Mbipopullimi i burgjeve/Ambasadori Cannon: Në vend të kriminelëve burgjet mbushen me vjedhës të energjisë

0
148

ca

 

Raunig: Mbipopullimi në burgje, për faj të gjykatave që shtyjnë vendimet

 

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve realizuan një studim për mbipopullimin në burgje dhe paraburgime, i cili u prezantua ditën e djeshme në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë. Të pranishëm ishin ministri Ylli Manjani, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, ambasadori i OSBE Florian Raunig dhe ambasadori Britanik Nicholas Cannon. Gjithashtu, ishin ftuar në tryezën e diskutimit përfaqësues të institucioneve shtetërore, gjyqësorit, organizatave të shoqërisë civile dhe botës akademike, për të ndarë mendime mbi angazhimin për ndërmarrjen e masave të mëtejshme institucionale për zhvillimin e reformës në sistemin penitenciar në drejtim të uljes së mbipopullimit. Jo në burg për çdo krim, ky ishte apeli që bëri ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë Nicholas Cannon. Ai tha se nuk duhet aplikuar masa ekstreme e arrestit me burg, për vjedhësit në supermarket apo vjedhjet e energjisë elektrike. Duke shtuar se në burgje ndodhen shumë persona për krime të lehta. Edhe ambasadori i OSBE-se në Tirane Florian Raining, ngriti shqetësimin e mbipopullimit në burgje, duke i bërë përgjegjëse për këtë situatë gjykatat. Rauning tha se vonesat në dhënien e vendimt të formës së prere dhe mos përdorimi i dënimeve alternative kanë shkaktuar këtë situate në burgje. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, pranoi se burgjet janë të mbipopulluara dhe për këtë fakt ka marrë iniciativën e një amnistie të përgjithshme. Sipas tij, për një zgjidhje afatgjatë duhet hequr dorë nga interesat e momentit. Ylli Manjani u bëri thirrje Gjykatave në Shqipëri të aplikojnë sa më shumë dënimet alternative, ku për rastet e veprave të lehta penale të aplikojnë shërbimin e provës, që të ndikojë në uljen e mbipopullimit në burgje.

 

Ministri i Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij studimi dhe sidomos të rekomandimeve të tij, që evokojnë për përdorim më të gjerë të masave alternative të dënimit, që do të ndikonin drejtpërdrejtë në menaxhimin më të mirë të mbipopullimit në sistemin e burgjeve. Ai u shpreh se kjo çështje ka përbërë thelbin e punës dhe shqetësimit të tij që nga marrja e mandatit në krye të dikasterit më të lartë të drejtësisë në vend. “Masa e parë që propozova ishte ndërmarrja e një amnistie, kjo jo për të zgjidhur çështjen e mbipopullimit, sepse nuk ishte kjo tema kryesore. Tema kryesore e amnistisë është trajtimi njerëzor. Njerëzit nuk duhet të trajtohen si statistika dhe kjo është pikëpamja, nga e cila unë nuk heq dorë. Sigurisht që pasoja e ligjit të amnistisë ka të bëjë edhe me zgjidhjen e mbipopullimit, por kjo është një masë e përkohshme. Politika penale duhet të këtë parimet dhe rregullat e veta. Ajo duhet të udhëhiqet nga interesi i zbatimit të ligjit. Natyrisht, duhet ta pranojmë edhe që na ka dhënë efekt njëfarë shtrëngimi i çastit, por nuk është afatgjatë. Nga kjo pikëpamje, ne jemi mbështetës të politikës penale, që harmonizohet sa më shumë të jetë e mundur në interes të ligjit dhe në interes të parandalimit. Si Ministër i Drejtësisë kam ndërmend që së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm të hartojmë një politikë penale strikte, të bazuar në interes të ligjit dhe jo në interesa të çastit”, – theksoi ministri Manjani.

 

Kryetari i Prezencës së OSBE-së

Në fjalën e tij, ambasadori Florian Raunig, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, kujtoi se me qëllim që reforma në drejtësi të jetë e efektshme, duhet që ajo të jetë gjithëpërfshirëse, gjë që, sipas tij, nënkupton jo vetëm reformim të ligjeve dhe strukturave, por edhe realizim masash që rrisin besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. “Vonesat në dhënien e vendimeve të formës së prerë ndikojnë ndjeshëm tek numri i personave në paraburgim dhe, për pasojë, tek numri i përgjithshëm i personave të privuar nga liria. Gjithashtu, paraburgimi mund të ketë ndikim shkatërrimtar tek përfshirja sociale e të pandehurit dhe tek aftësia e tij për t’u përgatitur për gjyqin. Përveç kësaj, prirja ndëshkuese e drejtësisë penale kanë kontribuuar te shtimi i popullsisë në burgje dhe te mbipopullimi në ambientet e burgjeve. Masat që kanë për qëllim uljen e mbipopullimit në burgje duhet të jenë pjesë e një politike penale koherente dhe racionale, e cila synon parandalimin e krimit dhe sjelljeve kriminale; efektivitetin e ligjzbatimit, sigurisë dhe mbrojtjes publike; përshtatjen e masave dhe sanksioneve sipas rrethanave të individit, si dhe ri-integrimin social të autorëve të veprave penale. Masa të tilla duhet të mbështeten nga liderët politikë dhe administrativë, nga gjyqtarët, prokurorët dhe nga publiku i gjerë”, – u shpreh ambasadori Raunig.

 

Ambasadori britanik

Ndërsa ambasadori britanik, z. Nicholas Cannon, shprehu në fjalën e tij konsiderata për dokumentin studimor që prezantohej nga OSBE, i cili, sipas tij, është një kontribut me vlerë që i shtohet diskutimit për të ardhmen e sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri. Ky hulumtim, tha ai, synon të sjellë përmirësimin e sistemit penitenciar sipas mendimeve dhe modelit më të avancuar në Evropë e më gjerë. “Gjykatat shqiptare kanë në dispozicion një larmishmëri dënimesh alternative, por ato përdoren shumë rrallë. Ndërkohë, masat e dënimit vazhdojnë të mbeten ekskluzivisht dënime me burgim, dënime të natyrës ndëshkuese dhe të zgjatura në kohë. Është shqetësues fakti që edhe veprat me rrezikshmëri më të ulët dënohen gjithashtu me burgim. Këta individë mund të ndodhë që të pësojnë një nivel më të lartë kriminalizimi. Me rëndësi është fakti se raporti në vija të përgjithshme ofron një ristrukturim të sistemit penitenciar duke përfshirë krijimin e ‘Burgjeve të Hapura’ dhe ‘Qendrave në Shërbim të Komunitetit’. Këto ndryshime të sistemit penitenciar janë sugjeruar si pjesë e një projekti binjakëzimi të financuar nga Bashkimi Europian dhe të drejtuar nga Britania e Madhe. Projekti pritet të fillojë javët në vijim. Burgjet e hapura do të lejojnë sistemin penitenciar që të akomodojë me kosto më të ulët individë që paraqesin rrezikshmëri më të ulët, si dhe në të njëjtën kohë t’i përgatisin ata për një rikthim më të vlefshëm në shoqëri. Më tej raporti komenton mbi faktin se popullimi i burgjeve është rritur artificialisht për shkak të numrit të personave me shqetësime/paaftësi mendore, persona këta të cilët nuk duhet të qëndrojnë në burg. Në parim, personat me shqetësime mendore duhet të trajtohen në rrugë mjekësore në vend që të jenë pjesë e sistemit të Drejtësisë Penale”, – theksoi ndër të tjera ambasadori Cannon.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency