Debate në komision / Dekriminalizimi, PD: Doni shtyrjen, po do kryhet. PS: S’do ketë draft të përbashkët

0
133

 

 

komisioni dekriminalizimiTri orë debate në komision mes kërkesave të njëpasnjëshme të mazhorancës për çështje procedurale dhe synimit të opozitës për të përfshirë në diskutime ligjin e saj

 

Gëzim Saliu

 

Mes debatesh dhe diskutimesh të shumta u zhvillua dje mbledhje e komisionit të posaçëm parlamentar për dekriminalizimin, ku sërish palët treguan se janë shumë larg mundësisë së zgjidhjes së këtij procesi përmes një produkti final konsensual. Nënkryetari socialist i këtij komisioni, Taulant Balla, bëri të qartë mes debateve me kolegët demokratë se mazhoranca nuk do ta pranojë variantin e propozuar nga opozita duke pohuar: “Jam shumë i sigurt që në këtë komision nuk do të gjendet marrëveshje që të dalim me një draft të përbashkët, sado që të përpiqemi”. Mbledhja e cila zgjati gati tri orë u tejzagjat për shkak të debateve pa produkt si edhe kërkesave të njëpasnjëshme procedurale të socialistëve. Këta të fundit kërkuan të bëhej relacion mbi relacionin e raportit të Komisionit të Venecias që paraqet piketat se si mund të bëhet dekriminalizimi në Shqipëri. “Mazhoranca jonë e ka objektiv të saj miratimin e një kuadri rregullator ligjor brenda këtij sesioni, që do t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje, por nuk mund të pranojë që, ose miratohet drafti siç na ka ardhur nga opozita, ose këtu s’ka ligj!”, – deklaroi nënkryetari i komisionit, Taulant Balla. Në përgjigje, deputeti Strazimiri pohoi: “O duhet të kishe ti urgjencë të fikeshin dritat e gjithçkaje dhe të merreshe vetëm me dekriminalizimin, të thoshe: Shiko, ky vend nuk ka reformë tjetër, ka vetëm këtë. Nuk është çështja që berberi qeth pa kasë, as çamçakizi që del pa kasë. Informalitetin e paskemi këmbëkryq në Parlament. Ju vetëm dekriminalizimin që s’e keni me urgjencë. Keni thjesht mungesë vullneti politik”, – iu përgjigj anëtari demokrat i komisionit.

 

Debati dhe drafti i opozitës

Maxhoranca që në nisje të mbledhjes e deri në fund të saj ngriti pretendimet se drafti i opozitës është në kundërshtim me raportin e Venecias, pretendim ky që u hodh poshtë nga deputetët demokratë të komisionit të posaçëm. Demokratët i konsideruan përpjekje për të shtyrë dekriminalizimin qëndrimin e shumicës që, sipas tyre, kapet pas praktikave procedurale. Një pikë tjetër që shkaktoi debat mes palëve aq sa u desh dhe ndërprerja e mbledhjes me 5 minuta, ishin amendimet kushtetuese që opozita kërkon si domosdoshmëri për ligjin e dekriminalizimit. Mazhoranca e cila mori edhe 5 minuta pushim për të vendosur u shpreh kundër pasi rregullorja sipas saj parashikon qartë se nuk është një komision i posaçëm që mund të ndërmarrë një veprim të tillë. Peng këtë ligj nuk e merrni dot! Rrini, ikni, bëni procedurë. Sot PD ka nisur mbledhjen me qëllim për të diskutuar nenin 1. Kemi 2 orë që nuk kemi filluar diskutimin e nenit 1”, – deklaroi anëtari demokrat i komisionit, Eduart Halimi. Por sipas socialistëve me draftin e tyre opozita po kërkon miratimin e një produkti të njëanshëm pa marrë parasysh alternativat që mund të vijnë nga mazhoranca. “Ju kërkoni t’i qëndroni edhe asaj nisme, edhe kësaj pune këtu në komision, do të thotë që ka një produkt të paracaktuar, që do të thotë se nuk keni pse kërkoni konsensus dhe produkt të përbashkët në këtë komision”, – replikoi anëtari socialist, Ulsi Manja. Por pas thuajse tri orë debatesh, demokratët arritën të prezantonin piketat e draftit që ndryshon Kushtetutën dhe ndërpret mandatin e çdo të zgjedhuri me rekorde kriminale. “Ajo që është e sigurtë është që kriminelët as që duhet të qëndrojnë në institucione, as do të hyjnë në të ardhmen. Ky është objektiv për të cilin kemi vendosur kritere që kriminelët që sipas dozës së krimit t’i rrinë sa më larg administratës dhe institucioneve”, – tha kreu i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi. Pas kësaj, mazhoranca theksoi se do ta lexojë draftin e opozitës dhe në ditët në vijim pritet që shumica të prezantojë draftin e saj për dekriminalizimin.

 

Debatet

Balla: Propozoj që dy anëtarë të komisionit të posaçëm, nga mazhoranca zonja Hysi dhe nga opozita njëri prej anëtarëve, brenda një kohe të shkurtër të na bëjnë një përmbledhje të raportit të ardhur nga Komisioni i Venecias.

Bylykbashi: Të gjithë anëtarët e komisionit kanë marrë dijeni për të gjithë brendinë e raportit të komisionit, material shumë i vyer. Gjykoj që ky komision nuk mund të diskutojë mbi raportin.

Halimi: Ne nuk kemi tagër të diskutojmë e ka mirë se ka mirë Komisioni i Venecias, nuk e bëjmë dot këtë. Qytetarët presin sot, pikën e parë drafti i ligjit për dekriminalizimin. Sigurisht duhet ndryshuar Kushtetuta.

Braho: Duam të marrim opinionet e forcave politike që përfaqësojmë për ndryshimet kushtetuese, e shtyjmë për nesër.

Halimi: Po shkon dy orë për të marrë peng ecurinë e punës së këtij komisioni.

Braho: Ju i keni ndryshuar brenda natës dispozitat, s’ke qenë ti atëherë… ndryshimi i Kushtetutës nuk bëhet kollaj.

Halimi: Të fillojmë njëherë çfarë problemi ka, se dukeni edhe keq, ngrini paqartësi, bëni pyetje… jo test droge, jo ndërprerje mandatesh, këto tri gjëra keni ju, pa këto nuk ka dekriminalizim, ne jemi të vendosur ta bëjmë, ne nuk e ndërpresim këtë mbledhje, do ta vazhdojmë. Po të doni rrini, po të doni largohuni, kusuri i shqiptarëve ne këtu do të vazhdojmë.

Bylykbashi: Kur mazhoranca ka dashur të kalojë një ligj më kompleks siç ishte ligji i arsimit të lartë, mazhoranca ka ndenjur deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Balla: Kërkojmë 5 minuta pushim që mazhoranca të vijë me një propozim konkret, të shprehemi, do bëhemi ne pjesë e shkeljes së Kushtetutës apo jo.

Bylykbashi: (kërkon fjalën) Po Strazimiri.

Balla: Merri leje Strazimirit që të na japë leje ne……….Z. kryetar. Jam shumë i sigurt që në këtë komision nuk do të gjendet marrëveshje që të dalim me një draft të përbashkët, sado që të përpiqemi.

Strazimiri: Mos merrni rolin e Penelopës këtu, sepse është model shumë i vjetër dhe shumë joserioz.

Manja: Ju kërkoni t’i qëndroni edhe asaj nisme, edhe kësaj pune këtu në komision, do të thotë që ka një produkt të paracaktuar, që do të thotë se nuk keni pse kërkoni konsensus dhe produkt të përbashkët në këtë komision.

Strazimiri: Nuk është çështja që berberi qeth pa kasë, as çamçakizi që del pa kasë. Informalitetin e paskemi këmbëkryq në Parlament. Ju vetëm dekriminalizimin që s’e keni me urgjencë. Keni thjesht mungesë vullneti politik.

Bylykbashi: Ajo që është e sigurtë është që kriminelët as që duhet të qëndrojnë në institucione, as do të hyjnë në të ardhmen. Ky është objektiv për të cilin kemi vendosur kritere që kriminelët që sipas dozës së krimit t’i rrinë sa më larg administratës dhe institucioneve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here