Intervista/Basha: Qeveri teknike për zgjedhje të ndershme. Kritika e Selamit? E keqja më e madhe Rama

0
116

basha interviste“Shqiptarët të bashkohen me 8 dhjetor njësoj si para 25 viteve, në një kauzë që na përbashkon pa dallime politike, për një Shqipëri të lirisë, për një demokraci që funksionon”

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje se vetëm përmes largimit të kësaj qeverie dhe krijimit të një ekzekutivi teknik mund të përgatitet një proces i lirë dhe i ndershëm zgjedhor për 2017-ën. Në intervistën për “abc news” kryedemokrati foli edhe lidhur me protestën e 8 dhjetori të cilit e krahasoi me atë të 25 viteve më parë, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të bashkohen për të larguar oligarkinë. Po ashtu në intervistë Basha komentoi dhe debatet e brendshme në PD si edhe kritikën e fundit të deputetit Eduard Selami.

 

  1. Basha doja të ndalesha tek 8 dhjetori, vazhdimisht, veçanërisht gjatë kësaj jave janë thirrur qytetarët e mbarë vendit të marrin pjesë në një marshim proteste, një marshim si një përballje pa kthim për të rrëzuar qeverinë, kështu jeni shprehur ju. Në fakt 8 dhjetori është një ditë simbolike, u nisët nga simbolika apo ishin pjekur kushtet për të arritur në këtë ditë. D.m.th do të mbahej një marshim edhe nëse nuk do të kishte një 8 dhjetor?

Unë mendoj se janë të dyja. Unë përfitoj nga rasti të bëj ftesë të gjithë qytetarëve shqiptar të bashkohen me 8 dhjetor njësoj si para 25 viteve, në një kauzë që na përbashkon pa dallime politike, për një Shqipëri të lirisë, për një Shqipëri të dinjitetit, për një demokraci që funksionon për këdo dhe jo vetëm për një grusht njerëzish dhe për një Shqipëri ku zhvillimi ekonomik nuk mbetet pasuri e oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me të. Ndërkohë që populli vuan për bukën e gojës, sipërmarrjet janë në recension, profesionistë, intelektualë, akademikë, studentë ndodhen përballë rrebesheve të arbitraritetit qeveritar. Pra, është një thirrje e opozitës, po kështu është një përgjigje e opozitës, përgjigja e Partisë Demokratike, përgjigjja e Lulzim Bashës ndaj kërkesave të mijëra e mijëra qytetarëve që kam takuar këto muaj nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, të të gjitha moshave, profesioneve, të punësuar apo të papunë, që të kanalizojmë këtë frustrim të madh, këtë depresion ekonomik dhe psikologjik që ka shkaktuar qeveria “Rama” në një energji pozitive për të ndryshuar rrugën në të cilën ecën Shqipëria dhe padyshim ky ndryshim rruge nuk mund të vijë pa ndryshuar qeverinë.

A ka një strategji përtej 8 dhjetorit për të arritur në këtë pikë dhe në rast se arrin supozojmë në rrëzimin e qeverisë, a jeni gati për të hyrë në zgjedhjet e parakohshme, për të fituar?

Çështja e demokracisë është një tjetër çështje themelore përveç ekonomisë. Zgjedhjet e fundit kanë qenë zgjedhje të shkatërruara dhe të kapura nga Edi Rama dhe Ilir Meta përmes skemës së tyre të blerjes së votave dhe përdorimit krimit dhe presionit ndaj votuesve të opozitës dhe votuesve në tërësi. Prandaj çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është sot çështja më kryesore për Shqipërinë për sa i përket zhvillimit, për sa i përket demokracisë dhe perspektivës së saj evropiane. Pa dyshim që zgjidhje e problemit të votës së lirë, pra të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe do duhet të jetë një zgjidhje politike, nuk është një zgjidhje “alacart” dhe kjo zgjidhje politike nuk mund të vijë përmes një qeverie e cila tashmë është provuar si dhunuese e zgjedhjeve të lira. Ndaj largimi i qeverisë i hap rrugë përgatitjeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për ti kthyer edhe një herë shqiptarëve shansin për të vendosur me votë për rrugën tjetër që duhet të ndjekim, për daljen nga kriza ekonomike, për daljen nga ky depresion ekonomik, psikologjik, politik, të gjithanshëm dhe për ti vënë të gjitha pasuritë e vendit në dispozicion të qytetarëve dhe jo të një grushti oligarkësh që po pasurohen ditë për ditë, ndërkohë që populli largohet.

Ju keni qenë edhe një proces analize këto kohë, ndërkohë që pritet edhe procesi i finalizimit dhe ndryshimit që pritet për riorganizimin e PD. Por ndërkohë ju jeni përballur herë pas here edhe me kritika së brendshmi, i keni dëgjuar në mbledhje grupi, në mbledhje kryesie, takime të ndryshme. Çfarë ndjen pas këtyre kritikave, si i përcillni ato, ju imponojnë ato qëndrimet tuaja, apo i kaloni në heshtje, ndërkohë ndiqni strategjinë tuaj që e keni të përcaktuar?

Padyshim strategjia është e përcaktuar, është një strategji e përcaktuar në një kolektiv vendimmarrje duke reflektuar mbi të gjitha për realitetin që ne prekim ditë për ditë, realitetin ku jetojnë shqiptarët, jo realiteti e zyrave. As zyrat e qeverisë, as zyrat e opozitës nuk tregojnë realitetin, realitetin e tregojnë qytetarët. Padyshim që në këtë diskutim ka pikëpamje të ndryshme, ka mendime të ndryshme, ka kritika. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë i vëmendshëm dhe padyshim aty ku ka vend për konstruktivitet, për reflektim, jam nga ata drejtues, lider që reflektoj dhe përshtas strategjinë, mënyrën e veprimit me nevojën e kohës, me nevojën e ditës. Por askush nuk mund të më mohojë se Partia Demokratike në këto muaj, ndonëse në këto dy vite të qeverisjes Rama, ndonëse gjendemi përballë një qeverie antiopozitare në veprim, një qeverie, e vetmja qeveri në Ballkan që ka krijuar ligjin antiopozitar për ti mbyllur gojën opozitës, prapë se prapë ka spikatur si opozita më denoncuese, si opozita për përballëse me zullumet e kësaj qeverie, si opozita që ja ka dalë që në këto dy vite të ndërgjegjësojë shqiptarët për rrezikun e madh, për kërcënimin e madh që paraqet kjo qeveri për demokracinë, për pasuritë publike për shkak të korrupsionit galopant dhe lidhjeve me krimin. Padyshim që këto denoncime jo vetëm kanë zënë vend tek qytetarët shqiptarë, por kanë zënë vend edhe tek figura të spikatura të mazhorancës, qartësisht sot me fjalorin e opozitës, me faktet e denoncuara nga opozita, po bëjnë sintezat e tyre, ndonëse në pikëpamjen time subjektive por që çojnë padiskutim në të njëjtin përfundim, qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk ka arritur të ngjallë shpresë, por është sot problemi kryesor, problemi numër një në vend për sa i përket ekonomisë, punësimit, korrupsionit, krimit, demokracisë. Pas kësaj kemi një platformë solide për daljen e dhe nxjerrjen e vendit nga kriza, e cila ndonëse me vendimet e saj duket se ka frymëzuar edhe një kryeministër kopjac, prapë se prapë mbetet platforma e PD-së një zgjidhje që ne jemi gati ta vëmë një funksion të nxjerrjesh së vendit nga kriza në momentin e parë që shqiptarët do të na besojnë në një proces votimi të lirë dhe demokratik.

Pse nuk ia kanë mbushur syrit Eduart Selamit këto?

Unë, siç e keni ndjekur nuk kam bërë asnjëherë komentuesin. Çdo kush ka mundësi të shprehë dhe të japë kontributin e vet pozitiv dhe konstruktiv brenda partie, këtu është detyra ime, pjesa tjetër mund të jetë detyra e juaj, e gazetarëve, e çdokujt tjetër. Unë nuk mund të shpenzoj asnjë sekondë, asnjë pikë energjie time apo të Partisë Demokratike në një debat i cili nuk fokusohet tek e keqja e madhe në vend që është korrupsioni, krimi i ngritur në sistem, hajdutëria masive dhe mizorja ekonomike që ka shkaktuar qeveria e Edi Ramës.

A ka një linjë të qartë për reformën në drejtësi. Nëse supozojmë se nga Komisioni i Venecias nuk ndryshon kjo paketë që ka bekimin e socialistëve, për hir të së vërtetës LSI ka qasje janë edhe të njësuara me ju?

Qëndrimet tona për reformën në drejtësi janë të qarta kristal, janë qëndrimet më të qarta të çdo force tjetër politike, nga çdo forcë politike në vend. Ne jemi për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit në drejtësi. Korrupsioni në drejtësi është një problem serioz, i thellë, i dhimbshëm për qytetarët shqiptarë, maja e korrupsionit në drejtësi është korrupsioni politik, është Edi Rama që telefonon gjyqtarët për të dënuar kundër ligjit, në kundërshtim me jurisprudencën shqiptare, në kundërshtim me 13 vendime të Gjykatës së Strasburgut Arben Ristanin dhe Edi Palokën sepse denoncojnë lidhjet e tij me krimin. Pra, është një politikë që lejon që Armando Prenga të shkojë në shtëpi ndërkohë që qindra qytetarë dergjen burgjeve për 30-40-50 mijë lek të vjetra mosrakordim të faturave apo për të tjera kundravajtje. Problemi më serioz për drejtësinë sot është Edi Rama dhe koncepti i tij për shtetin. Për Edi Ramën shteti është ai, për ne shteti është ligji.

A keni garanci nga ndërkombëtarët, të paktën keni pasur takime të vazhdueshme, intensivisht ambasadorët janë të përfshirë në këtë proces që propozimet tuaja mund të merren parasysh?

Kemi një kuptim të madh për sa i përket motiveve tona, motivet tona janë reformë në drejtësi por jo kapje politike e saj dhe falë politikës tonë ka një vetëdijesim të të gjithë faktorëve dhe në veçanti të faktorit ndërkombëtar për rrezikun e madh që i paraqet Shqipërisë kapja e drejtësisë nga kjo mazhorancë politike apo nga mazhorancë politike.

E nisëm me simbolikë dhe po kthehemi tek simbolika për të përmbyllur këtë intervistë. Ju përveç 8 dhjetorit që nisni marshim e protestës keni edhe 25 vjetorin e krijimit të partisë në dhjetor. Si është konceptuar, nëse do të mund të na zbuloni diçka dhe cilat janë mesazhet kryesore që do të përcillni?

Ky 25-vjetor e gjen Partinë Demokratike në një situatë jo të pangjashme me ditët e para të themelimit të saj, me një vullnet të madh popullor për t’u shkëputur nga kjo gjendje e padurueshme ekonomike, shoqërore dhe politike, me dëshirën për të forcuar dhe rinovuar kontratën tonë të përbashkët me një demokraci pjesëmarrëse ku shqiptarët, votuesit, të mos bëjnë sikur pyeten një herë në katër vite dhe pastaj të harrosh, por të jenë pjesë reale e vendimmarrjeve të mëdha në vend dhe me dëshirën për të ecur përpara drejt stacionit tonë final që është anëtarësimi në BE me gjithë benefitet ekonomike, sociale, të punësimit, të lëvizjes së lirë që sjell kjo ëndërr e shqiptarëve që është në të njëjtën kohë një mision hyjnor i Partisë Demokratike. Një pjesë e misionit është përmbushur, anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë në zonën Shengen, kjo pjesë e misionit anëtarësimin në Bashkimin Europian, një pjesë e vështirë dhe plot sfida është edhe frymëzimi ynë në këtë 25-vjetor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency