Dosier/Si e kopjuan automatikun e Xhevdet Mustafës në kombinatin ushtarak të Poliçanit

0
476

 

 

Riza Manceautomatiku P-84

Riza Mançe rrëfen historinë e jashtëzakonshme të kopjimit të një arme të sofistikuar

 

Mark Brunga

 

Kohë më parë, në një nga ditët e nxehta të gushtit, në plazhin e Durrësit, rastësisht takuam një personazh interesant, për të cilin miqtë e tij më treguan se ka qenë një nga specialistët që ka prodhuar “me duart e tij” pjesët dhe pajisjet e prodhimit të një automatiku të veçantë, automatikut që iu zu në pajisjet e veta Xhevdet Mustafës. Sedra e gazetarit nuk mund të më linte pa kërkuar të dija diçka më shumë nga të veçantat e këtij prodhimi, aq shumë të përfolur. Ishte një tip automatiku me të cilin në vitin 1997, ishin të pajisur disa nga ushtarakët e repartit 326 në Plepa të qytetit të Durrësit. Një kameriere, pas rënies së shtetit, kishte mbetur e habitur, pasi një nga efektivët e këtij reparti ia kishte lënë një automatik të tillë në tavolinë, që ta mbante për ditët e trazirave që priteshin. Një armë mes automatikut dhe pistoletës, me një tytë të dopjuar, tytë brenda tytës, që me sa duket, shërbenin edhe si silenciator, për eliminimin e zhurmave gjatë qitjes. Një armë të tillë do ta shihnim edhe në Memaliaj gjatë trazirave, kur një nga djemtë e maskuar ia la një miku të tij, shofer taksie, me të cilën udhëtonim, si pasaportë, që t’ua tregonim të tjerëve deri në Fier, që të mos na shqetësonin, se ishte miku i tij. Ishin ditë të rënda, por edhe paradokset ishin të shumta. Ishte rasti i parë që një armë kishte vlerën e një pasaporte për t’iu shmangur kontrollit të bandave. Nuk e kisha menduar kurrë se edhe arma mund të shërbente si pasaportë… dhe pas kaq vitesh kisha në një tavolinë në bregdet, në plazhin e Durrësit, një nga personat që e kishin prodhuar këtë armë me shumë legjenda…

 

Rrëfimi i Riza Mançes

Riza Mançe ka qenë për një periudhë kohe specialist i industrisë mekanike të prodhimit të municioneve dhe armëve në Kombinatin Metalurgjik të Poliçanit. Ai ka qenë pjesëmarrës në grupin e punës për të realizuar prodhimin e automatikut të Xhevdet Mustafës, automatik i cili u vu në linjë prodhimi në seri dhe që u shit më pas në tregjet e vendeve të ndryshme të botës me qëllim grumbullimin e valutës, aq të nevojshme në kushtet e atëhershme të vendit. Për këtë histori pak të ndriçuar deri tani, Rizai thotë se dihet nga të gjithë dhe flitet në shumë versione ardhja e Xhevdet Mustafës në Shqipëri. Për mua, thekson ai, ishte e gjitha një lojë e Sigurimit të Shtetit. Pas vrasjes së tij, në arsenalin e armatimit që kishte me vete iu kap edhe një armë e prodhimit të veçantë. Armë e cila zgjoi interes tek drejtuesit e Ministrisë Brendshme. Ajo ishte një armë e terrorit në masë. Me një temp luftarak qitjeje mjaft të lartë. Prej të cilës dilte një zjarr i fuqishëm dhe në pak sekonda realizonte 80 qitje. Armë këto që kryesisht përdoren për vrasje. Kishte dhe dimensione të volitshme. Rreth 40 cm gjatësi dhe një peshë prej 2.8 kg. Rizai kujton se si fillim kjo armë iu kërkua për ta prodhuar Uzinës Ushtarake të Mjekësit, si uzinë e kësaj natyre prodhimi. Ai tregon se duke qenë se aty nuk u arrit të realizohej ky prodhim dhe pasi disa nismave të ISP 6 nuk arritën të realizonin pas disa tratativave mundësinë e kooperimit të disa pjesëve me jashtë, atëherë na u kërkua ne që ta prodhonim me doemos. Kjo ecejake ka zgjatur rreth 3 vite dhe rreth vitit 1984 kjo i u kërkua Kombinatit të Prodhimeve Ushtarake të Poliçanit. Specialistët të gjendur në një pozitë mes kudhrës dhe çekanit, por edhe sedrës profesionale të fortë që kishin punuan natë e ditë dhe pas 3 muajve, arritën që të realizonin të gjithë rrugën teknologjike të realizimit të kësaj arme të vogël e mjaft praktike në luftën guerile. Ose si armë terrori për shkak të fuqisë së përqendruar të zjarrit dhe vogëlsisë së sajë që e bënte të lehtë mënyrën e fshehjes qoftë edhe poshtë xhaketës. Pas eksperimentimit të suksesshëm u prodhua dhe seria e parë prej 800 copash në një muaj. Ky prodhim i veçantë, me këtë ritëm ka vijuar që nga viti 1987 deri në vitin 1991. Për sasinë e përgjithshme të prodhimit të kësaj arme ai nuk disponon ndonjë statistikë, pasi nga pozicioni i punës së tij nuk mund të matej dhe të llogaritej në shifra ekzakte ky prodhim që përbëhej nga një sasi e madhe automatikësh. Rizai na tregon se në atë periudhë, ai ka qenë përgjegjës i grupit të projektimit të kësaj arme. Për të realizuar prodhimin u krijuan nga ekipi i specialistëve rreth 40 makineri e pajisje të cilat mundësuan prodhimin në seri të automatikut të Xhevdet Mustafës. Po edhe se u punësuan për këtë linjë prodhimi rreth 70 persona e më shumë. “ Automatikun kampion, të cilin ma dhanë në dorë mua, e kemi pasur pa asnjë lloj mbishkrimi në metal siç ndodh zakonisht me armët”, – i jep fund bisedës Riza Mançe.

 

Jeta e specialistit Mançe

Riza Mançe ka lindur në Skrapar në vitin 1951. Ai zotëronte dy profesione. Ka qenë një mekanik i kualifikimit të lartë si dhe elektricist, përveç profesioneve të tjera sekondare. Ka filluar punë në kombinatin e Poliçanit më 1 prill 1966, në moshën 15-vjeçare, thuajse fëmijë. Pas kualifikimit në shkollat mekanike të Poliçanit dhe Kuçovës, ai ka punuar vazhdimisht për rritjen e tij tekniko-profesionale. Ai ka qenë një specialist, sipas bashkëpunëtorëve të tij, që u rrit së bashku me kombinatin. Pasi ka fituar besimin për aftësitë e tija teknike, ai për një periudhë të gjatë ka punuar si përgjegjës i Bazës Eksperimentale të Poliçanit. Ai tregon se ka filluar punë thuajse njëherësh me kombinatin, i cili fillimisht, sipas tij, kishte teknologji të vjetër, pasi makineritë ishin hequr nga prodhimi në Kinë kur qenë zëvendësuar atje me teknologji te re. Ai kujton se shumë prej makinerive të ardhura, pasi u ra boja nga përdorimi u kuptuan se ishin të vjetruara. Megjithatë, kujton ai specialistët tanë dhe ata kinezë kanë bërë një punë të madhe vetëmohuese. Në fillim u prodhuan 2 tipa fishekësh për armë në përdorim të ushtrisë sonë. Më pas nisi prodhimi i 2 tipa granatash ofensive dhe defensive si dhe 2 tipa predhash mortaje 60 dhe 82 m/m. Në arritjet e standardeve të larta të prodhimit në vitet e mëpasshme në Kombinat Rizai thotë se nuk mund të lihet pa u përmendur kontributi i gjithë atyre burrave që erdhën nga qytetet e mëdha me dhe pa familjet e tyre në mes të një qyteze malore dhe një pjesë e tyre e mbyllën jetën aty. Nga këta specialistë ai veçon Foto Xanin, Hiqmet Likën, Niko Ropin, Andon Gjikën, Mihallaq Pilurin, Lluka Petromilon, Selim Çelën, Gëzim Conen, Gëzim Hysin, Robert Brankon, Agim Salën.

 

Prodhimi i armës misterioze

Sipas kujtimeve të Rizait, arma është marrë nga ISP 6 për ta prodhuar, pas disa dështimeve të disa uzinave realisht mjaft të kualifikuara. Ai thotë se ky prodhim flitej se ishte detyrë që Ramiz Alia i kishte dhënë Ilir Hoxhës që në atë periudhë drejtonte këtë institut. Prodhimi i kësaj arme ishte mjaft i veçantë edhe për teknologjinë që dispononte Shqipëria, pasi ndryshonte nga armët e tjera. Pas tratativave të bëra në Mjekës, Uzinën e Instrumenteve te Precizionit në Korçë e madje deri në Suedi për ta prodhuar edhe me kooperim, përfundimisht iu la si detyrë Kombinatit të Armatimit e Municionit në Poliçan. Ai thotë: “Ky prodhim mu besua mua, pas kontakteve që pata me drejtorin e Kombinatit Gëzim Cane. Ai kishte një besim të veçantë dhe ma kërkoi këtë detyre vendosmërisht. E mora armën në repart dhe e njoha me detaje. Bëmë skicimin e detaleve të saj dhe për çdo detal u përcaktua rruga teknologjike me atrecaturën e nevojshme. U përcaktuan postet e punës dhe makineritë që do të merreshin me prodhimin e pjesëve. Ekipi u kompletua dhe pas 3 muajsh nisi prodhimi i automatikut të parë P-84. Krahas tyre u prodhuan edhe fishekët për të, duke kopjuar fishekët që i u gjetën në kompletin luftarak Xhevdet Mustafës”.

Për prodhimin e fishekëve punonjës të tjerë janë shprehur se ata ishin 7.9 mm të modelit USA dhe që qenë futur në linjë në disa reparteve të cilët për 2 vite kanë prodhuar rreth 6 milionë fishekë të këtij kalibri, në muaj. Gëzhojat i prodhonte Reparti 102, P-1 dhe P-3, kurse kapsollat prodhoheshin në Repartet 65-D, 509, 510 e 511. Në të gjithë kapsollat e bronzët të automatikut P-84, ishte i stampuar shifra 511/1.

 

Vështirësitë

Një nga vështirësitë më të mëdha, sipas Mançes, në këtë prodhim të veçantë ka qenë realizimi i shulit si dhe i karkasës së automatikut. Që ishin dhe dy detalet kryesore. Duke qenë prodhim i veçantë ishte konceptuar që karkasa të mbante jo vetëm tytën por edhe të gjitha mekanizmat e tjera përbërës të armës. Ishte karkasë e mbingarkuar për arsye të përmasave të vogla që kishte. Një vështirësi tjetër ishte eliminimi i zhurmave gjatë qitjes. Por gjithçka u arrit të kapërcehej, thotë Mançe, falë ndihmës së veçantë të inxhinier Sotir Koçi si dhe specialistëve Petrit Kapxhiu, Bashkim Cinu dhe shumë të tjerëve. Pas realizimit të prodhimit në seri, prej 800 copash, Rizai thotë se nga ministria u caktua si normë prodhimi, sasia prej 1000 copëve çdo muaj, prodhim ky që ka vijuar me të njëjtin ritëm që nga viti 1987 deri në vitin 1991.

 

Tregtimi i armës

Sipas një shkrimi të Halit Tafës, i cili është bërë duke iu referuar kujtimeve të një specialisti tjetër të këtij kombinati, K. Hoxha, kjo lloj arme është trafikuar deri vonë. Ka të dhëna se dyshohet se nga ky trafik, sipas punonjësve të Poliçanit, automatiku P-84 është trafikuar në Togo, Kinsasha, Zambia, Namibi, Algjeri etj. Një nga punonjësit, K. Hoxha, ka thënë në një gazetë se për këtë trafik se ai ka mundësi të jetë kryer së paku deri në vitin 1993, pasi u është referuar pamjeve të një kronike televizive të vitit 1993, kur në një anije sllovene, mes arkave të municioneve të kapura në detin Adriatik, arkat e municioneve kishin edhe inicialet e kombinatit të Poliçanit. Sipas Hoxhës, në anije kishte edhe automatikë P-84, sepse, sipas tij, arkat shkruanin “P-84” dhe numrin ”3” që është numri i Uzinës dhe vitin e prodhimit 1986.

 

Kombinati i Poliçanit

Është ende një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim që të përmbushte kërkesat për armatim të Forcave të Armatosura Shqiptare. Në periudhën 1962-1966 u krijua linja e prodhimit për municion 7.62 mm x 39 (Kallashnikov), municion mortaje 82 mm, granata dore ofensive dhe defensive, si edhe mina antinjeri. Në periudhën 1970-1972 në godinën ekzistuese u instalua linja e prodhimit të minave antitank dhe në një godinë të re u vendos linja e fishekzjarreve 180 mm. Në periudhën 1977-1985 u krye një rikonstruksion i thellë me makineri dhe pajisje të ardhura nga Zvicra dhe Austria për të mundësuar prodhimin e municionit kalibër 12.7 mm x 99 dhe 14.5 mm x 51, si edhe municion mortaje me kalibër 60, 107 dhe 120 mm. Aktualisht ndërmarrja prodhon municion pistolete të tipit “Makarov” dhe “Parabellum” me kalibër 9mm. Kompania ka mundësi të mëdha për të prodhuar për popullsinë civile, sidomos prodhime fonderie, hekuri dhe çeliku. Kombinati i Poliçanit ka sistem cilësie GOST.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency