Tre padi në Arbitrazh nga Becchetti, i kërkon 400 milionë euro Shqipërisë

0
204

 

 

 

4Italiani Francesco Becchetti, njëherazi një nga pronarët e televizionit Agon Channel padit Shqipërinë në Arbitrazh me tre procese të ndryshme.

ABC News ka mësuar se avokatët e Becchetti kanë paditur Shqipërinë në tre procese të ndryshme në Arbitrazh me seli në Vjenë dhe Parisë, duke kërkuar nga shteti shqiptar të paguajë në formën e dëmshpërblimit shumën prej 400 milionë euro.

Burimet thonë se procesi i parë, që Becheti ka hapur kundër Shqipërisë ka të bëjë me prishjen e marrëveshjes me qeverinë shqiptare në vitin 2003 që lidhet me importin e plehrave nga Italia në Shqipëri. Me anë të këtij procesi, Becchetti pretendon se prishja e marrëveshjes nga qeveria shqiptare i ka sjell atij një dëm prej 150 milionë euro. Po këtë shumë, ai kërkon që ta fitojë me anë të Gjykatës së Arbitrazhit, ku kërkon që shteti shqiptar t’i paguajë atij në formën e dëmshpërblimit.

Procesi tjetër që Becheti ka hapur ndaj Shqipërisë, është për mospagimin e TVSH-së për vititn 2012 nga shteti shqiptar për faturat tatimore të punëve që kompanitë e tij pretendojnë se i kanë kryer në ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Sipas kësaj padie, kompania e Becchettit pretendon se nga mospagimi i TVSH –së nga shteti shqiptar, kompanisë së tij i është shkaktuar një dëm prej 100 milionë euro. Dëm të cilin kërkon që Gjykata e Arbitrazhit të urdhërojë qeverinë shqiptare t’ia paguajë. Por, arsyeja e mospagesës, sipas tatimeve, ka qenë fakti se kompanitë e Becchettit kanë fryrë fiktivisht faturat e investimit për të përfituar rimbursim nga TVSH-ja, vepër për të cilën është dërguar edhe në gjyq si i pandehur.

Procesi i tretë që Becchetti ka hapur ndaj Shqipërisë, është për sekuestrimin e kompanive të tij dhe lëshimin e urdhër arrestit ndëkombëtar. Sipas kësaj padie, ai pretendon se për pengimin që i kanë bërë autoritetet e drejtësisë me nisjen e hetimit, bllokimin e bizneseve dhe urdhër arrestin e lëshuar ndaj tij i kanë sjellë një dëm prej 150 milionë euro. Dëm që ai kërkon t’ia paguajë shteti shqiptar me vendim të Gjykatës së Arbitrazhit.

Të tre këto proceset janë në zhvillim e sipër, ku palët kanë paraqitur me shkrim pretendimet e tyre dhe pritet administrimi i provave dhe më pas dëgjimi i palëve që Gjykata të vendosë mbi këto kërkesë padi.

Francesco Becchetti akuzohet për disa vepra penale në Shqipëri, me arsyetimin se me anë të mashtrimit ka arritur të përfitojë rreth 40 milionë euro. Një pjesë të kësaj shume e ka investuar në Shqipëri dhe për këtë fakt akuzohet edhe për pastrimin e parave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency