Kallëzim penal kryebashkiakut të Pogradecit për dhunë fizike

0
137

Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri, është proceduar penalisht në gjendje të lirë këtë të hënë nga specialistë të sektorit të krimeve të Policisë së qytetit bregliqenor, për kryerjen e veprave penale “Pengim për ekzekutimin e vendimit të gjykatës” si dhe “Goditje për shkak të detyrës”.

Kreu i Bashkisë së Pogradecit, 46-vjeçari Kapri akuzohet se ka dhunuar një përmbarues. Ujësjellësi i qytetit vijon të mbetet në qendër të debateve të ashpra mes palëve dhe, pavarësisht se çështja është tashmë në dyert e gjykatave, konflikti vazhdon të shkaktojë konfrontime.

Pas urdhrit të Gjykatës së Shkallës së Parë për pezullimin e vendimeve të kryebashkiakut Kapri, përmbaruesi Florian Beqaraj, 36 vjeç nga Tirana, mbërriti në Pogradec për të zbatuar vendimin, por gjatë detyrës pretendon se është dhunuar fizikisht nga kreu i bashkisë.

Beqaraj tregon se është ndalur në zyrat e Ujësjellësit të Pogradecit për të kryer procedurat me administratorin e ri, në mënyrë që ai të dorëzonte zyrën, por ka hasur në rezistencë. Aty ka mbërritur edhe vet kryebashkiaku Kapri, i cili – sipas përmbaruesit nga kryeqyteti, – ka ushtruar dhunë fizike duke e goditur me grushte, veprim për të cilin ka depozituar një kallëzim penal në polici.

Ndërkohë nga ana e tij, kryebashkiaku i Pogradecit mohon ta ketë dhunuar fizikisht përmbaruesin, teksa shprehet se ai nuk i ishte identifikuar paraprakisht. Sipas Kaprit, ky është përmbaruesi i dytë, i cili shkon në Pogradec lidhur me urdhrin e gjykatës për Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të këtij qyteti. E pavarësisht se gjykata ka urdhëruar pezullimin e vendimeve të marra prej tij, kryebashkiaku Kapri sqaron se, administrator i UKP-së vijon të jetë i emëruari i tij, Marsel Isallari.

Prej disa javësh, Ujësjellësi i Pogradecit është përfshirë nga debate të ashpra mes palëve. Ndërkaq, nga ana e policisë po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, teksa materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Pogradecit për dy veprat penale të mësipërme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here