Legjionarët/UEFA vlerëson Canën, Hysaj cilësohet mbrojtësi më i mirë i krahut në Itali

0
178

 

 

cana-hysajNë faqen zyrtare të saj në vlerësimin që ka bërë për kapitenin, është shprehur se mbrojtësi nga Prishtina është një pikë e fortë për skuadrën e De Biasit

 

Mbrojtësi shkodran është shpallur si mbrojtësi më i mirë i krahut në Serinë A, duke marrë një vlerësim shumë të rëndësishëm dhe që shton vlerën e lojtarit

 

Francë 2016 është shumë afër dhe disa prej e legjionarëve po kalojnë një formë të mirë në vendet ku aktivizohen. UEFA vazhdon të prezantojë skuadrat dhe lojtarët pjesëmarrës në fazën finale të Euro 2016. Në faqen zyrtare të konfederatës evropiane të futbollit, një artikull i veçantë i është kushtuar kapitenit kuqezi, me titullin: Yjet e Euro 2016, Lorik Cana i Shqipërisë. Analiza i dedikohet plotësisht mbrojtësit 32-vjeçar, që cilësohet absolutisht lojtari më i rëndësishëm i Kombëtares, për kontributin në fushë, por edhe si lider në dhomat e zhveshjes. Cana vlerësohet si një lojtar që udhëheq skuadrën, një figurë që jep garanci për ekipin, por edhe një mbrojtës potent që di të jetë i frikshëm për rivalët. UEFA thekson se kuqeziu i lindur në Prishtinë është në rrugën për t’u bërë lojtari i parë në historinë e Kombëtares që mund të arrijë kuotën e 100 ndeshjeve me përfaqësuesen, ndërsa kujton karrierën e Lorikut, që ka luajtur në ligat më të forta kontinentale, nga Anglia e Italia, për të vijuar me Turqinë dhe Francën, ku numëron mbi 200 ndeshje dhe aktualisht mbron ngjyrat e Nantës. Cana është një pikë referimi në skuadrën e Gianni De Biasit dhe së bashku me portierin Etrit Berisha e mesfushorin Taulant Xhaka janë të vetmit që kanë luajtur në të 8-të ndeshjen kualifikuese të Shqipërisë. Me Kombëtaren që në qershor do të debutojë në Euro 2016 në Francë, eksperienca e Lorik Canës konsiderohet një ndihmë e madhe për ekipin, ndërsa rivalët nga Franca, Zvicra dhe Rumania e kanë të qartë se çfarë i pret përballë “luftëtarit” kuqezi.

 

Hysaj, mbrojtësi më i mirë në Serinë A

 

Elseid Hysaj përfshihet në Formacionin Ideal të Serisë A, duke u cilësuar mbrojtësi më i mirë i kampionatit elitar në Itali në mbylljen e vitit 2015. Verdikti është dhënë në sondazhin e zhvilluar nga Calciomercato.com, ku mbrojtësi i Napolit ishte në garë me Alessandro Florenzi-n e Romës që nga mesfushor është spostuar në mbrojtës, Bruno Perez të Torinos dhe me Sime Vrsaljko të Sassuolo-s. Me Serinë A që mbylli aktivitetin në kuadër të pauzës së ndërrimit të viteve, në Itali ka nisur bilanci për këtë pjesë të sezonit. E ndërsa skuadrat do të kthehen në fushë më 6 janar, janë të shumtë lojtarët që kanë shkëlqyer deri më tani. “Calciomercato.com” hapi sondazhin për Formacionin ideal të këtij fillim sezoni, duke përzgjedhur katër lojtarë për secilin rol, në skemën 4-2-3-1. Deri më tani janë përzgjedhur dy emra: Handanovic i Interit në portë që triumfoi përballë Donnarumma-s së Milanit, Reina-s së Napolit dhe Buffon të Juventusit. Votimi vazhdoi me mbrojtësin e djathtë, aty ku Elseid Hysaj fitoi në mënyrë të pakontestueshme. 21-vjeçari është vlerësuar për ecurinë fantastike te Napoli, ku është kthyer në një prej pikave të forta të skuadrës. Mbrojtësi kuqezi fitoi 42 për qind të votave, duke lënë pas vetës Florenzi-n e Romës me 33 për qind. Në vendin e tretë u rendit braziliani Bruno Peres i Torinos dhe i katërti kroati Vrsaljko i Sassuolos. Sondazhi vazhdon me përzgjedhjen e mbrojtësit të majtë, ndërsa deri në fund të vitit, do të zbulohet e plot “Top 11” me Elseid Hysaj që përfaqëson Shqipërinë në Serinë A.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency