Replikat / Paloka: Hetim CEZ-it nga “A” te “Zh”. Ruçi: KLSH e hapi rrugën, askush s’pengon Prokurorinë

0
124

 

ruci-paloka

Cani: Sajuat një çorbë të keqe, shumë shpejt e vërteta do të dalë. Opozita kërkon çdo ditë armiq, tani doni të përfshini edhe ndërkombëtarët

 

Gëzim Saliu

 

Opozita kërkon me këmbëngulje hetimin ndërkombëtar për çështjen “CEZ”, duke bërë të ditur se mbetet e hapur për të përfshirë në proces gamën kohore nga ardhja e kompanisë në Shqipëri deri tek marrëveshja e qeverisë me kompaninë çeke. Duke u mbështetur edhe tek kallëzimi i KLSH-së ndaj ministrit të Energjisë dhe Industrisë për shpërdorim detyre, deputetët e opozitës theksuan se nuk po kërkojnë komision hetimor në Parlament, por që t’i hapet rruga hetimit ndërkombëtar të çështjes, duke përfshirë në kalendarin e punimeve javore të Kuvendit projektligjin e PD-së. “Kjo çështje është e madhe dhe do bëhet edhe më e madhe sa këta nuk do ta mbulojnë dot sado i gjatë të jetë Rama edhe pse bëri marrëveshje me Metën, nuk e mbyllin dot këtë çështje, vetëm do i shtojnë zullumin vetes dhe përgjegjësinë. Po dje një institucion i rëndësishme si KLSH bëri dhe denoncimin e tij. Nuk di në cilin vend të botës të akuzohet një ministër dhe e vetmja një deklaratë banale, e ka fajin Saliu. Të akuzohesh për 500 mln euro dhe të thuash fajin e ka opozita. Megjithatë, përgjegjës janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Edhe sikur të kërkonim hetimin e Ramës nuk ka gjë të keqe, se në opozitë jemi. Ne e kemi deklaruar hapur që janë ministrat tanë që kanë kërkuar hetimin nga A te Zh. Publiku mund të gjykojë kush e ka kërkuar hetimin. Ne nuk po kërkojmë komision hetimor në parlament. Po kërkojmë ti hapet rrugë një hetimi ndërkombëtar”, – tha Paloka.

 

Qëndrimi i mazhorancës

Ndërkohë, përmes kreut të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, mazhoranca bëri të ditur qëndrimin e saj rreth kërkesave të opozitës për çështjen “CEZ”, duke theksuar se do të zbatohet rregullorja e Parlamentit. Sipas Ruçit, PD është e përçarë në qëndrimet e saj. “Opozita vazhdon që të kërkojë përsëri në kundërshtim me rregulloren. Kjo çështje u diskutua në konferencë e kryetarëve, kjo çështje është në rend ditë në fund të seancës dhe çështjen e fundit e kërkoni të parën. Bëni sikur kërkoni, por nuk dini se çfarë kërkoni. Ngrihet drejtuesi i grupit parlamentar dhe thotë pse nuk është futur në program, pastaj ngrihet ish-kryetarja e kuvendit dhe thotë pse nuk është futur në kalendar. Ju nuk dini se çfarë kërkoni jeni të çorganizuar dhe nuk dini çfarë kërkoni”, – tha ai. Më tej numri 1 i grupit kuvendor të socialistëve pohoi se dje Kryesia e Kuvendit diskutoi për projektkalendarin që përfundon në datën 5 dhe se kërkesa e PD-së do të ndjekë rrugën e zakonshme. “Në datën 5 do të futet në program dhe më pas në kalendar. Këto janë rregullat e parlamentarizmit në çdo vend. Ato praktikat parlamentare zonja Topalli i kemi diskutuar bashkë 8 vjet. Je ti që i ke shkelur. Ne ju kemi thënë që do bëjmë gabime të tjera, por jo gabimet tuaja. Dje KLSH ka kallëzuar në prokurori objektin e hetimit tuaj, qeverinë e Edi Ramës. Pra ju po thoni që kërkoni hetim kur hetimi sot prokurori duhet ta fillojë, kush e pengon?”, – u shpreh Ruçi. Ndërkohë, në këtë debat u përfshi edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili theksoi se çështja është një fletërrufe politike e opozitës. “Politika është përzier keq në këtë punë dhe ata që sajuan këtë çorbë të keqe në fund të kërkojnë mbrojtje dhe e kanë gjetur mundësinë, por shumë shpejt e vërteta do të dalë se me llafe dhe fjalime politike. Prokuroria ta marrë këtë çështje ta hetojë një për një, Fajtorët janë në krahun tuaj dhe kot mundoheni ta përcillni sa andej edhe këtej. Do ta shihni shumë shpejt të vërtetën”, – deklaroi ministri i Financave.

 

Debati për CEZ-in

Gjiknuri, opozitës: E bëtë m… e madh dhe thoni tani se mbajmë erë ne që po e pastrojmë

 

Marrëveshja e qeverisë me CEZ-in ishte në qendër të debateve të djeshme në Parlament, ku kallëzimi i KLSH-së ndaj ministrit të Energjisë duket si u dha më shumë “krah” demokratëve për të shtuar tonin e akuzave ndaj qeverisë, Kryeministrit Rama dhe Gjiknurit. Ky i fundit shpërtheu në akuza ndaj qeverisë së kaluar, duke mos ngurruar të përdorë edhe terma që nuk i shkojnë për shtat gjuhës parlamentare. “Sektori i shpërndarjes do 20-30 milionë euro minimalisht në vit. Me konfliktin që ju e latë hapur ku do t’i gjente operatori paratë?! Si do e linim ne vendin në krizë, për atë zjarrin që i vutë shtëpisë e thoni mos e fikni? Cila është zgjidhja juaj?! Apo kënaqeni e i thoni atij, meqë ne bëmë atë m… e madh, kur i thonë, ju që po e pastroni mbani erë. A e kuptoni çfarë po thoni?!”, – deklaroi Gjiknuri. Duke iu referuar kërkesës së PD-së për dorëheqjen e tij në bazë të kallëzimit për shpërdorim detyre nga KLSH-ja, ministri i Energjisë theksoi se ai përbën një “fletërrufe politike” të opozitës. “Besoj se ka qenë e koordinuar për të shmangur përgjegjësitë që keni ju nga mënyra si e keqmenaxhuat. Ne bëmë marrëveshje të bazuar në ligj të ratifikuar dhe miratuam në parlament me vendim qeverie dhe mandat popullor për të zgjidhur këtë problem dhe me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare siguruam 200 milionë dollarë investime sot që flasim. KLSH nuk do ta thotë se nuk i leverdis atij që e ka urdhëruar KLSH-në. Nuk e thotë që humbjet janë reduktuar dhe kanë vajtur në 31%. Edhe ata që u inspiruan për të bërë këtë kontroll nuk arritën të citojnë një ligj të shkelur dhe të rezultojë në pasojë. Përkundrazi kanë përkthyer ato deklarata tuaja politike, por janë treguar më të kursyer në vlera monetare, jo 2 miliardë por e paskan ulur sipas oreksit të bëhet më I besueshëm. Me fletërrufe politike nuk shkoni askund”, – deklaroi ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here