Tensione mes Ramës dhe Hafizit në Shkodër

0
208

Në takimin e radhës për shpërndarjen e kartave të anëtarësimeve të reja në radhët e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli për reformat e ndërmarra nga qeveria, investime konkrete në qarkun e Shkodrës, por edhe për akuzat që bëhen nga opozita dhe jo vetëm. E pranishme ishte edhe deputetja Mimoza Hafizi, e cila e përqendroi fjalën e saj tek zbatimi i statutit të Partisë, duke theksuar se shpresonte që të rinjtë të zhvillonin karrierën e tyre. Por, Rama tha se për këtë do të pyetej anëtarësia.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur me batuta fjalimin përpara simpatizantëve të partisë së tij në Shkodër.
Në kuadër të fushatës së anëtarësimeve të reja, kryeministri tha se shumë të rinj po i bashkohen si asnjëherë tjetër Partisë Socialiste pavarësisht se janë të papunë.
Rama: Unë e di shumë mirë që nuk na duan, por se s’na duan na e marrin edhe të keqen, do thonë se e kemi mbushur Pallatin e Sportin me administratë, ndërkohë që e gjithë administrata e Shkodrës, aq sa ka nuk mbush dot as gjysmën, pavarësisht se një pjesë e administratës e ka opozita.
Fakti që ata vijnë në këtë takim dhe disa vijnë përherë të parë në Partinë Socialiste është komplimenti më i shkëlqyer që i bëhet qeverisjes sonë. Pavarësisht se na duhet të bëjmë reforma që nuk u bënë në 20 e kusur vitesh.
Prurjet në Partinë Socialiste janë më të mëdha se asnjëherë më parë. Kjo tregon se besimi tek Partia Socialiste nuk është lënduar, jo vetëm shpresa nuk është dobësuar.
Kreu i qeverisë risolli në vëmendje reformat e ndërmarra veçanërisht në fushën e energjisë, që sipas tij, nëse do të ishte kryer në kohën e duhur do të kishin investuar për dekadat të tëra me arsim, shëndetësi dhe në bujqësi. Rama foli edhe për arsimin.
Rama: Sikur 20 vite më parë qeveritë të thonë se nuk prodhojmë më libra që nuk i merr vesh dreqi, jo më mësuesit dhe nxënësit. Ne kemi futur në arsimit parauniversitar libra të Oksfordit, të Kembrixhit. Sikur t’i kishim futur, sot do të kishim 1 milionë njerëz më të shkolluar. E njëjta gjë me universitetet. Sikur të mos ishim bërë vendi më qesharak në Evropë me 7 herë më shumë universitete se Britania e Madhe, por të kishim hapur rrugën për arsimin profesional, ne sot nuk do ishim një vend qesharak me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror.
Nuk hipën dot në taksi se shoferi është jurist, nuk shkon dot në kafe se kamerieri është jurist. Para ca kohësh takova një kamerier dhe më tha na gjej një punë. Çfarë ke studiuar?-i thashë, “Jurist, si të gjithë shqiptarët”-më tha.
Për sa i përket investimeve në zonë, Rama përmendi një projekt për Koplikun.
Rama: Ky kryetar bashkie (ai i Koplikut) ka sjellë një projekt mbresëlënës, Kopliku pas një viti do të jetë një realitet plotësisht i rregulluar. Nga një qytet që u katandis në një katund pa lidhje, do të bëhet një qytet që do të jetë zemra krenare e Malësisë së Madhe.
Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të kryebashkiakes së Shkodrës, duke theksuar se nëse quhet diskriminim që investohen 15 milionë euro, “do të vazhdojmë ta diskriminojnë”.
Rama: Ata që thonë se jemi me Vllazninë, e lanë atë të luante në një fushë si fushe stalle. Ne nuk e duam Vllazninë ashtu, por si skuadrës të krenarisë sonë.
Unë kam pas fatin të luaj këtu basketboll dhe të rrihem disa herë. Pallatin e Sportit do t’ia bëjmë Shkodrës siç e meriton. Ky apo një tjetër ne do ta bëjmë.
Rama u ndal edhe tek Fototeka Marubi, duke theksuar se atë e nxori nga një bodrum. “Po të ishin për ata, atë e kishte marrë Buna”.
Rama: Me rastin e Ditës së Evropës unë do të vij këtu dhe do ta marr për krahu Voltanën (kryebashkiaken) dhe të inaugurojmë muzeun e ri.
Edhe gjatë këtij takimi, kryeministri foli shkurtimisht për akuzat e deputeti Ben Blushi, duke mos e përmendur konkretisht.
Rama: Na duhet një Parti Socialiste më e fortë sepse duhet t’i çojmë reformat përpara dhe të mos dëgjojmë as majtas dhe as djathtas. Nuk duhet të dëgjojmë asnjë zë që rri duke u ankuar, duke na sharë, duke na u kundërvënë. Këto reforma nuk përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme.
Rama u ndal edhe tek akuzat ndaj opozitës, duke nënvizuar se çdo lagje ka të dehurin e vet.
Rama: Çdo lagje e ka një të dehur që e njeh gjithë lagja, që del nga shtëpia tapë dhe që rri e shan gjithë kush i shkon nëpër mend dhe përflet gjithë lagjen. Njësoj si ky i dehur është edhe Partia Demokratike.
Unë besoj që, ne sot jemi ne kushtet kur mund te bëjmë një reflektim të gjithë së bashku si shoqëri, të gjithë së bashku si njerëz të arsyeshëm, si individë, si familjarë, pavarësisht se jetojmë në Tiranë, jetojmë në Shkodër, jetojmë në Vlorë, pavarësisht se jetojmë në qytet apo në fshat.
Diskutimet për demokracinë brenda Partisë Socialiste
Gjatë takimit në Shkodër, deputetja Mimoza Hafizi, ka theksuar se shpresonte që në Partinë Socialiste të zbatoheshin rregullat dhe demokracia e brendshme.
Rama: Meqë Elma është maturante unë them të thërrasim një profesoreshë ti japë kartën, Mimoza Hafizin.
Hafizi: Unë nuk jam vetëm profesoreshë por dhe politikane, prandaj që të mos flasin vetëm politikanët burra po i them dhe unë dy fjalë si politikane grua.
Rama: Elma hajde këtu se erdhe në parti, sa erdhe do të ikësh, hajde rri me Mozën hajde.
Hafizi: Të nderuar socialistë të Shkodrës, të dashur të rinj që sapo keni ardhur për tu anëtarësuar në PS. Janë nja 10 tha kryetari që do të marrin sot kartat, unë besoj se secili prej tyre do të nxjerrë një arsye. Mund të kemi 10 arsye përse vini ju në PS. Por më lejoni dhe mua të them arsyet e mia meqë jam socialiste tradicionale, deputete e juaja, përse do të dëshiroja unë që ju të vini në PS.
Shpresoj shumë që ju në PS të dashur të rinj dhe të reja vini për një karrierë të gjatë, të merituar dhe besoj që ju shpresoni që progresin e kësaj karriere ta meritoni. Që të mos lejoni të shpërpilleni as ju dhe as shokët tuaj.Dëshiroj shumë që të keni ardhur në PS për të gjetur një strukturë demokratike, për të gjetur një strukturë ku respektohen rregullat dhe normat, për të gjetur një strukturë ku secili prej jush ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Të zgjedhë më të mirin, më të vlefshmin duke filluar nga kryetari i organizatës deri tek kryetari i partisë. Shpresoj që ju vini në PS për të ndikuar për një qeverisje më të mirë kundër korrupsionit, kundër antishtetit, për një kolegjialitet në PS, për respekt. Jam e sigurt që ju do ti kërkoni ti keni këto në PS dhe nëse ju kërkoni të keni një Shqipëri më të mirë përmes një partie më të mirë, unë me gjithë zemër ju them: “Ardhtë sa më parë dita që kjo parti dhe fati i saj të jetë në dorën tuaj”
Gjatë shpërndarjes së teserave të reja për anëtarët e rinj, një prej tyre është edhe aktori Bruno Shllaku, të cilit nuk i munguan emocionet.
Shllaku: Do të kisha shumë dëshirë që t’i drejtohem z.Rama. Ju flas me shumë emocionon, jam i privilegjuar që ju jeni kryeministër im. Siç jam tej mase i privilegjuar që aderimin tim fillestar në këtë parti e filloj duke qenë kryetar ju dhe që do të vazhdoni të jeni po kryetar.
Rama: Për çështjen e kryetarit kemi me Mozën një diskutim, por do ta zgjidhim në mënyrën më demokratike. Moza thotë duhet zgjidhur, ti thua je i zgjedhun. T’i pyesim të gjithë! Jo këtu! Mos bërtisni se na akuzojnë se u vu diktatura. Me votim të fshehtë dhe qetësohemi të gjitha palët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here