Konferenca ndërkombëtare “Shqipëria në arkivin e Propaganda Fide-s”

0
149

 

propaganda-fide-350x176

 

 

Dihet tashmë se Shqipëria e ‘600-ës ka një histori të mbetur në arkiva, sidomos për pjesën e panjohur që përfshin religjionin, në këtë rast atë katolik. Një pjesë e kësaj historie është e panjohur, ndaj më 26 dhe 27 tetor, në Universitetin Propaganda Fide në Romë organizohet kuvendi ndërkombëtar, në kuadër të përgatitjes për 400-vjetorin e themelimit të Propaganda Fide-s, me titull “Shqipëria në arkivin e Propaganda Fide-s” (L’Albania nell’archivio di Propaganda Fide). Ligjëratat do të mbahen nga autorë të huaj dhe shqiptarë. Emra të njohur të botës akademike si Peter Bartl, Roberto Morozzo della Rocca, Lucia Nadin, Matteo Mandalá, Bardhyl Demiraj, Ardian Ndreca, Marian Paloka, Evalda Paci e të tjerë do të shpalosin dijet e tyre rreth temave të ndryshme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Propaganda Fide-s me shqiptarët.

Po çfarë është Propaganda Fide? Kongregata Propaganda Fide (sot Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve) e ka zanafillën e saj nga Bulla e Papës Gregori XV Inscrutabili Divinae (22.6.1622). Detyra kryesore për të cilën u krijua kjo Kongregatë është misioni i Kishës për të çuar Ungjillin në të gjithë botën. Në vitin 1626 u krijua shtypshkronja historike e Propagandës e quajtur Polyglotta, njëra nga më modernet e kohës e aftë të shtypë libra në të gjitha gjuhët e ndryshme ku ekzistonin misione katolike. Në vitin 1627 Papa Urbani VIII themeloi Ateneun Papnor të Propaganda Fide-s, ku kanë studiuar përgjatë shekujve të rinj që vinin nga tokat e misioneve. Qysh në fillimet e saj Propaganda priti edhe seminaristë të ardhur nga Shqipëria dhe për shekuj me radhë dha ndihmesën e saj në përhapjen dhe ruajtjen e besimit të krishterë në Dalmaci dhe në Ballkan. Bashkë me detyrën për të përhapur besimin, misionarët e Propagandës e ndihmuan popullin shqiptar përgjatë shekujve të pushtimit otoman të mbanin gjallë identitetin e tyre kombëtar dhe përkatësinë perëndimore. Në Arkivin Historik të Propaganda Fide-s ruhen dokumente të çmueshme që dëshmojnë veprën e Kishës Katolike në Shqipëri, të dobishme si një burim parësor për historiografinë shqiptare. Ndërmjet figurave më të rëndësishme të atij kombi që kanë studiuar pranë Ateneut të Propagandës radhiten Frang Bardhi e Pjetër Bogdani. Për shtëpinë botuese Polyglotta kanë dalë në shekuj vepra themelore për historinë, gjuhën dhe letërsinë shqiptare, sikurse: Dictionarium latinoepiroticum (1653) e Frang Bardhit, Doctrina christiana (1636) e Pjetër Budit; Osservazioni grammaticali nella lingua Albanese (1716) nga F. Da Lecce.

Deri para pak vitesh Kisha Katolike në Shqipëri ishte ende nën përgjegjësinë e Propaganda Fide-s për të kaluar më pas nën përgjegjësinë e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, nga e cila varet edhe sot e kësaj dite. Por një sërë kishash nëpër botë vazhdojnë të jenë ende nën kujdesin e kësaj Kongregate, e cila ka një vëmendje të veçantë për ata, sidomos në vendet misionare dhe në vendet e vështira të Afrikës, Azisë e Australisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here