Konflikti me armë /  Zbardhet ekspertiza e prokurorisë: Armando Prenga qëlloi me armë pa leje

0
118

 

Ngjarja për të cilën janë konfliktuar, ka të bëjë me licencën e shfrytëzimit të lagunës së Patokut, e cila me vendim të Ministrisë së Bujqësisë u është hequr peshkatarëve të familjes Cali dhe i ka kaluar vëllait të deputetit Prenga.

armando prenga arrestimi

Para Gjykatës së Lartë, prokuroria dorëzoi raportin e laboratorit të policisë shkencore, të cilët kanë ekzaminuar gëzhojën e gjetur në rrugën Patok – Laç, pikërisht në vendin ku Prenga pretendon se ka qëlluar në ajër me armën e tij me leje nga Kuvendi. Sipas këtij raporti, rezulton se gëzhoja e sekuestruar me cilësinë provës material, nuk është qitur nga arma që deputeti Prenga e mbante me leje. Ekspertët thonë, se ajo është qitur nga një armë e llojit “TT” dhe nuk është ajo që deputeti e ka dorëzuar në polici, me të cilën ka pretenduar se ka qëlluar për ta trembur Gjok Calin. Në raport, ekspertët theksojnë se arma e dorëzuar nga deputeti, rezulton se nuk ka bërë asnjë shkrepje ditën kur Prenga pretendon. Prokurorët, me dorëzimin e këtij raporti, i kujtuan gjykatës, se pretendimi I deputeti Prenga se ka qëlluar me armën me leje nuk qëndron, pasi është provuar tashmë shkencërisht që me atë armë ai nuk ka qëlluar.

 

Dosja e prokurorisë

Sipas prokurorëve, Prenga ditën e konfliktit me peshkatarët e familjes Cali ka përdorur një armë tjetër, pa leje të cilën ende policia nuk e ka gjetur. Me administrimin në dosje të këtij raporti të policisë shkencore, avokatët kërkuan kohë nga Gjykata të konsultohen me klientin e tij, deputetin Armando Prenga i cili nuk kishte preferuar të vinte para gjykatës së lartë. Ku avokati, kishte paraqitur kërkesën për revokimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” të caktuar më 8 shtator të këtij viti. Sipas akuzës, deputeti Prenga mbrëmjen e 4 shtatorit, pas një debate me dy të rinjtë e peshkatarëve të familjes Cali, e ka goditur me qytën e pistoletës në kokë Gjok Calin në rrugën Patok-Laç dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Pak minuta më pas, Prenga së bashku me vëllanë e tij dhe disa persona të tjerë është përfshirë në përplasje fizike dhe me armë me peshkatarët e familjes Cali pranë Komisariatit të Laçit, ku për pasoj kanë mbetur të plagosur me armë dy persona. Ngjarja për të cilën janë konfliktuar, ka të bëj me licencën e shfrytëzimit të Lagunës së Patokut, e cila me vendim të Ministrisë së Bujqësisë i është hequr peshkatarëve të familjes Cali dhe i ka kaluar vëllait të deputetit Prenga.

 

Sherri

Deputeti është njëri prej 6 personave të ndaluar në flagrancë pas përplasjes me armë zjarri e mjete të ftohta mes disa pjesëtarëve të familjes Cali dhe familjes Prenga, që ndodhi mbrëmjen e 4 shtatorit dhe që përfundoi me 7 të plagosur. Mes të plagosurve ishte dhe i vëllai Eduard Prenga. Sherri nisi fillimisht në Patok, aty ku dy familjet janë në gjyq për Lagunën, më pas vijoi para komisariatit të policisë së Kurbinit ku dhe njëri prej pjesëtarëve të familjes Cali, Gjok Cali kishte shkuar për të bërë kallëzim se është goditur nga deputeti. Në orën 13:00 të 5 shtatorit, policia e shtetit dha versionin zyrtar mbi ngjarjen duke deklaruar se arrestimi i 6 personave, mes tyre i deputetit është kryer në flagrancë.

 

Kush është Prenga?

Në verën e vitit 2009, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u numëruan votat e zonës së Fushë-Kuqes në Kurbin, një terren ku gjithmonë zgjedhjet kanë qenë përleshje. Në tavolinat e gazetarëve ishte ulur një djalë i ri me stilolaps dhe letër që shënonte rinumërimin e votave që shqiptonte kreu i atëhershëm i KQZ-së, Arben Ristani. Në fund buzëqeshi dhe u përqafua me kolegun Gjovalin Kadeli. U prezantua më pas tek gazetarët si kryetari i Partisë Socialiste në Laç. Që prej asaj kohe, qyteti bastion i Partisë Demokratike u rikthye majtas, duke i marrë bashkinë në kulmin e pushtetit, në vitin 2011. Por aktivitetin politik në Kuvendin e Shqipërisë, Armando Prenga nuk e filloi me ndonjë fjalim mbi zhvillimin e Kurbinit apo mbi sistemin gjyqësor, që nisur nga diploma e juristit që mban në xhep mund të flasë lirisht. Pak kohë pasi socialistët u rikthyen në Parlamentin e zgjedhur në 2009, ndërsa deputeti “luftarak” Edi Paloka, po përplasej si zakonisht verbalisht me kolegët e opozitës së asaj kohe, Armando Prenga, u ngrit nga vendi iu afrua kolegut të qarkut Lezhë dhe e qëlloi me një grusht të thatë poshtë mjekrës. Kjo ishte vula e parë politike e deputetit socialist të Laçit, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here