Dossier/Gratë shofere që thyen tabutë: Historia e Nadire Shahinit, instruktorja e parë femër për makina në Shqipëri

0
230

 

 

mtMark Brunga

 

Nadire Shahini (Gezhilli) është instruktorja e parë femër për shofere në Shqipëri dhe instruktorja që hapi kursin e parë privat pas ndërrimit të sistemit në vendin tonë.

Nadire Shahini është një personazh i veçantë. Ajo ka qenë shoferja e parë në Durrës që e ka kapur timonin e makinës në moshën 15-vjeçare, por edhe instruktorja e parë për trajnimin profesional të shoferëve si dhe të shofereve femra, të cilat si ajo kishin marrë përsipër që të thyenin konceptet mesjetare mbi aftësitë e femrës në vendin tonë. Një grua në timon në atë periudhë ishte një kuriozitet por jo një legjitimitet i saj. Edhe pas 30 viteve ajo vazhdon të jetë në timon. Dhe njihet nga të gjithë brezat. Shoferët e hershëm si dhe shoferët e rinj, pasi ajo është një instruktore e drejtimit të makinave me mjaft përvojë.

 

nNë timon që nga viti 1975

Shoferja Nadire Shahini është në timonin e makinës që nga viti 1975 i shekullit të kaluar. Mbi 40 vite në timon. Dhe është gjithashtu edhe instruktorja e parë femër në historinë e shkollës së komunikacionit shqiptar që ka përgatitur shoferë që në ato vite dhe vazhdon edhe sot të nxjerrë shoferë e shofere, për të cilët krenohet se nuk kanë pasur aksidente me pasoja deri tani. Ajo kur mbaroi shkollën e komunikacionit ishte mjaft e re, por duke parë pasionin që kishte për këtë profesion që e kishte ëndërruar që në vitet e fëmijërisë dhe rezultatet në mësime, e emëruan instruktore të përgatitjes së shoferëve të rinj në Durrës. Që nga ajo periudhe ajo shprehet se numri i shoferëve të dalë nga mësimdhënia praktike dhe teorike në timon i ka kaluar mbi 30 mijë. Sipas sajë, qyteti i Durrësit është në pararojë të vajzave që duan të bëhen shofere dhe rreth gjysma e tyre në këtë qytet janë pajisur me patenta pas trajnimit praktik që u ka bërë ajo. Koha ka evoluar mjaft. Dikur në shkollën e komunikacionit shoferët i përgatisnin me mjete “Zis” që ishin kamionë 8 tonësh, ndërsa tashmë ajo i përgatit kursantët në praktikën mësimore me mjet “Mercedes-Benz”, të cilin në atë periudhe kushdo mund ta quante thjeshtë një ëndërr utopike. Nadirja kujton kur shkoi, një vajzë e brishtë, në shkollën e komunikacionit së bashku me rreth 64 vajza të reja të tjera nga i gjithë vendi. Në atë kohë kjo ishte një thyerje e madhe konceptesh pasi ishte një mundësi e pamundur deri në imagjinatë që të mendoheshin femrat shofere. Unë jo vetëm që u bëra shofere, por pas pak kohe në timon u bëra edhe instruktorja e parë në Shqipëri e shofereve të reja që nxori më vonë Shkolla e Komunikacionit në Durrës. Më kujtohet se si në vitin 1975, kur udhëtonim në të gjithë Shqipërinë, na shikonin shtrembër, kishin opinione të keqija për femrën në timon. Qëllonte që edhe na ofendonin.

 

Vajza e brishtë në kujtimet e instruktorit Selim Zeqja

Instruktori Selim Zeqja kujton për të që ishte si një nga shoferet e reja të perspektivës, më të përkushtuara në mësimet teorike dhe praktike të atij viti 1973. E kishte marrë profesionin me pasion dhe vullnet. Më kujtohet se si Nadirja ra në sy për përvetësimin e programit mësimor në mënyrë të shkëlqyer. Kur ajo dha provimin para komisionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që kishte kompetencat e dhënies së patentave në atë periudhë, ajo doli një nga nxënëset më të mira shofere që e meritoi patentën, kundrejt të gjitha kërkesave shume strikte që kërkoheshin atëherë. Përveçse shofere e mirë ajo mori edhe kategorinë e V-të si mekanike. Ishte aftësuar për të njohur defektin por edhe mundësisht për ta riparuar atë në rrugë, kurdo që mund ti ndodhte. Ajo kishte arritur që të eliminonte mbi 70% të defekteve të tilla. Edhe kur u përzgjodh instruktore për shoferet e reja që erdhën më vonë në shkollën tonë, ajo u tregua një instruktore mjaft e aftë që e kishte përvetësuar shkëlqyeshëm të gjithë përvojën që kishim përçuar ne tek ajo, por edhe vazhdonte që të konsultohej dhe të studionte. Ne si instruktorë u gëzuam që kjo nxënëse bëri që jo vetëm puna jonë të mos shkonte kot, por e kishte rritur kërkesën dhe na kishte nderuar si ekip instruktorësh. Ajo pati meritë sepse theu koncepte, jo vetëm si specialiste mekanike por edhe si shofere pasi në atë kohë opinioni për vajzat shofere ishte negativ. Ne kemi nxjerre me mijëra shofere vajza dhe djem në atë kohë, dhe vajzat treguan se nuk kishin ndryshim, përkundrazi ishin më të vëmendshme dhe korrekte me rregulloret e qarkullimit”.

 

Jeta plot peripeci në një familje me 11 fëmijë

Nadirja çdo dite për 4 dekada me radhë ka qenë në timon. Dhe për historiografinë e shkollës së komunikacionit të vendit tonë mbetet si instruktorja e parë femër për kurse trajnimi shoferësh, me kontribut 40-vjeçar. Ajo krenohet se deri më sot, asnjë nga kursantët e sajë nuk ka pasur aksidente serioze në timon. Por lind pyetje, si erdhi deri këtu dhe nga ku u nis. Pika zero e Nadires ishte familja me shumë frymë ku kishte lindur në rrethinat e qytetit të Shijakut. Ajo kujton se ishin 11 fëmijë, 6 vajza dhe 5 djem. Nga ata tani vetëm Nadirja jeton… Në vitet `40 reforma agrare u kishte marrë rreth 60 dynym tokë bujqësore mjaft pjellore. Fukarallëkun e një familjeje me 11 gojë për tu ushqyer e kishte rënduar edhe ndarja nga jeta e babait të tyre. Mbi shpatullat e brishta të saj kishte jo vetëm ëndrrat e moshës, por edhe hallet e një familjeje të madhe. Nga që i duhej të punonte, edhe në klasën e 7-të të sistemit 8 vjeçar e mbarova me sistem korrespondencë, thotë ajo. Më pas më ofruan, kujton Nadirja për të shkuar në shkollën 2 vjeçare të komunikacionit, ku do të hapej kursi për shoferet e para vajza në vendin tonë. Ishte e vështirë për atë periudhë por nuk tërhiqesha dot se mbi kurriz kisha hallet e familjes. Edhe pasi mbaruam shkollën vështirësitë ishin të shumta. Fillova punë në një ndërmarrje tregtare dhe për llogari të saj, rrugën e parë e kam bërë në fshatin Zvezdë të Korçës. Rrugës pata shume defekte. Kisha një “Gaz 51”-sh. Një herë me ra goma. Më pas pata humbje në sistemin e ushqimit. Ishte një rrugë që nuk mund ta harroj, plot peripeci. Kur u ktheva pas mesnate, nëna po me priste te Ura e Shijakut. Atje banoja. Ashtu siç nuk mund të harroj, thotë ajo, edhe rrugëtimin e parë në kurs me një “Zis” të madh për në rrugën e Dajtit. Isha e vogël dhe humbisja në kabinë. Timoni më mbulonte fytyrën dhe kam pasur shumë frikë. Por frika më bënte më të vëmendshme sepse më dukej sikur po më përpinin humnerat… Këto ishin gjurmët e para të saj që duket nuk mund ti harrojë kurrë. Më pas Nadirja u bë vetë instruktore për shoferët në këtë shkollë dhe ndoqi mësimet në shkollën mekanike dhe më pas, arsimin e larte pedagogjik… Kur bisedon me të ajo nuk resht së ndjekuri ide të reja novatore. Madje të guximshme. Sikur të më kompensonin, thotë, për tokën që na morën me reformën agrare pas çlirimit, do të krijoja një hipodrom të madh jo vetëm për durrsakët… Me këtë ëndërr e mbyll rrëfimin Nadirja, instruktorja e parë femër për makinat në Shqipëri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency