Speciale/ Fenomeni Nazime Visha, 22 vjeçarja që vrau të dashurin dhe kërkesat e saj për liri

0
185

Kishte pak muaj që kishte mbushur 18 vjeçe kur përdori automatikun, kundër një 45 -vjeçari, i cili për vite me radhë i kishte “vjedhur” dashurinë. Nazime Visha, vajza  nga fshati Vilëz i Komunës Zall-Bastar në 3 mars mbush 22 vjeçe. Këtë ditë ajo kërkon ta festojë në liri

 

Alma Çuka

 

Në 3 mars Nazime Visha mbush 22 vjeçe. Në gusht të vitit 2012, kur qëlloi për vdekje mbi 45 vjeçarin Fiqiri Muça, vajza me 8 klasë shkollë, e rritur në fshatin Vilëz Komuna Zall-Bastar, kishte vetem pak muaj që kishte mbushur moshën 18 vjeçe. Ka rrëfyer se i mori jetën babait të 5 fëmijëve, duke e ndëshkuar për jetën që ai i vodhi, për dashurinë, rininë dhe prishjen e fejesës për të cilën nazimja është shprehur se e kishte endërruar prej kohësh. Jeta e vajzës së paarsimuar doli në pah vetëm kur u shua jeta e njeriut, për të cilin vetë ajo kishte thurur ëndrra pa e kuptuar se fjalët e hedhura kuturu në mesazhe  telefonike, nuk të çonin askund. Ajo u mashtrua për disa vite. Shpresonte se dashuria e jetuar përmes fjalëve të ëmbla do t’i ndriçonte rrugën. Dhe fundi erdhi shpejt. Në 14 gusht të vitit 2012, ajo i jep fund gjithë vuajtjeve të saj në dashuri, duke nisur një tjetër kalvar vuajtjesh, atë me sistemin e drejtësisë. Nuk u shfaq asnjëherë e penduar gjatë serancave gjyqësore, për krimin e kryer. E qeshur futej në kafazin e hekurt për të dëgjuar atë çfarë do të flitej. E pranonte se nuk kuptonte asgjë nga ligjet. Me fjalë të thjeshta fliste se vrau pa iu dridhur dora njeriun që i kishte marrë moshën më të bukur, e kishte ndarë nga i fejuarai dhe po i bëhej pengesë për të krijuar familjen e saj. Por asnjëherë nuk u kuptua qëllimi i vërtetë që Fiqiri Muça, viktima kishte pasur ndaj vajzës, e cila nga ana e saj i shprehte dashurinë përmes mesazheve telefonike. Jo pak por 250 mesazhe u gjetën në telefonin e viktimës. Të gjitha me përmbatjte erotike.  Megjithatë Nazime Visha e kaloi pragun e vështirësisë në dyert e gjykatave. Në seancën e fundit kur trupi gjykues dha vendimin, Nazimja u shpreh e penduar për atë çfarë kishte bërë, ndonëse më herët kishte deklaruar se nuk i ishte dridhur dora fare dhe nuk kishte derdhur asnjë pikë loti kur kreu krimin. U dënua me dhjetë vite burg. Pasi vendimi mori formë të prerë dhe shumë shoqata e grupe që përfaqësojnë shoqërinë civile i dolën në mbrojtje vajzës së re, duke dënuar fenomenin e shfrytëzimit të  femrave të varfra që jetojnë në zonat rurale, Nazimja, nisi kalvarin e kërkesave për falje, me argumentin se kërkon të mos e kalojë jetën në burg, të integrohet në shoqëri si shumë moshataret e saj dhe t’i sjellë gëzim familjes.

 

Kërkesa për falje

 

Dy vite pasi iu refuzua nga presidenti Bujar Nishani kërkesa e parë për falje, Nazime Visha  rikthehet sërish në skenë me të njëjtën kërkesë. Përmes përfaqësuesit ligjor Nazime Visha i ka dërguar një kërkesë për falje presidentit të vendit Bujar Nishani, kërkesë e cila është përcjellë në rrugë zyrtare nga Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili ka përgatitur dokumentacionin referues.  Manjani i propozon kreut të shtetit  t’i fal Nazimet pjesën e mbetur të burgut.  Por si e argumenton Nazime Visha kërkesën e saj për falje. Thotë së është  dënuar me 10 vite burg për vrasje në datë 8 maj 2013. Vendimi mbeti në fuqi në apel në 18 tetor 2013. Ka vuajtur deri tani 6 vjet e 3 muaj burg. I kanë mbetur për të vuiajtir  3 vjet e 9 muaj burg.  Rrëefen se ka mbajtur qëndrim të mirë gjatë vuajtjes së dënimit. Është penduar për krimin e vrasjes. Kërkon të gëzojë jetën ashtu si moshataret e saj, duke treguar se jeta ka qenë e pamëshirshme me të dhe shumë e vështirë për të dhe familjen e saj. Thotë se në shtëpinë e prindërve babai punon për të siguruar ilaçet e nënës,  e cila është e sëmurë, ndërsa lutet të shkojë shumë shpejtë  pranë vëllait të saj të vogël 5- vjeçar. Kërkon një mundësi për të treguar se është njeri me vlera dhe se nuk duhet të braktiset. “Ju lutem ktheni gëzimin tek unë dhe tek familja ime”, ..e mbyll kërkesën Nazime Visha.

 

Argumentimi i Ministrit të Drejtësisë

 

Ministri i Drejtësisë  Ylli Manjani i ka paraqitur Presidentit të Republikës,  Bujar Nishani propozimin për faljen e të dënuarës Nazime Visha. Në propozimin dërguar Presidentit të Republikës, argumentohet se Ministri i Drejtësisë ka administruar kërkesën e shtetases së dënuar Nazime Beqir Visha, kërkesë kjo e paraqitur në bazë të ligjin nr. 10295, “Për faljen”, datë 01.07.2010. Nga aktet e përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbi dinamikën e vuajtjes së dënimit, rezulton se e dënuara Nazime Beqir Visha, e dënuar me vendim të formës së prerë me 10 (dhjetë) vjet burgim, ka vuajtur 3 (tre) vite, 6 (gjashtë) muaj e 4 (katër) ditë burgim. Ndërkohë po sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit e dënuara në fjalë ka fituar me paraburgim 7 (shtatë) muaj e 2 (dy) ditë; ka fituar me punë 4 (katër) muaj e 3 (tre) ditë; ka fituar ulje dënimi 3 (tre) muaj bazuar në nenin 63 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar; ka fituar ulje dënimi me ligjin nr. 22/2014 “Për dhënie amnistie”, 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj.Pra kësaj të dënuare i mbeten për të vuajtur edhe 3 (tre) vite, e 9 (nëntë) muaj, e 21 (njëzet e një) ditë burgim.  Në ligjin nr.10295, datë 01.07.2010 “Për faljen”, neni 5, parashikohen rastet se kur jepet falja dhe konkretisht, në këtë dispozitë parashikohet se:  Falja e dënimit mund të jepet kur: nuk ekzistojnë kriteret ndaluese të parashikuara në ligj;  personi i dënuar ka vuajtur më shumë se një të tretën e dënimit të  dhënë; personi i dënuar me sjelljen, punën dhe veprimet e tij tregon se nëpërmjet dënimit të  vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror të tij. Ndërkohë, në vlerësim të nenit 7 të ligjit rezulton se e dënuara Nazime Beqir Visha, bazuar në Vlerësimin e Sjelljes dhënë nga I.E.V.P Ali Demi nr. 47 Prot, datë 17.02.2016, ka respektuar rregullat e Institucionit dhe nuk ka masa disiplinore. Ka pasur  marrëdhënie shumë të mira me personelin e shërbimit dhe me bashkëvuajtëset. Ajo gjithashtu mban takime të rregullta me familjen dhe për më tepër e dënuara shpreh pendim të thellë për të gjitha pasojat e ardhura prej veprimeve të saj.  Për këto arsye, bazuar në nenin 92 shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 2, 5/ç dhe 10, pika 1 të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, Z. Manjani ka përcjellë për shqyrtim kërkesën për faljen e dënimit të mbetur për të dënuarën Nazime Visha, ku si Ministër i Drejtësisë ka propozuar “Pranimin e kërkesës të paraqitur nga e dënuara Nazime Beqir Visha, për faljen e plotë të dënimit të mbetur”. 

Përpjekja e Nazimes për të fituar amnistinë e dytë

Ndërkohë që Ministri i Drejtësisë përpilonte dokumentacionin për ta nisur drejt presidencës për faljen e Nazime Vishës, kjo e fundit ndodhej e ulur brenda në kafazin e hekurt të Gjykatës. Përballë Vishës, gjyqtari Sokol Tona. Ndërsa fati nuk e ndihmoi Vishën për të dëgjuar vendimin pozitiv ndaj saj që do i ulte dënimin me 1 vit e 3 muaj burg, duke u mbështetur tek amnistia e fundvitit 2015. Seanca nuk zgjati më shumë se 5 minuta. Kjo për shkak  se akuza kërkoi të njihej me aktet në dosje dhe më pas të jepte konkluzionin e saj pro ose kundër kërkesës. Nazime Visha u shfaq e qetë fillimisht, por gjatë seancës ajo u përlot. Gjithçka u filmua. Visha nuk tha asnjë fjalë. AjoiI kishte shkruar të gjitha në një kërkesë e cila i ishte bashkëngjitur dosjes penale.

Falja e mohuar në vitin 2014

Në mars të vitit 2014 Nazime Visha ishte përgatitur të fitonte lirinë. Por ajo u zhgënjye, kur Presidenti megjithë letrat e shumta që shkuan në zyrën e tij për të falur nazime Vishën, nuk e pa të arsyeshme të firmoste  lirinë e saj. E dënuara, e cila kërkoi faljen e kohës që i ka mbetur në burg, duket se nuk e proti  mirë vendimin e Presidentit të Republikës që i refuzoi kërkesën e saj. Gjatë një aktiviteti për 8 marsin e vitit 2014, ajo gjatë një deklarate të shkurtër tha se e kishte marrë njoftimin një javë para festës. Lajmin e kqe e kishte marrë, por shkresën e firmosur kundër faljes nuk e kishte shtënë në dorë. Nazimja nuk dinte si ta komentonte mospranimin e kërkesës së saj. “Unë doja të falesha, por ai nuk e bëri. Di që ata që kërkuan faljen time ishin njerëz të rëndësishëm, por në fund vendos Presidenti”, pati thënë ajo në atë kohë. Nuk dinte të jepte as një mesazh për kreun e vendit.  “Nuk di çfarë t’i them. Duhet ta mendoj një herë”. Nga biseda në vijim, me fjali të mangëta prej saj, kuptojmë se Nazimja diç ka mësuar, se ligji e ndalon faljen për veprën penale për të cilën ajo është duke vuajtur dënim. Shpreh mërzi për mbylljen në qeli, por çelet sakaq kur thotë se familjarët vijnë ta takojnë rregullisht.

Kërkesa për amnistinë e parë

Një vit  pasi Presidenti i Republikës refuzoi faljen e saj, Nazime Visha e dënuar me dhjetë vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes me dashje, kërkon amnistinë në Gjykatë. Më 19 mars 2015, në Gjykatën e Tiranës u regjistrua  kërkesa penale e të dënuarës Nazime Visha. Ajo kërkonte të përfitonte nga amnistia për faljen e dënimit të dhënë ndaj saj nga Gjykata për akuzën e vrasjes së Fiqiri Muçës, ngjarje kjo e ndodhur në gushtin e vitit 2012. Kërkesa e bërë nga e dënuara Nazime Visha është hedhur në short nga ana e Gjykatës, e cila ka përcaktuar se gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën është Sokol Tona. Kërkesa e Vishës u pranua dhe ajo e përfitoi amnistinë. Për ironi të fatit edhe këtë vit, kërkesa për të përfituar ulje dënimi me 1 vit e 3 muaj burg nga amnistia është në duart e gjyqtarit Sokol Tona. Nazime Visha është akuzuar nga Prokuroria për vrasje me dashje ndaj Fiqiri Muçës, dhe për këtë krim është dënuar me dhjetë vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë. Gjatë procesit, Nazime Visha deklaroi se kishte vrarë dhunuesin e saj, ndërsa kërkoi mëshirë nga Gjykata. Kërkesa e saj nuk u pranua dhe për rrjedhojë dënimi i 21­ vjeçares u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit, duke marrë kështu formë të prerë.

 

Çfarë tha Nazime Visha menjëherë pas vrasjes. Ja historia katër vjeçare mes Vishës dhe Muçës

Zbardhet dëshmia e plotë e 18-vjeçares Nazime Visha, e cila ka marrë mbi vete autorësinë e ekzekutimit me armë zjarri ndaj 45-vjeçarit Fiqiri Visha, i martuar dhe baba i pesë fëmijëve. Sipas përcaktimit të Policisë, krimi ndodhi në datën 13 gusht, orën 00:50, në fshatin Qendër-Krrabë. Pas vetëdorëzimit menjëherë pas ngjarjes, Nazime Visha është pyetur nga Policia Gjyqësore, nga oficer Andi Banushi dhe në prani të avokates Vjollca Pustina. Procesverbali i përket së njëjtës datë me atë të krimit, pra më 13 gusht, vetëm 13 orë pas vrasjes. Në orën 14:00, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka marrë të dhënat nga Nazime Visha, personit ndaj të cilit po zhvillohen hetimet për veprën penale të “vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Në hyrje të procesverbalit të dëshmisë së parë të 18-vjeçares, bëhet një njohje me gjeneralitetet e Nazime Vishës, e cila rezulton ndër të tjera: me shtetësi e kombësi shqiptare, me arsim 8 klasë, me gjendje civile – beqare, e padënuar më parë dhe e vetëdeklaruar “pa celular”. Ndërsa në fund të procesverbalit bie në sy edhe fakti që adoleshentja është ndier e lodhur me marrjen në pyetje, duke theksuar se është e pagjumë. Gazeta “Panorama” ka botuar dokumentin në fjalë, i cili është procesverbali i vetëm deri më tani lidhur me dëshminë për arsyet dhe rrethanat që e çuan 18-vjeçaren që të vrasë 45-vjeçarin, babain e 5 fëmijëve.

 

 

18-vjeçarja thotë se vrau Fiqiriun se i nxiu jetën. Ja e vërteta sipas Vishës

Ja çfarë tha Nazime Visdha menjëherë pas kryerjes së vrasjes para oficerit të policisë gjyqësore.

PYETJE: Ju bëj të ditur se ndaj jush zhvillohen hetime për veprën penale të “vrasjes me dashje”, pasi në datën e djeshme rreth orës 00:30 ju keni vrarë me armë zjarri shtetasin Fiqiri Muça, në fshatin Krrabë të Tiranës. Në bazë të ligjit keni të drejtë të mbroheni me avokat dhe të mos jepni shpjegime pa praninë e tij. Në rast se nuk keni një të tillë, do t’ju caktohet një i tillë kryesisht, nëse dëshironi. Çfarë keni për të thënë në lidhje me hetimin?

PËRGJIGJE: Për sa i përket pyetjes që më keni drejtuar, kam për të deklaruar se unë shtetasin Fiqiri Muça kam 4 vjet që e kam njohur, pasi ai është bërë mik në familjen tonë sepse i vëllai i tij, Vladimiri, ka marrë për grua motrën time, Lutfijen. Unë në atë kohë kam qenë nxënëse në klasën e tetë të shkollës 8-vjeçare të fshatit Vilëz. Fiqiriu ka pasur shumë hyrje dhe dalje në shtëpinë tonë, jo vetëm për faktin që ishte mik, por edhe se për disa kohë ai ka punuar së bashku me babain tim në mal, ku prisnin dru. Fiqiriu e ka pasur shtëpinë në fshatin Manzë të Durrësit, ishte i martuar me shtetasen Mynyre dhe ka me atë 5 fëmijë, më të madhin e ka në moshë 25-vjeçare. Para 4 vitesh kur ai vinte në shtëpinë tonë, kërkonte të gjente momente që unë isha vetëm. Një ditë kur isha vetëm më kërkoi kafe dhe unë ia shërbeva. Më erdhi nga pas në kuzhinë, më ka kapur me forcë nga flokët dhe më pas më ka zhveshur dhe më ka përdhunuar forcërisht. Kjo ka qenë dhe marrëdhënia ime e parë seksuale. Pas këtij veprimi që ka zgjatur dhjetë minuta, Fiqiriu më ka kërcënuar se do të më vriste me një pistoletë që ma drejtoi dhe më tha se do më vriste dhe familjen time nëse tregoja atë që ndodhi. Më pas u largua dhe unë jam munduar që të kaloj në gjendje normale për të mos më diktuar familja. Nuk i kam treguar askujt se kisha frikë nga ai person. Që atëherë për katër vjet me radhë ai vinte gjithnjë në shtëpinë tonë, qëndronte me ditë duke u ushqyer, larë e fjetur. Sa herë që më gjente vetëm më ka përdhunuar me dhjetëra raste e ka bërë. Unë gjithnjë nuk kam pranuar por ai e bënte forcërisht dhe më kërcënonte me pistoletë. Kjo vazhdoi deri dhjetorin e kaluar kur familja më fejoi me një djalë nga Vaqarri i Tiranës, Sajmir Fiolla. Fiqiriu sa mësoi për fejesën time më kërcënoi seriozisht dhe më tha se do më vrasë dhe të fejuarin. I fejuari jetonte emigrant në Itali dhe sa herë shkoja te shtëpia e familjes së tij, Fiqiru më kërcënonte se po shkove do të vij të vras atje. Fiqiriu bëhej shumë xheloz dhe kur mësonte se unë kisha folur me Sajmirin në telefon.

Rrëmbimi dhe largimi drejt Bulqizës

Më 22 maj 2012, isha te shtëpia e vjehrrës sime. Fiqiriu më ndoqi me fuoristradë dhe kur isha në shtëpi vetëm sa dola në oborr, Fiqiriu më erdhi befas më kapi me forcë dhe më tërhoqi zvarrë disa metra deri te makina e tij me targa të huaja e fshehur rrëzë pyllit. Unë ulërita dhe u mundova të kërkoj ndihmë por ai me pistoletë më kanoste dhe më lidhi duart me rripin e sigurimit dhe më çoi në një rrugë në drejtim të Bulqizës ku kemi udhëtuar në një pyll për disa orë. Kemi ndaluar në pyll ku më mbajti katër ditë. Më mori bizhuteritë e floririt që më kishte blerë i fejuari, që vlenin 100 mijë lekë të rinj. Në makinë kishte bukë, konserva, mish, domate dhe pije alkoolike. Më thoshte se do më çonte në Kosovë dhe do më punësonte në një lokal me muzikë ku lekët që do fitoja unë do ti merrte ai. Më ka mbajtur në vende të ndryshme të këtij pylli dhe për 11 ditë me radhë më ka përdhunuar çdo ditë derisa kemi shkuar afër një miniere në Bulqizë. Ai fliste në telefon me një kushëri të tij që dukej se ishte në Kosovë dhe i thërriste O bosi, si dhe me kushëririn e tij polic në Burrel që i thërriste Hasan. E takuam Hasanin që ishte me uniformë dhe makinë civile. Ata pinë kafe kurse unë haja pilaf pasi kisha disa ditë që nuk haja bukë. Hasani më tha që kur të pyetesha në komisariat të mos deklaroja të vërtetën për çfarë kishte ndodhur por të thosha se shkova me dëshirë me Fiqiriun dhe se do martohesha me të. Nëse nuk deklaroja kështu, ai tha se Fiqiriu do të vrasë ty dhe familjen. Unë isha shumë e frikësuar dhe u premtova se do bëja siç më mësuan. Hasani na shoqëroi në komisariatin e Burrelit ku më pyetën dhe unë u thashë siç më mësuan. Më pas erdhi makinë p;policie nga komisariati i Policisë nr 4 i Tiranës dhe na çuan atje. Edhe atje më pyetën dhe thashë të njëjtat gjëra si në Burrel. Sakaq, Fiqiriu kur dolëm nga pylli më dha 100 mijë lekë të rinj për ti mbajtur dhe kur u takuam me policin ia dha atij. Në komisariatin nr 4 erdhën të afërmit.

 

Momenti i vrasjes

 

Fiqiriu më ka thënë se do të vinte të më merrte dje në mesnatë, të dielën duke u gdhirë e hëna datë 12-13 gusht 2012 dhe nëse unë do kundërshtoja, do më vriste. Unë isha shumë në ankth pasi dhe te shtëpia e gjyshes nuk po më linte rehat megjithëse nuk e besoja se do vinte deri aty. Më 13 gusht, ora 12.30 isha në dhomën e gjyshes kur ra zilja e derës. Pashë nga ballkoni Fiqiriun jashtë portës. Më pa dhe ai dhe më tha: Hajde shpejt se kam ardhur për ty, ndryshe të vrava. Unë i thashë: Prit një minutë se do vij. Mu kujtua se kisha një armë aty pranë dhe shkova e mora. E tërhoqa shulin e saj mbrapa dhe më pas e kam drejtuar fillimisht nga drejtimi ku ishte Fiqiriu jashtë porte. Ai iku me vrap. Unë nuk e kuptoja çfarë po bëja por e kam ndjekur me vrap nga iku ai duke e qëlluar me armën që kisha në dorë. Gjyshja erdhi pas meje kur dëgjoi të shtënat. Pashë që pranë portës së shtëpisë së gjyshes gjendej një makinë ngjyrë gri dhe në timon ishte një person. Kam ndjekur Fiqiriun në një livadh dhe nuk kam ndaluar së shtëni por nga errësira mezi e vija re. Kur u afrova e pashë shtrirë. Kam vazhduar të qëlloj në drejtim të tij. pranë më kishte ardhur gjyshja, xhaxhai im Behari dhe shoferi që ishte në makinën ngjyrë gri. Më pas u qetësova dhe prita derisa erdhi policia dhe kam dorëzuar automatikun me të cilin kisha vrarë Fiqiriun”, – përfundon dëshmia e firmosur nga Nazime Visha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here