Zamira Kita /Piro Mani, për herë të parë një komedi për Korçën

0
192

Nis edicioni i dytë i Festivalit të Komedisë në Korçë, KoKo Fest. Ideatorja e festivalit, Zamira Kita, tregon hartën e trupave pjesëmarrëse dhe si arrijnë të sjellin në qytetin juglindor artistë nga rrethet, e sidomos Tirana. Fenomeni; sallën e Teatrit në Korçë e mbushin gratë korçare, që guxojnë edhe të gjykojnë shfaqjet më mirë sesa një kritik, shpesh edhe braktisin sallën kur shfaqja nuk funksionon. Për to, Kita thotë me humor: Ja korçare, ja hiç fare…

 

zamira

 

Intervistoi: Violeta Murati

 

Mbrëmë ka nxituar të mbyllë punët e fundit organizative të festivalit, por të jetë njëkohësisht edhe në skenë me një nga rolet kryesore në komedinë “Perëndesha e bukurisë”, e shkruar nga Pirro Mani, e ngjitur për herë të parë në skenë me regji të Spiro Dunit. Zamira Kita, aktorja e qytetit juglindor, Korça, nga të vetmet që nuk e ka “njollën” e provincës, pasi ka sfiduar me disa role në Teatrit Kombëtar të Tiranës, është ideatorja e KoKo Fest. Ka arritur të mbledhë e të bëjë një model organizimi pa pritur para nga qendra, Tirana, por duke angazhuar bizneset e Korçës dhe duke stimuluar një publik të rrallë e bashkë me fenomenin e zbarkimit të artistëve nga rrethet për ta ndjekur. Një komunikim jorastësor, pavarësisht nga niveli i shfaqjeve, Kita arrin të ndërtojë një hartë mbarëshqiptare të pjesëmarrjes duke i nxjerrë nga rrethi vicioz i provincës, e madje duke stimuluar në shumë prej tyre punën me teatrin.

 

 

Është edicioni i dytë që mbahet Festivali i Komedisë në Korçë, ide dhe nismë e juaja personale. Duke e menduar në një qytet të vogël, por me kulturë, me një teatër si në gjithë Shqipërinë të varfër, me aktorë të pambështetur… etj., etj., pse guxuat, si po funksionon kjo tani?

 

Guximi im, por edhe i të gjithë kolegëve të mi artistë është në fillesat tona. Unë guxova qysh e vogël të dal para publikut në Shtëpinë e Pionierit. Atëherë, ku imitova teto Ollgën dhe vazhdoi gjithë atyre viteve të vështira si aktore dhe më pas me guximin për të marrë përsipër menaxhimin e Teatrit si drejtoreshë dhe së fundmi me organizimin e festivalit KoKo Fest. Ka pasur një traditë të hershme festivali në Korçë, ishte një festival ballkanik, të cilin e organizonin kolegët e mi, por ai festival u ndërpre. Dihet që Korça e ka traditë humorin dhe këngën. Dihet gjithashtu kultura e veçantë e korçarëve dhe mendova pse të mos e ketë edhe një festival të teatrit të komedisë. Këtë ide timen e paraqita në Bashki dhe mora mbështetjen dhe kam përshtypjen se po funksionon. Ky është edicioni i dyte i festivalit dhe trupat e teatrove profesioniste, pas një selektimi e pranuan ftesën për të qenë pjesë e festivalit. Për hir të së vërtetës dua të them se ka edhe trupa të tjera që duan të jenë të pranishme në festival. Por ja që festivali është vetëm një javë, gjithsesi unë u jam mirënjohëse për dëshirën që shprehin.

 

Cila është harta e trupave pjesëmarrëse në festival, konsideruar edhe si prurje artistike?

 

Gjeografia e festivalit të sivjetëm është kjo: Nata e parë filloi me ceremoninë e hapjes dhe me shfaqen e Teatrit të Korçës, “Perëndesha e bukurisë”, një komedi e shkruar nga Pirro Mani, i cili për herë të parë na paraqitet si dramaturg. Regjisor është Spiro Duni dhe luajnë kryesisht aktorët e Korçës, por ka edhe aktorë të ftuar nga jashtë qytetit.

Nga Maqedonia vjen Teatri i Tetovës me shfaqen “ART”, me regji të Qëndrim Rijanit, i cili është njëri nga fituesit e edicionit të kaluar. Teatri “Petro Marko” i Vlorës do të paraqitet me shfaqen “Burrat e Analizës”, Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit me shfaqjen “Martesa” e Çehovit, Teatri “Dodona” nga Prishtina, me komedinë “Trangujt”. Festivali do të mbyllet me shfaqen e Teatrit Kombëtar të Tiranës “Sasha, Masha, Vanja” etj. Pas shfaqjes do të bëhet edhe ndarja e çmimeve. Dua të theksoj se ky festival përkon me 65-vjetorin e themelimit të Teatrit Profesionist të Korçës, ndaj gjatë netëve të festivalit para çdo shfaqje do ketë një rikujtim të aktorëve dhe regjisorëve që me krijimet e tyre thënë në mënyrë figurative kanë vënë nga një gur në kalanë e Teatrit të Korçës. Gjatë netëve të festivalit do të jenë të pranishëm emra të shquar të Teatrit gjithëshqiptar, nga Korça, Tirana, Shkodra, Shkupi, Prishtina etj.

 

Si ishte përvoja e vitit të kaluar? Nganjëherë nisma të tilla vazhdojnë me kokëfortësi të njerëzve të sakrificës, edhe pse nuk marrin përgjigje nga institucionet publike.

 

Përvoja e vitit të kaluar është shumë e mirë, por kjo nuk do të thotë se, ne nuk nxorëm mësime nga ndonjë defekt, p.sh. në selektimin e shfaqjeve. Në fakt, kam pasur mbështetje edhe nga Bashkia, edhe nga sponsoret e bizneseve të Korçës, të cilët edhe sivjet mbulojnë çmimet që u jepen fituese të festivalit. Sigurisht që mundësitë janë të kufizuara, por shpresoj që me vazhdimin e viteve fondi i festivalit do të rritet.

 

Zamira, jeni nga aktoret më aktive, por njëkohësisht jo e heshtur në çështjet e teatrit, të atyre nëpër rrethe. Si është kjo situatë për ju, kur dihet se paguheni shumë më pak se Teatri Kombëtar në Tiranë?

 

Unë jam natyrë që i them hapur gjërat, pavarësisht fondeve që kanë teatrot nëpër rrethe funksionojnë, këtë e tregon edhe pjesëmarrja e tyre në festivalin tonë. Ndërsa për sa i përket përkrahjes së Teatrit Kombëtar, është logjike, sepse ashtu si në të gjithë botën teatrot kombëtare janë përfaqësuese të kulturës kombëtare. Jo se ne nuk përfaqësojmë kulturën, por teatrot kombëtare kanë një status të veçantë. Ne jemi të barabartë me ta në konkurrencën artistike, pa dyshim. Gjithsesi, unë me drejtorin e Teatrit Kombëtar të Tiranës kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm, qoftë në këmbimin e aktorëve apo anës teknike të gjërave.

 

Si e ka pritur publiku korçar, këtë ngjarje, po nga rrethet kanë ardhur për ta ndjekur? Në edicionin e parë, vumë re se shumica ishin publik gra, madje aktive në “gjykime”, si e shpjegoni këtë?

 

Një nga të veçantat e Festivalit tonë është prania e artistëve të mëdhenj të aktrimit shqiptar, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të publikut. Pra është një publik i zgjedhur dhe profesionist, gjë që nuk ndodh në këtë masë me festivalet e tjera. Dhe një e veçantë tjetër, qe mua më shton guximin për të cilin me pyetët në fillim. Qytetaret e Korçës që presin festivalin, i presin artistët me shumë dashuri, jo vetëm brenda ambienteve të Teatrit, por edhe jashtë tyre. Ky besoj është çelësi i suksesit. Festivali është i mëshiruar me qytetin dhe qyteti me festivalin. Sa për gratë e shumta në publik dhe gjykim ndoshta ngaqë, unë vetë jam një grua, pastaj ju e dini atë shprehjen: ja korçare, ja hiç fare…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here