Prokuroria /Përfundojnë hetimet, Mark Frroku vihet zyrtarisht nën akuzë për vrasje

0
119

frr

 

Akuza ka ngritur 4 vepra penale: “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Ndërtim i paligjshëm”.

 

Pas një hetimi, që zgjati 8 muaj, Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet duke ngritur 4 akuza për deputetin e dorëhequr të Shkodrës, Mark Frroku. Akuza më e rendë për ish-deputetin, që gjendet në “Arrest me burg” është “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim”. Froku akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë. Sipas prokurorisë, ai dhe 3 bashkëpunëtorët e tij kanë kryer vrasjen për shkak të përplasjeve në aktivitetin e paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit. Frroku do të akuzohet edhe për “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi të rremë të pasurisë”. Organi i akuzës thotë se nga hetimet e kryera në bashkëpunim me ILDKP -në, Frroku nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milionë dollarë. Sipas prokurorisë, Frroku është dënuar në vitin 2002 nga autoritetet holandeze me 3 vjet burgim, për “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Por nga vitet 1998 deri në vitin 2007, kishte vendosur pasuri mbi 73 milionë lekë të reja, nga burime të panjohura financiare.

 

Hetimet e prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur hetimet për Mark Frroku dhe ka dërguar dosjen për hetim. Ndaj Frrokut, organi i akuzës ka ngritur 4 vepra penale: Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Ndërtim i paligjshëm”. Në lidhje me akuzën e parë, Mark Frroku akuzohet për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti në vitin 1999 në Belgjikë, për shkak të aktivitetit të paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit. Gjatë hetimeve të Prokurorisë, Frroku akuzohet gjithashtu se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milionë Dollarë (saktësisht 209.627.218 lekë të reja). Në vijim të dosjes penale ndaj tij, Prokuroria e Përgjithshme thotë se Mark Frroku është dënuar në vitin 2002 nga autoritetet e Hollandës me 3 vjet burgim për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Nga hetimi ka rezultuar se, nga viti 1998 deri ne vitin 2007 Frroku ka krijuar pasuri në vlerën 73.863.722 lekë. Lidhur me këtë pasuri prej 73.863.722 Lekë ka rezultuar se nuk justifikohet nga burime financiare të njohura. Në vijim nga viti 2008 deri në vitin 2013, Frroku ka krijuar pasuri në vlerën 135.763.496 Lekë, e cila gjithashtu nuk justifikohet nga burime të njohura financiare. Nga viti 1998, kohë kur Mark Frroku ka kërkuar azil politik në Belgjikë dhe deri në vitin 2013 kur ka bërë deklarim pranë ILDKPKI para fillimit te detyrës si deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka rezultuar se ka krijuar një pasuri prej 209.627.218 Lekë me burime te panjohura.

 

Ndërtimi pa leje

Sa i përket akuzës së katërt, deputeti Mark Frroku akuzohet edhe për ndërtim pa leje në rrugën e Durrësit. “Pranë Bllokut të Ambasadave, mbi një ndërtim ekzistues 4-katësh, plus një shtesë një kat në të gjithë sipërfaqen e ndërtimit i cili rezulton të jetë ish Hotel Pensioni, po kryheshin ndërtime pa leje konkretisht shtesë anësore një kat. Nga ana e policisë gjyqësore janë kryer veprimet e para hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, pyetja e personave që kanë dijeni për rrethanat e faktit, është kërkuar informacion nga institucionet shtetërore kompetente dhe nga administrimit i të gjithë këtyre akteve ka rezultuar se Mark Frroku me anë të kontratës noteriale Nr. 4238 rep dhe 2384 kol, datë 01.09.2014, ka blerë disa prona të paluajtshme si truall, apartamente, njësi biznesi dhe garazhe nga shtetasi Tom Doshi, ku vlera e përgjithshme e kontratës është rreth 740.000.000 (shtatëqind e dyzetë milionë) lekë të reja”, – thotë Prokuroria. Me anë të kësaj kontrate Mark Frroku ka blerë dhe pasurinë, e cila është një sipërfaqe trualli 314 m2. Mbi këtë sipërfaqe trualli është ndërtuar ndërtesa 4-katëshe ish-hotel “Pensioni”, dhe mbi këtë ndërtesë ekzistuese është shtuar edhe një kat shtesë, si dhe është bërë edhe një shtesë 1-katëshe anësore e cila është pa leje ndërtimi. Nga hetimi ka rezultuar se kjo shtese anësore nuk ka qenë e ndërtuar në kohën e blerjes së këtij objekti, por është ndërtuar pas blerjes së tij nga Frroku, i cili ka aplikuar për legalizimin e këtij ndërtimi pa leje të organeve kompetente në zyrat e ALUINZI-t Tiranë më datën 24.11.2014.

 

Mandati i Frrokut

Pak javë më parë Mark Frroku hoqi dorë nga mandati i deputetit. Nga qelia ai ju drejtua me një letër Kuvendit ku kërkoi që çështja e mandatit të tij të mos vijohej më në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai hiqte vetë dorë nga mandati i deputetit. Ky vendim i Frrokut erdhi në të njëjtën ditë që Parlamenti i Shqipërisë diskutonte për projektligjin e dekriminalizimit, ku vetë Frroku tha se u bë “kurban” i këtij ligji. Çështja ndaj Frrokut do të gjykohet në Gjykatën e Tiranës, pasi me lënien e mandatit ai nuk gëzon më postin e deputetit. Pritet që Gjykata e Lartë të shpallë moskompetencë të gjykimit të çështjes “Frroku”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency