Protesta e të rinjve të PD-së/Basha: Ligjin e arsimit të lartë e shfuqizojmë javën e parë në pushtet, në janar nis arresti qytetar

0
185

 

 

bashaPër të tretën herë opozita protestoi kundër qeverisë, peshën e tubimit e mbajtën të rinjtë: “Rama ik” për një Shqipëri më të mirë

 

Gëzim Saliu

 

Për të tretën herë brenda dhjetorit, opozita protestoi dje kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e saj dhe krijimin e një ekzekutivi teknik dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Por ndryshe nga protesta e datës 8 apo e 17 dhjetor, ditën e djeshme peshën kryesore të protestës e mbajtën të rinjtë demokratë, të cilët për tri orë me radhë qëndruan para Parlamentit, duke u mbështetur edhe nga qytetarët dhe deputetët e PD-së. Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, mbajti fjalën e hapjes së protestës, ku i bëri thirrje Kryeministrit Rama që të ikë nga qeveria, pasi, sipas tij, vetëm në këtë formë Shqipëria do të mund të jetë më e mirë. Po ashtu ai theksoi se të rinjtë do të jenë gjithmonë në sheshe dhe protesta derisa të largohet qeveria aktuale, e cila, si theksoi Këlliçi, ka sjellë vetëm varfëri e mjerim për shqiptarët. Po ashtu në podium morën fjalën shumë të rinj, të cilët vunë theksin në kundërshtinë ndaj ligjit të arsimit të lartë duke e cilësuar atë klientelist dhe kundër interesave të studentëve. Pjesë e fjalimeve në protestë ishin edhe deputetët Jorida Tabaku, Gerti Bogdani etj. Ndërkohë, u vu re se protesta nuk u shoqërua me goditjen me vezë apo perime, porse mjetet kryesore të tubimit të të rinjve ishin daullet, vuvuzelat si edhe tymëset me ngjyrë blu.

 

Basha

Rreth orës 11:30 minuta, protestës së të rinjve iu bashkua edhe kryedemokrati Basha, i cili shoqërohej nga koordinatorja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma. Basha përshkroi në këmbë rrugën nga selia blu deri tek Parlamenti, ku u përshëndet edhe nga kalimtarë të rastit dhe më pas iu bashku të rinjve që po protestonin. Në fjalën e tij, kreu i opozitës kërkoi nga qytetarët që të rezistojë në protesta deri në largimin e qeverisë, ndërsa theksoi se PD do ta shfuqizojë ligjin për arsimin e lartë që në javën e parë të marrjes së pushtetit. “Ju keni ngritur zërin dhe do ta ngrini zërin për padrejtësitë e mëdha që kjo qeveri i ka bërë rinisë, ligjin klientelist për arsimin e lartë. Keni pyetur se ku është përkrahja e Partisë Demokratike? Iu kam thënë dhe e përsëris: Partia Demokratike ka qenë dhe është kundër ligjit korruptiv, ligjit që mohon të drejtën e arsimit për më të pamundurit. Dhe sot dua para të rinjve demokrat t’u jap fjalën të gjithë të rinjve të Shqipërisë se ligji për arsimin e lartë do të shfuqizohet javën e parë të ardhjes tonë në pushtet e do të zëvendësohet me një ligj të ri që do të rrisë mundësitë dhe aksesin, do të bëjë të pamundur që fëmijët e të pamundurve të mos futen në shkollën e lartë. Rinia shqiptare meriton të arsimohet. Dhe me Partinë Demokratike do të arsimohet pa asnjë diskriminim dhe pa tarifa të larta”, – u shpreh ai. Pas kësaj deklarate të kreut të demokratëve nuk dihet nëse PD do të tërhiqet nga premtimi i mëparshëm, sipas të cilit do ta dërgonte ligjin për arsimin e lartë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, para protestuesve, Basha shpalosi dhe platformën qeverisëse, duke theksuar se rinia do të jetë në qendër të vendimmarrjes. Në këtë kontekst ai njoftoi 4 janarin si ditën kur pritet te rinisin protestat aktive, kundër korrupsionit të qeverisë. “Sot para Parlamentit u thatë shqiptarëve me zë të lartë arsyet se pse qeveria e Edi Ramës është “de facto” qeveria e rrëzuar, qeveria e sprapsur, qeveria e ndalur. janari i vitit të ardhshëm do të jetë janari i nisjes së aksionit më masiv antikorrupsion, aksionit më masiv politik dhe qytetar në këto 25 vite. Se me ligj dhe me frymën e ligjit, brenda institucioneve dhe jashtë institucioneve, me shpirtrat tanë të bashkuar, me duar, me këmbë, me thonj e me dhëmbë do t’i bëhemi barrierë korrupsionit dhe të korruptuarve, e do të vendosim së bashku një standard tjetër poshtë të cilit nuk mund të vendosë askush, socialistë apo demokratë, standardin e transparencës. ju ftoj që të gjithë bashkë të bëhemi pjesë e këtij aksioni të madh qytetar e politik. Korrupsioni nuk duhet vetëm të ndëshkohet nga ligji. Prej 1 janarit qytetarët shqiptarë do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë, në sheshe e kudo”, – u shpreh Basha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency