pas përmirësimit të lehtë të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Zhvillimet në përbërësit e TBK-së vijuan të reflektohen në një dinamikë të luhatshme të treguesit, duke e zhvendosur atë sërish nën mesataren afatgjatë. TBK-ja reflektoi përkeqësimin e tre prej balancave të tij formuese: – blerjet e mëdha, situata financiare e pritur e familjes dhe situata e të ardhurave/shpenzimeve. Niveli më i ulët i TBK-së u drejtua kryesisht nga rënia e balancës së blerjeve të mëdha, me 7.6 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga balancat më të ulëta të situatës financiare të pritur të familjes (-1.9 pikë përqindje) dhe të situatës së të ardhurave/shpenzimeve (-1.8 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBK-së, situata e përgjithshme ekonomike në vend gjatë tremujorit të ardhshëm, u rrit me 1.5 pikë përqindje, duke dhënë sërish një kontribut të vogël në kahun rritës për treguesin.