Reforma në Drejtësi mes vizitës së Ollbrajt dhe modelit Dell

0
151

 

 

ilir-babaramoNga Ilir Babaramo

 

 

Fantazia e avokat Ngjelës kaloi çdo kufi kur krahasoi ambasadorin Lu me dy nga presidentët më të famshëm të Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht vullnetit të mirë për Reformën në Drejtësi të banorit aktual të Rrugës së Elbasanit, ai kurrë nuk mund të krahasohet me dy burrat e shtetit: Uillsonin dhe Klintonin, të cilëve shqiptarët nga të dyja anët e Drinit u detyrohen për ekzistencën e tyre si entitete të së drejtës ndërkombëtare.

Gjatë 25 viteve të fundit shqiptarët kanë parë shumë ambasadorë . Këtej pari kanë kaluar yje të diplomacisë amerikane si Kris Hill , të cilit ju besuan negociatat e vështira me Korenë e Veriut apo Xhejms Xhefri që pasi u largua nga Tirana u bë zëvëndësi i Kondolenca Rajs si zëvendëskëshilltar i Sigurisë Kombëtare, një nga dhjetë zyrtarët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara pjesëtar i War Room të Shtëpisë së Bardhë. Por ndërkohë kanë kaluar dhe ambasadorë që janë tashmë objekt barcoletash në trupin diplomatik , të cilët pasi janë larguar nga Tirana , Departamaneti i Shtetit i ka nxjerrë në pensionin të parakohshshëm. Një prej tyre është ai i fundit, i cili 24 orë pasi garda e republikës vrau me gjakftohtësi katër qytetarë të pafajshëm e konsideroi Berishën si burrë shteti dhe sikur të mos mjaftonte kjo pak muaj më pas u bë i padëshirueshëm dhe për vetë Berishën.

Në këto rrethana nuk duhet e marrë si e vërtetë hyjnore gjithcka që thotë ose bën një ambassador në Tiranë, ca më tepër ajo cupa nga Kroacia, ardhja e të cilës në Shqipëri është shoqëruar me shtimin e madh të firmave nga Zagrebi që marrin pjesë në tenderat publikë. Ajo që ka vlerë është se çfarë thonë Kerry apo Mogerini. Për vendet normale mesazhet diplomatike bëhen të qarta si në praktikimin e fesë dhe nëse vazhdojmë t’i qëndrojmë këtij krahasimi, praktika pa ndërmjetës, ajo protestante , është më saktë. Cdo rrugë tjetër mund të na çojë në shtigje të panjohura ose rrugë pa krye.

Aktualisht kryefjala e politikës shqiptare është reforma në drejtësi. Eshtë një kusht ‘sine qua non’ jo vetëm për normalizimin e gjithçkaje në Shqipëri por dhe për procesin e integrimit tonë euroatlantik. Dhe hapësira ku ne duam të hyjmë nuk bazohet mbi voluntarizëm individësh por mbi eskpertizë institucionesh. Nga të gjithë është pranuar se ekspertiza e duhur është ajo e Venecias.

Reforma është e domosdoshme për t’i dhënë fund korrupsionit endemik në drejtësi. Por shqiptarë të djegur nga qulli kërkojnë t’i fryjnë dhe kosit. Shkurt, kërkojnë transparencë ,rregulla të qarta loje që do pasojnë këtë reformë. Si do të zgjidhen gjyqtarët dhe prokurorët? Si do promovohet apo ndëshkohet puna e tyre ? Nëse drejtësia shqiptare aktualisht është e varur nga korrupsioni produkti I reformës nuk duhet të jetë ai i vënies së saj nën hyqmin e politikës apo ambasadorëve të rradhës. Shëmbujt janë të shumtë. Më i bujshi është ai i “duarve të pastra”, produkti final i të cilës ishte ardhja e një bufoni të korruptuar si Berluskoni në krye të shtetit Italian dhe qershia mbi tortë, prokurori di Pietro përfundoi si ministër i tenderave.

Procesi i Reformës në Drejtësi duhet të jetë i gjatë dhe i thellë duke ruajtur gjithë ekulibrat që bëjnë të funskionojë një shtet normal të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Nuk është bast personal i askujt, ca më tepër i një ambasadori, pavarëisht vullnetit të mirë të tij si përfaqësues i shtetit tek i cili shqiptarët bazojnë fatin e madh historik të jenë aleatë të fituesve të Luftës së ftohtë. Praktikën protestante e theksojnë shumë shëmbuj. Një prej tyre është ai i Kosovës, shtetit më proamerikan në botë. Por në Prishtinë, pak muaj pasi zgodhi si presidente të Kosovës ish truprojen e Rramushit , ambasadori Dell u largua nga shërbimi diplomatik dhe nisi punë tek Bektel Enka e cila përfitoi qindra milionë dollarë në një process të diskutueshëm për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Morinë.

Diçka e ngjashme ka ndodhur dhe në Tiranë , ambasadori i atëhershëm Limpreht loboi jashtëzakonisht fort që Albtelekom të blihej nga New World Telecom. Një ministër i atëhershëm kujtonte se qeveria shqiptare kishte vullnetin maksimal që ky transaksion të kryhej. Por kur panë letrat konstatuan se bosi I kësaj firme ishte një pakistanez me callmë që amerikane kishte vetëm pasaportën që kishte marrë rishtas. Për kapitale as që bëhej fjalë. Anullimi i kësaj kontrate u konsiderua si një prerje në besë e qeverisë shqiptare. Por disa javë më pas sekretarja e shtetit Ollbrajt erdhi për vizitë zyrtare në Tiranë. Mikja e madhe shqiptare , ndryshe nga ambasadori i kohës, e mbështeti qeverinë shqiptare në këtë vendim. Madje dosja e NWT u bë objekt hetimi në Uashigton.

E megjithatë reforma në drejtësi përbën një nyje gordiane. Nga mënyra si do zgjidhet përcaktohet kahu i zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Mbi të gjithë duhet të pastrojë klasën politike shqiptare, por jo të përdoret nga njëra palë si koburre me leje për të hequr qafe palën tjetër. Nëse do bëhet pa transparencë , produkti i saj do jetë një luftë bandash dhe jo një shtet i së drejtës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency