Përgjigje PS-së / Bylykbashi: Ende s’ka marrëveshje për dekriminalizimin, nuk heqim dorë nga testi i drogës

0
123

Bylykbashi

Deputeti i PD-së: Djalli fshihet në detaje, ndaj të biesh dakord për parimet nuk do të thotë se ka marrëveshja

 

Pas deklaratës së PS-së përmes ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, për tërheqjen e demokratëve nga kërkesa për testin e drogës, ka ardhur dje reagoi edhe nga opozita. Kreu demokrat i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi, deklaroi se Partia Demokratike nuk është tërhequr nga testi i drogës, e cila përbën edhe një ndër pikat e platformës së saj politike për dekriminalizimin. “Djalli fshihet në detaje, ndaj të biesh dakord për parimet nuk do të thotë se ka marrëveshja, pa u kujdesur për çdo detaj që e bën të zbatueshëm ligjin pas miratimit”, – u shpreh deputeti i PD-së. Sipas Bylykbashit, megjithëse ka progres, nuk ka ende bazë të fortë për arritjen e marrëveshjes mes palëve për dekriminalizimin. Ndërkaq dy ditë më parë Partia Socialiste deklaroi se marrëveshja për ligjin e dekriminalizimit është shumë afër duke nënkuptuar se palët kanë arritur të gjejnë konsensusin për pjesën më të madhe të procesit. Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS, tha se praktikisht palët nuk i mban asgjë të ndara. “Është e vërtetë..praktikisht nuk ka asnjë çështje që na mban të ndara. Në gjykimin tim nuk ka arsye se pse marrëveshja mos arrihet, sepse nuk ka me asnjë gjë të shprehur, mesa di unë edhe nga pala tjetër”. E pyetur për testin e drogës që kërkon PD, Felaj tha se forca më e madhe opozitare duhet të heqë dorën nga kjo kërkesë. “Duhet të heqë dorë sepse përdorimi i asaj gjëje…këtë pyesni Partinë Demokratike nëse ka hequr dorë apo jo, por unë nuk e shoh që të prononcohet që të këmbënguli në këtë pikë sepse edhe Partia Demokratike duhet të jetë e qartë, ajo përveçse e bën dhe ligjin qesharak e bën dhe të pamundur zbatimin e atij ligji”.

 

Dekriminalizimi

Çështja e dekriminalizimit ka qenë në qendër të axhendës së demokratëve qysh prej dy vjetësh. Opozita është investuar shumë tërë këto kohë për të bërë të mundur sipas saj largimin e të inkriminuarve nga parlamenti. Por nëse në fillim kishte një hezitim nga mazhoranca për ta pranuar si çështje, duke mohuar ekzistencën e deputetëve me të shkuar kriminale, duket se ndërhyrja e ndërkombëtarëve ishte decizive në arritjen e marrëveshjes së dhjetorit të vitit të kaluar. Palët ranë dakord që do të ngrinin një Komision të Posaçëm që do të përfundonte punën e tij me në produkt që do të bënte të mundur heqjen e ligjvënësve me rekorde kriminale nga jeta politike,. Megjithëse për ë kohë të gjatë ky komision thuajse nuk funksionoi, ku palët më së shumit akuzonin njëra-tjetrën për përfshirjen e të inkriminuarve në politikë, muajt e fundit edhe me investimin e fortë të SHBA-së Gjermanisë dhe BE-së në tërësi u bë e mundur ecja përpara në këtë proces. Aktualisht duket se palët janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes, ku shumë pak pika i ndajnë qëndrimet mes tyre, pasi baza e ligji është e njëjtë, ai i Severinos. Vetëm pak ditë më parë PS pranoi që në ligj të përfshihen edhe shenjat e gishtërinjve, një element i domosdoshëm sipas demokratëve për të larguar të inkriminuarit nga politika. Por duket se kërkesa tjetër e PD-së për testin e drogës nuk do të marrë mbështetjen e mazhorancës, e cila ka theksuar se opozita duhet të tërhiqet nga ajo. Ndonëse demokratët i qëndrojnë ende kërkesës, nuk dihet nëse në kuadër të arritjes së marrëveshjes për dekriminalizimin do të “sakrifikonin” edhe kërkesën e tyre për bërjen e testit të drogës nga të gjithë ligjvënësit dhe qeveritarët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here