Reagimi i kryedemokratit/ Basha: Fëmijë pushtetarësh lëvizin me armë, krimi ka gjunjëzuar policinë dhe shtetin

0
110

Erneta Shevroja

 Kreu i PD-së akuzoi Kryeministrin se qeveria që ai drejton mbron kriminelët

lulzim-basha-525x350-220x160 Vrasja e katërfishtë që ndodhi në një lokal nate, ku mes autorëve të krimit ishte dhe djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani, Konstadin Xhuvani, u pasua nga reagime të forta nga politika. Opozita e cilësoi një ngjarje tragjike, që u lehtësua nga policia dhe nga drejtuesit e qeverisë, të cilët lejojnë që persona të afërt me të të lëvizin lirshëm me armë në brez. Ndërkaq, kreu i opozitës e cilësoi edhe më të rëndë faktin që Kryeministri Rama nuk u prononcua gjatë ditës për një ngjarje të atyre përmasave.

 

Basha

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, reagoi dje në orët e pasdites lidhur me krimin e rëndë që ndodhi një natë më parë në një lokal nate, ku u vranë katër të rinj. Basha u shpreh se fëmijë pushtetarësh, duke nënkuptuar njërin prej të dyshuarve, Kostandin Xhuvanin, lëvizin lirshëm të armatosur, duke mos pasur frikën e policisë. Kreu i PD-së e cilësoi shumë të rëndë ngjarjen, por, sipas tij, më i rëndë akoma është fakti që Kryeministri i vendit, Edi Rama, nuk gjeti dot një fjalë për të shprehur gjatë ditës për ngjarjen makabre që ndodhi në kryeqytet, mbrapa Ambasadës Amerikane, një zonë që vëzhgohet vazhdimisht nga policia.

“Një heshtje varri ka pushtuar qeverinë që prej mëngjesit të sotëm, ku katër persona u vranë me armë zjarri në mes të Tiranës. Ngjarja është e rëndë, por më e rëndë fshehja e Kryeministrit që gjen kohë të shkruajë për çdo gjë, por sot nuk gjeti dot një fjali për vrasjen makabër”, – reagoi Basha në “Facebook”. Në vijim, Basha shkruan se qeveria ka lehtësuar krimin, ku fëmijë pushtetarësh lëvizin të armatosur pa frikën e policisë. “Fëmijë pushtetarësh lëvizin të armatosur pa frikën e policisë që merret me gjithçka përveç rendit dhe sigurisë. Rama i ka hapur luftë çdo qytetari të këtij vendi, por jo kriminelëve që ai vetë i ka promovuar në Parlament, në administratë dhe kudo”. Sipas Bashës, ngjarja e djeshme faktoi atë që PD ka denoncuar vazhdimisht; krimi ka gjunjëzuar policinë dhe shtetin. “PD ka denoncuar me fakte dhe argumente promovimin e krimit prej Edi Ramës në Kuvend, politikë dhe administratë. Por, sot është faktuar më së miri se krimi ka gjunjëzuar policinë dhe shtetin”, – shkruan lideri i opozitës. Në fund, Basha bëri një thirrje, “pastrimi i parlamentit, politikës dhe administratës nga krimi dhe lidhjet e tij”.

Ndërkaq, në reagim e parë zyrtarë të PD-së, deputeti Gent Strazimiri akuzoi Kryeministrin se e ka shndërruar vendin në një paraburgim të madh, ku arrestohen shumë qytetarë, se nuk kanë mundësi të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit, por nuk arrestohen persona të bandave të organizuara. “Kryeministri dhe banda e tij e kanë shndërruar Shqipërinë në një paraburgim të madh, ku rrasen “cip mbi cip” qytetarë të thjeshtë, vetëm sepse vendosin një tullë, qytetarë që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat se nuk kanë bukë të hanë dhe nga ana tjetër kriminelët dhe bandat e organizuara janë më aktive se kurrë dhe kanë kontrollin në territoret e tyre”, – tha deputeti demokrat nga selia blu. Sipas deputetit, “4 viktimat e sotme (të djeshme) djali i deputetes Xhuvani, i shkaktoi në bashkëpunim me krerët e policisë, me ministrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin”.

 

 Ish-kryeministri/ Berisha: Qeveria, në sulm frontal për mbrojtjen e killerit. Si e shpëtoi Topi dhe Rama në 2011-ën

 Ish-kryeministri Berisha akuzoi qeverinë se po bën presion ndaj çdo institucioni për të fshehur faktet që përfshijnë djalin e deputetes socialiste në krim. Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se po bën çdo përpjekje për të shpëtuar, sipas tij, killerin serial, djalin e deputetes socialiste, Kostandin Xhuvani. Në reagimin lidhur me këtë çështje, Berisha tha dje se kreu i qeverisë kishte urdhëruar policinë të prishte provat që fajësonin djalin e deputetes, ndërkohë që Prokuroria dhe mediat ishin nën një presion të madh për të mashtruar opinionin lidhur me autorin. “Përpjekje çnjerëzore të Ramës dhe klikës së tij për të mbrojtur vrasësin serial, Kostandin Xhuvanin, mik për kokë i Saimir Tahirit”, – shkroi Berisha në profilin e tij në “Facebook”. “Policia me urdhër të Ramës po prish provat, Prokuroria në presion të madh, mediat nën kërcenim të egër dhe detyrohen të hedhin mjegull mbi ngjarjen ku “ekspertë” të krimit në media që bëjnë edhe deri “ekspertiza” mjekoligjore në studio për të mashtruar opinionin duke mbrojtur direkt apo me dorashka killerin e qeverisë. Kurse vetë qeveria e krimit mbron kriminelin e vet”, – vijoi ish-kreu i PD-së. Ndërkaq, Berisha në reagimin e tij dha edhe një profil, sipas tij, të të dyshuarit. Ish-kreu i PD-së tha se djali i deputetes ka qenë i dënuar më parë për vrasje, por lidhjet e tij me politikën, me ish-kryeprokuroren Ina Rama dhe kreun e FRD-së, Bamir Topi, e shpëtuan nga dënimi. “Policia deri tani hesht për masakrën e bandës së saj, por dëshmitarët dhe mediat pohojnë se ekzekutori kryesor i katër të rinjve është Kostandin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani, i cili pak vite më parë ekzekutoi afër shtëpisë së tij një bashkëmoshatar. Por duke përdorur imunitetin parlamentar të nënës së tij, lidhjet e saj politike me kupolën e PS-së dhe Edi Ramën, I. Ramën dhe B. Topin vrasësi nuk vuajti as edhe një vit dënim. Pas lirimit ai vendosi selinë në zonën elektorale të deputetes Xhuvani, bënte ligjin në këtë zonë e në ato përreth dhe ishte financues i PS-së dhe kryesor në drogën në Lazarat”, – reagoi ish-kryeministri. Referuar rastit të rëndë, Berisha bëri thirrje për protesta masive për sigurinë. “Në këmbë të gjithë për rendin, sigurinë, kundër krimit dhe qeverisë së tij”, – deklaroi Berisha.

 

Paloka: Konstandin Xhuvani në kërkim nga policia që në 26 prill

Deputeti demokrat Edi Paloka publikoi mbrëmjen e  djeshme disa të dhëna të tjera në lidhje me djalin e deputetes socialiste, Konstandin Xhuvani i shoqëruar në polici për vrasjen e 4-fishtë. Greu i Grupit Parlamentar të demokratëve, bëri me dije se Konstandin Xhuvani ka qenë në kërkim nga policia që më 26 prill të këtij viti për kandosje të dy personave në Gjirokastër. Por, sipas Palokës, djali i deputets nuk u arrestua pasi u morë në mbrojtje nga qeveria.  “Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia që me 26 prill të këtij viti, për shkak se ka kanosur qytetarët dhe ka qëlluar me armë në lagjen 18 shtatori në Gjirokastër. Eshtë shpallur në kërkim, por nuk është ndaluar kurrë nga policia. Sepse Konstandin Xhuvani është shpallur në mbrojtje nga qeveria, përpara se të shpallej në kërkim”, tha Paloka, ndërsa në emër të PD-së shprehu ngushëllim për familjerët e 4 viktimave.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency