Shorti Euro 2016/Shqipëria mëson sot kundërshtarët

0
143

ff

 

Kuqezinjtë ndodhen në vazon e katërt dhe pritet që dy skuadrat e para të jenë emra të mëdhenj të futbollit evropian

 

 

Të shtunën, në orën 18:00, do të hidhet shorti për Euro 2016, që do të fillojë më 10 qershori në Francë. Kampionati Evropian do të marrë formë në Paris. Një formulë e gjitha e re drejt finales së 10 korrikut në “Stade de France” të kryeqytetit francez. Në fakt, në këtë edicion është kaluar nga formula me 16 skuadra me 24 vende pjesëmarrëse, me fituesen e turneut që fiton të drejtën të marrë pjesë në Kupën e Konfederatave. Shorti me 23 përfaqësueset e kualifikuara, të cilave u shtohet edhe Franca si vend organizator, do të funksionojë me ndarjen në katër vazo, në bazë të koeficientit të UEFA-s. Prej aty do të formohen gjashtë grupet me nga katër skuadra. Franca pozicionohet automatikisht në grupin A, ndërsa pesë skuadrat e tjera që cilësohen koka serie janë Spanja kampione në fuqi, Gjermania kampione e botës, Anglia e vetmja që i fitoi të gjitha ndeshjet kualifikuese, Portugalia e Cristiano Ronaldos dhe Belgjika, kryesuese në renditjen e FIFA-s. Në short këto pesë skuadra do të shpërndahen nga grupi B deri në F. Me të njëjtin mekanizëm do të përcaktohen edhe grupet e skuadrave që ndodhen në vazon e katërt, ku debutues të tjerë historikë, përveç Shqipërisë, janë edhe Uellsi, Irlanda e Veriut, Islanda dhe Sllovakia. Në këtë vazo janë edhe Turqia dhe Republika e Irlandës. Më pas, gjatë shortit do të përcaktohen grupet e skuadrave të vazos së tretë, të cilat janë Republika Çeke, Suedia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Hungaria. Të fundit që do të hidhen në short janë skuadrat e vazos së dytë, ku kundërshtari më i rrezikshëm është Italia, por rivalët e tjerë janë me peshë në kontinent: nisur nga Rusia dhe Zvicra, për të vijuar me Austrinë, Kroacinë dhe Ukrainën. Me gjithë rritjen e numrit të finalisteve në Evropian, jashtë turneut janë emra si Holanda, Bosnja dhe Danimarka, e eliminuar nga kuqezinjtë e De Biasit. Zgjerimi në Euro 2016 bën që përveç dy të parave në grupe të kualifikohen edhe katër të tretat më të mira. Kjo bën që kalimi i grupeve të duket më i arritshëm, me të gjitha skuadrat “big” që kanë shanse të mira të jenë në fazën e 1/8-ave të turneut.

 

Delegacioni niset drejt Parisit

 

Delegacioni shqiptar është nisur drejt Francës për shortin e Euro 2016-ës, që do të hidhet në Pallatin e Kongreseve në Paris. Gjashtë funksionarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilëve u shtohet edhe trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi, do të jenë të pranishëm në momentin kur do të mësohen emrat e rivalëve të Shqipërisë në evenimentin më të rëndësishëm kontinental. Delegacioni kryesohet nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili shoqërohet nga sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zv.sekretari Çela dhe menaxheri i ekipit përfaqësues, Alban Bushi. Në Paris ata do të bashkohen me drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë, Denis Bastari, dhe drejtorin e Marrëdhënieve me Publikun, Xhankarlo Padovan, të cilët kanë marrë pjesë edhe në seminarin e organizuar nga UEFA. Për faqen zyrtare të FSHF-së, presidenti Duka është shprehur se të shtunën “me njohjen e rivalëve në Euro 2016, Shqipëria do të hyjë zyrtarisht në fazën finale të turneut”. Për sa i takon faktit se cilët kundërshtarë shpreson të evitojë apo skuadrat që mund të jenë më të lehtat për t’u përballur, zoti Duka tha se “nuk bëhet fjalë për preferenca, pasi të gjitha skuadrat finaliste janë të forta dhe e kanë merituar të jenë në Euro 2016”. Përpara shortit në Paris, drejtuesi më i lart i futbollit shqiptar theksoi edhe një herë deklaratat se kombëtarja shqiptare nuk do të shkojë për pushime në Francë, por do të provojë të zhvillojë Evropianin e saj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency