Suksesi / CNN, reportazh për kualifikimin e Shqipërisë

0
126

 

festa-tiranefestaNjë ndër mediat më të mëdha në botë i ka kushtuar vëmendje të veçantë kualifikimit të skuadrës për në Francë 2016

 

Rrjeti prestigjioz amerikan, CNN, i cili është i përhapur në të gjithë botën, i kushtoi një reportazh të veçantë kualifikimit të Shqipërisë në finalet e Evropianit 2016. Artikulli niste me faktin se kualifikimi historik i Shqipërisë në një eveniment madhor është diçka që nuk shihet shpesh dhe për këtë arsye, është më se normale që edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, të festojë arritjen e ekipit kombëtar drejt turneut në Francë. Reportazhi pasqyronte gjithçka ndodhi gjatë pasdites së të hënës, me shefin e qeverisë që priti personalisht heronjtë kuqezi në aeroportin “Nënë Tereza” dhe deri te udhëtimi me ekipin drejt selisë së Kryeministrisë. Në prononcimin për CNN-in, zoti Rama foli për bisedën me ekipin, menjëherë pas humbjes me rivalët serbë, që për një moment komplikuan ecurinë e përfaqësueses drejt ëndrrës së madhe. Kryeministri shqiptar tregoi se si “futbollistët ishin të shkatërruar pas humbjes së hidhur”, këshillën se “kur provon të arrish në majën e malit, duhet të përballesh me erën e fortë” dhe thirrjen motivuese që në ndeshjen e fundit kualifikuese “ishte momenti që ekipi të tregonte të gjithë karakterin”. Triumfi 3-0 në Jerevan të Armenisë bëri që të shpërthente festa në mbarë trojet shqiptare. Pas festimeve në rrugë, brohoritjeve dhe fishekzjarrëve, qindra tifozë pritën skuadrën në aeroport dhe i shoqëruan në qendër të Tiranës për pritjet zyrtare dhe festën në “Digitalb Arena”. CNN theksonte se askush nuk e mendonte në fillim të edicionit që Shqipëria mund të kualifikohej direkt në Evropianin 2016, në një grup me kundërshtarë si Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia. Rrjeti prestigjioz amerikan publikoi edhe fjalët e kapitenit Lorik Cana, që zbuloi se nuk e kishte ëndërruar një arritje të tillë dhe pas kualifikimit foli në telefon me babain, ish-futbollistin e famshëm Agim Cana, i cili qau për dy orë nga emocionet. Kapiteni vlerësoi “arritjen e jashtëzakonshme, e cila lumturoi dhe bëri krenarë të gjithë popullin shqiptar”. Loriku e vendosi theksin te “pesha e fanellës së kombëtares, që përfaqëson të gjithë kombin dhe kualifikimi është një prej momenteve më të mahnitshme”. Mbrojtësi, ashtu si të gjithë lojtarët dhe stafi teknik u vlerësuan me medalje mirënjohjeje nga Kryeministri, ndërsa ekipi kombëtar me titullin më të lartë, “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës. Në reportazh përmendeshin edhe ngjarjet e 14 tetorit të kaluar në Beograd, me ndeshjen që u ndërpre pas ngjarjeve skandaloze nga huliganët serbë dhe betejën ligjore të fituar nga Shqipëria në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Në fund, citohej Kryeministri Rama që theksoi për CNN-in se “kombëtarja ka bashkuar shqiptarët”. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, “askush nuk e mendonte të mundur një arritje të tillë, e cila për hir të së vërtetës nuk ndodh përditë” dhe kjo bën që “i gjithë vendi të jetë krenar për futbollistët”.

 

De Biasi për Gazzeta Dello Sport: Në Francë provojmë shanset tona

 

“Gazzetta Dello Sport”, më e madhja në Itali në shtypin sportiv, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë një interviste me trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi, arkitektin e këtij suksesi historik të kuqezinjve. Festa nuk është zhvilluar vetën në Tiranë apo në trojet e tjera shqipfolëse, por edhe në qytete të ndryshme të Italisë, ku prania e shqiptarëve është e ndjeshme. “Ndiej shumë dashuri përreth meje. Jam shumë i lumtur, sepse kamë lënë gjithmonë gjurmë kudo kam punuar. I vetmi peng i karrierës sime mbetet Udine, ku nuk kam pasur mundësi të punoj. Ishte një realitet shumë i mirë për mua, por nuk kam arritur ta kuptoj se çfarë dëshironin të bënin”. Por si lindi ideja për të drejtuar një kombëtare të vogël si Shqipëria? “Gjithçka nisi nëpërmjet një menaxheri që punon në Itali. Dhe ta mendosh që unë nuk doja as t’i takoja drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sapo e kisha mbyllur me Udinezen dhe dëshiroja një tjetër sfidë në Serinë A. Më pas, e kuptova se duhet të isha në qendër të një projekti, por në Itali kjo shpesh nuk ndodh. Kështu nisi aventura ime në Tiranë”. De Biasi ndihet shqiptar dhe sikurse e shpjegon ai vetë, jo thjesht për faktin se është pajisur me pasaportë shqiptare. “E kam të vështirë ta shpjegoj çmendurinë në sheshet e Shqipërisë. Është një flamur, një popull. Gjithçka shkon përtej kufijve, sepse shqiptarët janë kudo me entuziazmin dhe dashurinë për atdheun”. Por cili është objektivi i De Biasit në finalet e “Francë 2016”? “Kualifikimi na jep shpresë. Ëndrrat mund të realizohen, nuk mbeten thjesht objektiva. Jemi rritur shumë, por në nivele të tilla do të jetë e vështirë të shkojmë më tej. Gjithsesi, ne do ta provojmë”. Ndoshta një ditë, një stadium i Shqipërisë ose një shesh mund të mbajë emrin e De Biasit, por 58-vjeçari dëshiron të mbajë një profil më modest. “Të mos bëjmë shaka. Megjithatë, na kanë njoftuar se impianti i ri i Tiranës, kur të ndërtohet, do të ketë një pllakë të artë me të gjithë emrat tanë, për të kujtuar arritjen historike të kësaj skuadre”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here