Universitetet duhet të bëhen avangardë e integrimit

0
135

Milazim KRASNIQI

universitetNë përmasa evropiane, ende nuk ka ardhur në rend dite

 

Ngritja e një numri të madh të universiteteve publike në Shqipëri e në Kosovë, të ndjekura nga një numër edhe më i madh kolegjesh dhe universitetesh private, tashmë ka krijuar një realitet të ri në arsimin e lartë ndër shqiptarë dhe ka hapur mundësi më të larmishme të arsimimit e të edukimit të brezave të rinj. Rritja e numrit të universiteteve dhe të kolegjeve ka shtuar numrin e studentëve, gjë që paraqet një hap të rëndësishëm në përmirësimin e statistikave negative lidhur me shkallën e arsimimit të qytetarëve shqiptarë. Meqë procesi i ngritjes së universiteteve dhe i rritjes së numrit të studentëve ende është duke vazhduar, nuk mund të flitet për një tablo të qartë se si do të finalizohen këto dy procese dhe veçmas cilat do të jenë rezultatet e prekshme në zhvillimin shoqëror e ekonomik, po edhe në përparimin e demokracisë në këto dy shtete shqiptare. Por, tash për tash mund të thuhet se nëse numri i universiteteve dhe i kolegjeve është i madh dhe disa prej tyre nuk kanë arritur standardet e universiteteve të mirëfillta, numri i studentëve ende mbetet i vogël në krahasim me standardet evropiane. Fjala vjen, në Bashkimin Evropian planifikohet që deri në vitin 2020, së paku dyzet për qind e banorëve në moshave 30-34 vjeç të kenë një diplomë të arsimit të lartë. Kur kihet para sysh se ky projeksion duhet të përllogaritet në një popullsi prej pesëqind milionë banorësh, është e qartë se numri i planifikuar i të diplomuarve kap një shifër kolosale! Prandaj, në realitetet shqiptare, kjo shifër ambicioze sipas të cilës dyzet për qind të banorëve të moshave 30-34 vjeç duhet të kenë një diplomë universiteti deri në vitin 2020, me siguri është ende larg që të ëndërrohet. Por, që të zvogëlohet distanca e madhe, këto objektiva që vlejnë në Bashkimin Evropian, qysh tash do të duhej të fillonin të promovoheshin edhe në politikat arsimore të Shqipërisë e të Kosovës. Për mungesë statistikash të besueshme, është e vështirë që të dihet saktësisht numri i të diplomuarve në Shqipëri dhe në Kosovë dhe çfarë përqindjesh të popullsisë mbulojnë ato. Por, e vërteta që shihet edhe me sy është se ai numër është ende shumë i vogël. Rritja pak më e dukshme e numrit të studentëve të diplomuar ka filluar vetëm në këto dy-tri vitet e fundit, që do të thotë se kontigjentet më të mëdha të të diplomuarve pritet që të dalin në tregun e punës vetëm në vitet që vijnë. Por, kompensimi i mungesës së të diplomuarve në kontinuitet dhe veçmas në dy deceniet e shkuara, do të jetë shumë i ngadaltë. Ndërsa, për të ruajtur dinamikën e zhvillimeve të viteve të fundit, sa i përket numrit të studentëve të regjistruar, ky regjistrim duhet të liberalizohet në maksimumin e vet. Shifrat për tendencën e rritjes së numrit të studentëve në botë, që u paraqiten në konferencën vjetore të Shoqatës së Universiteteve Evropiane, janë impresive: nga njëqind milionë studentë sa kishte në vitin 2000, parashikohet që në vitin 2030 të jenë katërqind milionë studentë, pra një katërfishim i numrit të studentëve në botë. Këtë trend duhet ta ndjekin edhe universitetet shqiptare të cilat duhet të planifikojnë rritjen e kapaciteteve akademike dhe të ambienteve për të përballuar rritjen e pritshme të numrit të studentëve, pa e dëmtuar cilësinë e studimeve. ( Në të vërtetë, nëse kriteret e vlerësimit do të bëheshin më rigoroze, fjala vjen duke i bërë vlerësimet me anën e komisioneve mikste e jo nga mësimdhënësit e lëndëve, as liberalizimi i maksimal regjistrimeve nuk do të rriste shifrat e të diplomuarve.).

Në sfondin e këtyre politikave dhe parashikimeve, dy gjërat duhet të shoqërojnë transformimin e këtij tregu të dijes që ende është në proces konsolidimi. E para, duhet të inkurajohet tendenca që disa nga këto universitete dhe kolegje, qoftë publike qoftë ato private, të integrohen mes vete, të bashkojnë kapacitetet dhe të bashkërendojnë planifikimet, në pajtim me tregun e punës, zhvillimin shoqëror e ekonomik të vendeve tona dhe politikat e integrimeve evropiane. Fuzionimi ose integrimi i disa universiteteve publike të vogla e provinciale, do të krijonte mundësi që studentëve t’u ofrohen studime më cilësore dhe që hulumtimi në kuadër të tyre të ishte më i motivuar edhe nga konkurenca e brendshme. Natyrisht, mund të gjenden modelet më të përshtatshme për secilin rast veç e veç Universitetet publike, që janë të ngritura në qytete të vogla provinciale, do të mund të fuzionoheshin në universitetet amë, atë të Tiranës dhe atë të Prishtinës, duke u shndërruar në “kampuse-satelite”, po të shprehemi me një sintagmë që përdoret për të treguar mënyrën e funksionimit të universiteteve globale. Meqë në këtë rast nuk mund të vendoset shenja e barazisë ndërmjet konceptit të universitetit global dhe universiteteve amë (nëse do të bëheshin të tilla), po mjaftohemi të propozojmë që të huazohet ky model nga universiteti global, sepse është lehtësisht i aplikueshëm dhe me siguri se do ta rriste nivelin e mësimdhënies e edhe do ta nxiste idenë e hulumtimeve në këto themelata. Kjo do të nënkuptonte edhe mobilitetin e mësimdhënësve brenda këtij sistemi, si edhe konvergjimin e programeve. Ndërsa, motivi i integrimit të kolegjeve dhe universiteteve private do të mund të ishte bashkimi i kapaciteteve ekzistuese të tyre për të promovuar konkurrencë më të fortë e më serioze me universitetet publike. Më një kësi koncepti, pra, të fuzionimit të disa universiteteve të vogla publike në universitetet e mëdha e me traditë, dhe me integrimin e disa kolegjeve dhe universiteteve private, do të zvogëlohej numri i tyre, por do të rriteshin kapacitet akademike e të hulumtimeve, e prej këndej edhe do të mund të rritej numri i studentëve të regjistruar. Praktika e disa viteve të fundit që të ngrihen universitete publike të vogla në qytete provinciale, si dhe praktika e funksionimit të kolegjeve dhe universiteteve të vogla private gjithandej ku mund të ngrihet një kasolle, në dritën e trendeve të reja që po e përshkojnë botën universitare në Evropë e në botë, është e tejkaluar. Dhe është jokonkurruese.

Një model i ri i bashkëpunimit të universiteteve nga vende të ndryshme, në bazë të parimit gjuhësor, (që tashmë është promovuar dhe ka filluar të jep rezultate) do të mund të aplikohej edhe në bashkëpunimin e universiteteve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Ky model në sferën frankofone po testohet ndërmjet Universitetit të Gjenevës, Universitetit të Lirë të Brukselit dhe atij të Montrealit, ndërsa në sferën anglofonte ndërmjet Universitetit të Varvikut dhe një universiteti australian. Koncepti i këtij bashkëpunimi synon që të jetë më i thellë e më organik se sa një bashkëpunim rutinë ndërkombëtar, duke synuar edhe një shkallë të integrimit strategjik.

Universitetet shqiptare duhet po ashtu që të funksionalizojnë edhe bashkëpunime me universitete të huaja, që mundësojnë dhënien e diplomave të përbashkëta, sepse kjo i bën më atraktive në sytë e të rinjve, që duan të kenë një diplomë nga ndonjë universitet i jashtëm, për ç’arsye shumë sish (mund të jenë nga më të talentuarit) po ikin jashtë. Në këtë kontekst duhet të shikohet edhe çështja e studimeve online, sepse universitetet tona nuk mund të mbajnë ritmin në një konkurrencë gjithnjë e më të fortë, nëse nuk përshtaten me trendet dhe me strategjitë e reja.

Për gjithë këto arsye, kur është fjala për arsimin e lartë dhe tregun e dijes, nuk mjafton të thuhet vetëm me fjalë se jemi të gatshëm për integrimet evropiane. Së paku në këtë fushë, përgatitja për të qenë konkurrues të njëmendët në përmasa evropiane, ende nuk ka ardhur në rend dite. Ndërsa, universitetet duhet të jenë avangardë e integrimit, si në planin brendakombëtar, po ashtu edhe në atë evropian.

6 maj 2013    

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency