Gjebrea: Rrokun e kërkova unë, lotët për djalin e tij që mësoi të vërtetën e hidhur

0
164

shiksi  marjani_arditi-933x445-905x395_0

REAGON ARDIT GJEBREA PËR  PËR CINIKËT DHE KRITIKËT E INTERVISTËS E “GABUAR”  

Moderatori Ardit Gjebrea ka bërë një shpjegim kushtuar cinikëve dhe kritikëve të shumtë të botës sonë të vogël. “Solla thjesht jetën e një të burgosuri, nuk vajta të nxjerr jashtë Marjan Rrokun”, shpjegon Gjebrea.

 

Moderatori Ardit Gjerbrea ka reaguar për herë të parë për intervistën e zhvilluar prej tij me të dënuarin Marjan Rroku në ambientet e qelisë në burgun e Fushë Krujës. Intervista në kuadër të programit “24 orë me…” në Tv Klan në “ E Diela Shqiptare”, ajo ka shkaktuar një furtunë komentesh dhe debatesh në opinionin publik. “Rrëfimi” i Marjan Rroku i dënuar me burg përjetë për vrasjen e dyfishtë të Alda Canaj dhe nënës së saj Mbarime Canaj, riktheu edhe një herë vëmendjen tek vrasja makabre e 15 vite më parë. Gjebera shprehet se këtë shpjegim ai ia dedikon teleshikuesve të shumtë të programit të së dielës që ai moderon prej shumë vitesh. Ardit Gjerbrea shpjegon se Marjan Rrokun e kërkoi ai dhe jo e kundërta. “ E kërkova unë dhe nuk më zgjodhi ai mua. Kushdo tjetër në vendin e tij dhe në rrethanat e tij, do të kishte kryer një krim të rëndë dhe pas tij do të ishte dhembja e pafundme e familjes së viktimës”, shkruan Gjebrea.

“Për kritikët, cinikët dhe të ngeshmit e shumtë të botës sonë të vogël kjo do të ishte lehtësisht e kuptueshme, e pranueshme dhe ndoshta në këtë moment do të më akordonin edhe faljen e tyre.

Nuk dua të flas me ta. Nuk dua të flas për ta. Po them vetëm dy fjalë për shikuesit që më kanë ndjekur dhe i kam ndjekur, me aq sa kam mundur e ditur në shqetësimet apo gëzimet e tyre. E vërteta ime për çfarë “tronditi” botën tonë të vogël mediatike është shumë më e thjeshtë. Prej më shumë se 10 vjetësh, ekzaktësisht në vitin 2005 pata idenë të bëj një emision të ngritur mbi paradigmën: “24 orë me…”. E kam biseduar fillimisht me kolegen time Afërdita Saraçini Kelmendi, e cila u tregua mjaft entuziaste dhe madje edhe më nxiti ta bëja realitet. Afërdita ishte testi i parë që kalova. Testi i dytë ishte shumë më i komplikuar. Ishte koha e munguar, angazhimet e shumta dhe të ndryshme, fakti që jetësimi i një ideje të tillë ishte shumë i komplikuar, që kërkonte ekip dhe shumë e shumë detaje të tilla. Por çfarë flinte vetëm priste të zgjohej bashkë me listën e gjatë të personazheve që kisha menduar. “24 orë me…” një bari, një lypës, një mjek, një mësues, me një edukatore kopshti, një polic, peshkatar, biznesmen, i ngujuar, etj. Në këtë liste ishte edhe një i burgosur. Eshtë njerëzore që të gjykosh të tjerët. Të flitet për ta. Për jetën e tyre. T’i gjykojmë për mënyrën si flasin, si reagojnë, si sillen në rrethana të caktuara. Por përgjithësisht bëjmë një gabim që na çon në paragjykim: Që ta kuptosh deri në fund Atë, Ti duhet të jesh Ai.”, thotë moderatori Gjerbera.

E ndërsa rikthehet tek i dënuari Rroku ai sqaron se: “ Projektova në mendje tipologjinë e këtij të burgosuri, që mundësisht të ishte i privuar nga liria për jetë. Sigurisht pakkush do ta pranonte të bënte publike jetën e tij në ekran. Marjan Rroku e pranoi. E kërkova unë dhe nuk më zgjodhi ai mua. Kushdo tjetër në vendin e tij dhe në rrethanat e tij, do të kishte kryer një krim të rëndë dhe pas tij do të ishte dhembja e pafundme e familjes së viktimës. Për fat të keq, kjo ishte familja Canaj, trishtimin, pezmin dhe plagën e pangushëllueshme të së cilës intervista e vrasësit Rroku e riktheu sërish në kujtesë. Edhe pse është e paharrueshme. Por intervista ishte thjesht dhe vetëm jeta e një të burgosuri në 24 orë dhe asgjë më shumë. Intervista nuk ishte një ofertë supermarketi brenda të cilit gjendet gjithçka që do të donte “blerësi” edhe cinik, edhe kritik, edhe i ngeshëm, edhe i vetëtitulluar si kriter i së vërtetës. Nuk dua të përdor të njëjtin kut gjykimi me gjithë ata që më gjykuan publikisht se më mungoi nervi i gazetarit investigativ dhe se nuk zbulova çfarë kishte ndodhur në ngjarjen e 15 vjetëve më parë. Nuk dua ta bëj sepse do të më duhej të vija në pah mungesën e padurueshme të të njëjtit standart gjykimi: po ata, pse nuk “investiguan” në dy emisionet e para të të njëjtit cikël, “24 orë me…” Gianni Overi – Konsulli i nderit i Shqipërisë në Itali apo “24 orë me…” Eneida Hoxha – mjeke e urgjencës? Pse këta puritanë të ligjit, moralit dhe ndershmërisë nuk më gjykuan keq kur shpërtheva live gjatë historisë së një vajze të dhunuar nga i ati duke thënë se tipa të tillë duhen varur. Nuk marr përsipër të them që kam të drejtë, por respektoj ligjin që thotë ndryshe, siç respektoj këdo që do të mendonte ndryshe nga unë. Me përjashtim të atyre që thjesht gënjejnë. Eshtë njerëzore që çdo njeri i privuar nga liria të shpresojë lirinë. Eshtë njerëzore edhe që çdo fajtor i quajtur i tillë nga shoqëria, të besojë në pafajësinë e tij. Rroku nuk besoj se bën përjashtim nga ky rregull, por në emision ai pohoi për herë të parë vrasjen që për kaq kohë ja kish mohuar familjes në Shqipëri dhe Amerikë. Kur e pyeta për familjen e viktimës u shpreh se “…nuk ka të drejtë robi të marrë jetën e robit”.”

Për tu ndalur tek lotët që Ardit Gjerbera shfaqi në “rrëfimin” e Rrokut, ai kërkon të tërheqë vëmendjen duke thënë se ato i përkasin djalit të mitur të këtij të burgosuri.  “ Më përmendën një pikë loti në emision. Cinikët dhe gënjeshtarët thanë se u përlota për një vrasës. Për të tjerët dhe jo për ta, po them se mendova për birin e tij, që nuk e zgjodhi të atin, që jetonte deri një javë më parë në një gënjeshtër dhe që e dinte të atin një hero që luftonte për Amerikën. Për herë të parë, ai dhe e ëma do të mësonin të vërtetën për babain dhe bashkëshortin nga një ekran. Do të mësonin të vërtetën e pamëshirshme si vetë jeta. Të pamëshirshme si dhe mënyra me të cilën vetë Rroku kishte marrë dy jetë të pafajshme… Fati zgjodhi pikërisht atë fëmijë që të bëhej shembull, për të kuptuar se ai “çelës” i kurdisur prapa trupit, sicc e shpjegoi Marjani momentin e vrasjes, nuk duhet të “kurdiset”. Ai “çelës” duhet të jetë OFF gjithë jetën, sepse nëse e kthen në ON i ke marrë jetën jo vetëm tjetrit, por edhe vetes. Sepse duke marrë çfarë ka dhënë Zoti, duhet pritur jo vetëm ndëshkimi i shoqërisë, ligjit apo moralit, por mbi të gjitha, edhe ndëshkimi i Zotit. Dhe gjykimit të Tij nuk i shpëton dot askush.”. Gjebera e mbyll reagimin e tij ndaj gjithcckaje të komentuar për intervistën e tij se me këtë intervistë ai: “Trokita i maskuar në xhama makinash, në sy indiferentë njerëzish edhe që i njihja, në zemra të akullta brenda makinash të ngrohta, në shpirtra të vjetër brenda kostumesh të markave më të shtrenjta. Provova të mos ekzistoj duke ekzistuar. E keqja nuk ka fund, kurse koha po. Dhe tani është koha që të kthehem në punë.”. P.Stafa

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here