Nuk ka rritje pagash dhe pensionesh/Buxheti i vitit të ardhshëm zyrtarizon lëmshin e shifrave

0
114

 

 

pppFinancat zyrtarizojnë lëmshin e shifrave, duke lënë të kuptohet se parashikimet e specialistëve të saj janë pa pikë vlere

 

Ervin Kaduku

 

 

Ndonëse shumë optimiste me të ardhurat, qeveria duket se do vazhdojë “dietën” kur vjen fjala te shpenzimet deri në vitin 2018, duke mbajtur të ngrira pagat, pensionet, dëmshpërblimet për të përndjekurit, por edhe pagesat për të papunët apo familjet në nevojë. Në parashikimet buxhetore për vitet 2016-2018, të miratuara nga qeveria bashkë me buxhetin e vitit të ardhshëm, vërehet se shpenzimet për pagat e punonjësve të administratës do të jenë në tre vitet e ardhshme më të ulëta se ato të vitit 2015, ndërkohë që gjatë tri viteve nuk parashikohet fond shtesë për politika të reja pensionesh.

Totali i shpenzimeve buxhetore për vitin 2016 do të jenë rreth 3 miliardë lekë më të ulëta se në vitin 2015. Ndërkohë që rritje modeste do të shënohet për dy vitet e ardhshme: Nga 71,3 miliardë lekë në vitin 2016, do të rriten në 72,5 miliardë lekë në vitin 2017, për t’u rritur me vetëm rreth 10 milionë dollarë në vitin 2018, kur parashikohet të arrijnë vlerën e 73,5 miliardë lekëve. Fondi i shpenzimeve për personelin e administratës publike nga 74,6 miliardë lekë në 2015, do të bjerë në 71,3 miliardë lekë vitin e ardhshëm, për t’u rritur lehtë me rreth 10 milionë dollarë në vitet 2017-2018: përkatësisht 72,5 miliardë lekë dhe 73,5 miliardë lekë. Ndërsa nuk është parashikuar asnjë fond për politika të reja pagash për vitin e ardhshëm, qeveria propozon një rritje të këtij fondi prej 10 milionë dollarësh në vitin 2017 dhe prej 15 milionë dollarësh në vitin 2018.

Për tre vitet e ardhshme nuk parashikohet asnjë rritje në zërin pagesa e papunësisë, për të cilin Qeveria ka parashikuar të shpenzojë rreth 10 milionë dollarë në vit. Të njëjtin fat do të ketë edhe fondi për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë, i cili për tre vitet e ardhshme do të jetë rreth 20 milionë dollarë në vit. Ashtu si dhe në vitin 2015, Qeveria ka parashikuar vetëm 20 milionë dollarë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve të epokës së komunizmit për vitin 2016. 20 milionë dollarë do të përdoren për këtë qëllim edhe për vitin 2017, ndërkohë që një rritje e papërfillshme është parashikuar prej rreth 1 milionë dollarësh është parashikuar për vitin 2018, kur fondi në total do të arrijë në rreth 21 milionë dollarë.

Pas një rritjeje të dukshme prej rreth 7 miliardë lekësh për vitin 2016, shpenzimet për buxhetet vendore do të shënojnë një ulje prej rreth 20 miliardë lekësh (afërisht 20 milionë dollarësh) për vitin 2017. Duhet pritur viti 2018 për rritjen e këtyre fondeve, e cila gjithsesi do të jetë modeste, me më pak se 10 milionë dollarë.

Ashtu si dhe në vitin 2016, shpenzimet për ndërtimin e rrugëve të reja e të veprave publike do të jenë në mjaft të ulëta edhe për dy vitet që pasojnë. Sipas parashikimeve buxhetore afatmesme të bëra publike nga Qeveria, vetëm në vitin 2018 investimet publike do të arrijnë vlerën prej 65.7 miliardë lekësh, gjithsesi shifër më e ulët se ajo e vitit 2014. Për vitin 2016, për ndërtimin e rrugëve e të veprave publike janë parashikuar të përdoren vetëm 60.4 miliardë lekë, sipas opozitës, kuota më e ulët që prej vitit 1997. Për dy vitet që vijojnë buxheti për investimet kapitale do të rritet përkatësisht me 40 milionë dollarë dhe 50 milionë dollarë, shtesë që gjithsesi nuk mund të përkthehet në investime voluminoze në rrugë e vepra publike.

Por ndërsa tregohet mjaft dorështrënguar me shpenzimet, qeveria parashikon të rrisë ndjeshëm të ardhurat nga taksat e tatimeve. Nga 398,2 miliardë lekë në vitin 2015, të ardhurat buxhetore parashikohen të rriten në 417,6 miliardë në vitin 2016. Edhe më e fortë parashikohet rritja për dy vitet që pasojnë: 446,7 miliardë lekë në vitin 2017 dhe 480,4 lekë në vitin 2018. Nga 272,3 miliardë lekë në vitin 2015, të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohet të arrijnë në 283 miliardë në vitin 2016, për të kërcyer në 307,4 miliardë lekë në 2017 e në 331 miliardë lekë në 2018-ën.

 

Rritja

Shqipëria ka aktualisht dy shifra zyrtare për rritjen ekonomike të vitit të ardhshëm. Por jo vetëm kaq. Ka gjithashtu, dy variante zyrtare për të ardhurat në buxhet, shpenzimet e qeverisë dhe deficitin buxhetor të 2016-ës.

Dokumentet më të rëndësishëm zyrtar shfaqin një pamje kaotike mbi treguesit ekonomik të vendit, një situatë kjo e pashënuar më parë. Në buxhetin e shtetit për vitin 2016, i cili po diskutohet këtë të premte në parlament, vlerësimi     zyrtar për rritjen ekonomike të vitin e ardhshëm është 3.4 për qind.

Por në Projektbuxhetin Afatmesëm (PBA), i cili u publikua në fletoren zyrtare vetëm një ditë më parë, vlerësimi zyrtar për rritjen ekonomike të vitit të ardhshëm është 4 për qind. Për këtë indikator, një diferencë prej 0.6 pikë përqindje është e jashtëzakonshme dhe ky është një rast i paprecedentë, ku i njëjti tregues të ketë dy variante zyrtare. Por rritja ekonomike nuk është treguesi i vetëm për të cilin qeveria ka dy varainte zyrtare. Defiçiti, niveli i të ardhurave në buxhet po ashtu kanë nga dy shifra zyrtare.

Nëse në draftin e buxhetit 2016, niveli total i të ardhurave është parashikuar në 417.7 miliardë lekë, në projektbuxhetin afatmesëm i njëti tregues rezulton 422.9 miliardë lekë. Por nëse tek ky tregues diferenca është relativisht e vogël, tek shpenzimet ajo është disa herë më e madhe. Në draftin e buxhetit shpenzimet totale janë parashikuar 452.1 miliardë lekë, ndërsa në PBA niveli i tyre rezulton 464.9 miliardë lekë. Lëmshi i shifrave zyrtare të miratuar brenda një kohe të shkurtër nga vetë qeveria vazhdon edhe më tej me shifrën e deficitit buxhetor.

Sipas tabelave, në buxhet parashikohet që huamarrja e vitit të ardhshëm të jetë 34.4 miliardë lekë ose 2.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, por në PBA, shifra është 41 miliardë dhe 2.8 për qind. Projektbuxheti afatmesëm është një dokument zyrtar, në të cilin parashikohen zhvillimet ekonomike dhe ato buxhetore për një periudhë tre vjeçare. Për shkak të horizontit të madh kohor, ky projektbuxhet devijon nga treguesit realë. Por kur këto tregues devijojnë qeveria i rishikon për ti sjellë në linjë. PBA u rishikua vetëm pak ditë më parë nga qeveria, por treguesit e saj janë dukshëm larg buxhetit të paraqitur në Parlament. Ndaj aktualisht, si asnjëherë më parë, Shqipëria ka nga dy variante zyrtare për çdo tregues makroekonomik.

 

 

Doganat në krizë

Parashikohet një deficit i konsiderueshëm deri në fund të vitit

 

Të ardhurat e pritshme për vitin 2015, nga Administrata doganore, pritet të shënojnë një deficit në fund të vitit në vlerën e 9,1 mld lekëve.

Në këtë shumë është programuar të mblidhen me 526 mln lekë me pak nga taksa doganore, 5.1 mld lekë me pak nga TVSH-ja, 4,3 mld lekë më pak nga akciza dhe 274 mln lekë me pak nga renta minerare.

Ministria e Financave bën të ditur se, në këto parashikime janë bërë bazuar në të dhënat operative të periudhës Janar-Tetor 2015 (operative) dhe mbi këtë performancë është bërë parashikimi i të ardhurave për 2 muajt e mbetur të vitit.

Për periudhën 10 mujore 2015, të ardhurat nga administrata doganore janë realizuar në masën 118,6 miliard lekë, për muajin Nëntor të ardhurat doganore priten të jenë rreth 13,7 miliard lekë lekë, ndërsa për muajin Dhjetor priten të jenë rreth 14,7 miliard lekë.

Nga analiza evidentohet se zërat më të nënperformuar në të ardhurat e administratës doganore janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, me rreth 5,1 miliard lekë më pak nga planifikimi dhe të ardhurat nga Akciza me rreth 4,3 miliard lekë më pak nga planifikimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency