MPB në gadishmëri /Qindra forca policore të instaluara në zonat e përmbysura

0
121

pppppppppppppppppppMinistria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha strukturat në varësi të saj kanë vijuar gjatë të gjithë natës dhe ditës së sotme, të ndjekin hap pas hapi situatën e krijuar nga reshjet e shumta në të gjithë vendin. Aktualisht po punohet në të gjitha qarqet, që kanë problematikë për shkak të kushteve të motit. Forcat e Policisë së Shtetit, FNSH e Shkodrës, Tiranës dhe Fierit, forca ushtarake, zjarrfikëset, punonjësit e OSHEE-së, punonjësit e bashkive dhe administratorët e zonave problematike po punojnë me të gjitha kapacitetet njerëzore, për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të bërë të mundur evakuimin e banorëve, atje ku do të shikohet e arsyeshme, për të mos rrezikuar asnjë jetë njerëzore.Në terren janë angazhuar veç FNSH-së dhe policive lokale, edhe forcat e armatosura me 124 trupa, 12 mjete transporti, 3 ekskavatorë, 1 fadromë dhe 3 varka. Deri në orë e vona të natës së mbrëmshme situata paraqitet e tillë:
QARKU TIRANË
Rruga “Shaban Bardhoshi” në Kombinat ka prani të madhe uji në oborre dhe në banesa. Në Lundër, tek Arkiva e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore, janë dërguar dy fadroma nga SHPFA, për të punuar për eliminimin e përmbytjeve.

QARKU LEZHË
Në fshatin Pllane, njësia administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, si pasojë e reshjeve janë evakuar 10 familje nga FNSH Shkodër dhe punonjësit e Policisë Lezhë. Janë duke u evakuuar dhe 4 familje të tjera. Rruga e Kombit, në sensin lëvizës Kukës-Rrëshen, është e bllokuar si shkak i rënies së inerteve. Lëvizja e automjeteve po kryhet me një sens kalimi dhe nën monitorimin e Policisë Rrugore. Në fshatin Fushë Kuqe, Bashkia Laç, është normalizuar situata për shkak të pushimit të reshjeve. Aktualisht ka prani uji vetëm në disa sipërfaqe toke bujqësore.

QARKU DURRËS
Në Fushë Krujë dhe fshatin Derven i Poshtëm, situata është drejt normalizimit. Prani uji ka vetëm në sipërfaqe të tokave bujqësore. Në  terren janë forcat e Policisë së Shtetit, administratori i zonës dhe punonjës të Bashkisë Fushë Krujë.

QARKU DIBËR
Rrezikohet argjinatura e lumit Drin në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bashkisë Bulqizë. Në vendngjarje janë forcat e Policisë së Shtetit. Pritet mbërritja e forcave ushtarake për të bërë të mundur punimet në argjinaturë dhe evakuimin e banorëve, nëse situata do të jetë kritike. Aktualisht lumi Drin është tejet i fryrë dhe rrezikon daljen nga shtrati. Në Fushë Bulqizë rrezikohen disa banesa nga fryrja e një përroi, i cili është fryrë nga reshjet e shumta që kanë rënë. Në vendngjarje po punojnë forcat e bashkisë dhe një mjet ekskavator, që po bën të mundur hapjen e kanaleve. Situata po shkon drejt normalitetit. Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit. Gjithashtu u kërkohet qytetarëve, që për të gjitha rastet e emergjencave të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit, apo në numrin 128 të Shërbimit Zjarrfikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency