Detajet e 8 orë negociata, mazhoranca dhe opozita pranë konsensusit. Kushti i PD që mbyll çështjen

0
131

Bylykbashi: Këmbëngulim te pezullimi me i ligj i deputetëve që plagosin, vrasin, apo arrestohen në flagrancë e më pas rikthehen në Kuvend. Balla: Besojmë se kemi arritur në një draft dhe nuk do ketë më nevojë për negociata

Gëzim Saliu

E cilësuar si çështje parësore nga ana e opozitës, ligji i dekriminalizimit ishte në qendër të të gjithë zhvillimeve politike të ditës së djeshme. Edhe pse ishte dita e seancës parlamentare, përveç fjalës së ish-kryeministrit Berisha dhe më pas pasdite të shefes së BE-së Mogherini, nuk pati zhvillime brenda sallës. Zhvillimet e ditës së djeshme u përqendruan të gjitha tek negociatat pa media mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat nisën që prej mesditës së djeshme e përfunduan rreth orës 20:00. Për 8 orë me radhë, të mandatuarit nga partitë kryesore për këtë çështje, demokrati Oerd Bylykbashi dhe socialisti Taulant Balla në ndërmjetësimin e kryeparlamentarit Meta zgjidhën disa nga kundërshtitë mes tyre lidhur me aktet nënligjore për ligjin e dekriminalizimit. Duket se pas negociatave doli “tym i bardhë” dhe palët arritën dakordësinë për pjesën më të madhe të nënpikave të ligjit, duke lënë për sqarim vetëm dy çështje ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Deklaratat

Në përfundim të negociatave, demokrati Bylykbashi theksoi se se do jetë Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet që do të mblidhet sërish sot që do vendosë përfundimisht për aktet, duke shprehur njëkohësisht besimin se do të kapërcehen edhe ato pak pengesa për një zgjidhje finale dhe të plotë. “Janë çështje që kanë të bëjnë me mekanizmat që funksionon procesi i verifikimit. Pres që nesër të kemi një përmbyllje të procesit. Por mbeten të hapura çështje të tjera pezullimi me i ligj i deputetëve që plagosin apo vrasin, apo arrestohen në flagrancë dhe më pas rikthehen për të ushtruar funksionet publike. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm që kemi ne”, tha ai. Më parë Bylykbashi theksoi se mazhoranca në javën e fundit tregoi se i mungoi vullneti për zgjidhje të çështje,: “por sot për shkak të presionit të opozitës jemi në një situatë ku jemi drejt fundit. Janë pranuar një seri çështjesh, ka pak çështje që janë me rëndësi, për të cilat po punohet për t’i zgjidhur. Me vullnet, këto kapërcehen për t’i dhënë zgjidhje akteve që do bëjnë efikas ligjin e dekriminalizimit:”, tha ai. Ndërkohë socialisti Taulant balla njoftoi mbylljen e negociatave dhe paraqitjen e akteve nënligjore në Kuvend në një seancë të parashikuar për sot.. “Nesër (sot) në Kuvend do të kemi zbardhur të gjithë dokumentacionin. Ajo që bëhet fjalë është për një vendim të Kuvendit dhe më pas për formularin e vetëdeklarimit. Këto çështje të mbyllen nesër. Nuk ka më negociata. Kemi rënë dakord për të gjitha dhe ajo që ka ngelur është që kërkohet një mendim mbi ato që është dakortësuar nga ana e PD”, theksoi Balla. Nga ana tjetër deputeti socialist tha se ka patur keqinformim nga Partia Demokratike për çështjet e bisedimeve, sidomos për formularin e vetëdeklarimit. “Kemi rënë dakord për formularin. Kishim rënë dakord shumë më parë. Aktet nënligjore i mbyllim nesër në seancën plenare duke respektuar germë për germë ligjin që na ka detyruar që brenda datës 6 të kemi aktet nënligjore”, mbylli fjalën e tij deputeti socialist. Aktet nënligjore për dekriminalizmin duhet të kalohen në parlament brenda datës 6 mars, për t’i hapur më pas rrugën zbatimit të ligjit.

 

 

Për çfarë ranë dakord palët

-Kryeministri dhe ministrat që kanë dorëzuar mandatin e deputetit të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit

– Pyetjet të jenë të hapura për vetëdeklarimin

 

Çfarë pritet të dakordësohet sot

-Deklarimet e emrave të zyrtarëve të cilët kanë figuruar me më shumë se një emër. Demokratët kërkojnë që në formular të deklarohen të gjithë emrat që janë përdorur nga zyrtarët që plotësojnë formularin.

– Pezullimi me i ligj i deputetëve që plagosin, vrasin, apo arrestohen në flagrancë e më pas rikthehen në Kuvend

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here