Blushi dhe Hafizi me nismë në Kuvend për minimumin jetik

0
159

Dy deputetët e partisë LIBRA, Ben Blushi e Mimoza Hafizi, kanë paraqitur në Kuvend një nismë ligjore për përcaktimin e minimumit jetik për familjet e varfëra në Shqipëri. Përmes një deklarate, deputetja Hafizi ka dhënë më shumë detaje rreth kësaj nisme.

LIBRA kërkon një debat të hapur për këtë çështje derisa minimumi jetik të miratohet nga Qeveria dhe më pas Kuvendi. Më poshtë deklarata e plotë e deputetes Hafizi:

Sot ne dy deputetët LIBRA, pas një diskutimi të hapur lidhur me kauzën tonë të Minimumit Jetik, dorëzuam në Kuvend një nisëm ligjore.

Ne propozojmë që në ligjin nr. 9355, datë 10.3.2005 “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE” të ndryshuar, të bëhen disa shtesa dhe ndryshime, të cilat do e detyrojnë llogaritjen dhe njohjen nga shteti shqiptar, të minimumit jetik.

Minimumi jetik përfaqëson madhësinë e të ardhurave në para që duhet të ketë çdo person për të siguruar kushte minimale për jetesë, pra për t’u ushqyer, ngrohur, strehuar, arsimuar, për transport e kujdes shëndetësor.

Zëri më domethënës i minimumit jetik është e drejta për t’u ushqyer, si një e drejtë kushtetuese dhe themelore e jetës.

Edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut mbështetet në parimin se askush nuk mund të diskriminohet në dinjitetin e tij. Por, varfëria nën minimumin jetik është pikërisht cënim i dinjitetit të njeriut.

Shtetet europiane, Franca, Gjermania, Italia, etj. e njohin të gjitha minimumin jetik për qytetarët e vet. Edhe vendet përreth nesh, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, etj., e njohin, e shpallin, e marrin në konsideratë.

Me nismën tonë ligjore, ne kërkojmë që minimumi jetik të jetë kusht për politikat shtetërore sociale. Njohja e tij do të sjellë për rrjedhojë edhe kushte të reja për pagesat në sektorin publik dhe privat.

Nisma jonë ligjore pason disa përpjekje për llogaritjen e minimumit jetik në Shqipëri. Së fundmi, institucioni i Avokatit të Popullit ndërmori një studim lidhur me këtë çështje dhe gjeti vlerën 16,000 lekë si shumë monetare që përfaqëson nevojën për kushte minimale jetese. Ky studim bazohej në rekomandimet e Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) mbi kërkesën minimale ditore për 2288 kalori për çdo njeri, shpërndarë në proteina, yndyrna dhe karbohidrate. Ky studim merrte gjithashtu në konsideratë edhe shpenzimet e tjera të konsumit joushqimor.

Ne kërkojmë që minimumi jetik të llogaritet nga Këshilli i Ministrave dhe të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, përmes një debati të hapur përpara qytetarëve. Ky tregues i respektimit të dinjitetit njerëzor, ky kod i marrëdhënieve humane, nuk mund të rrijë më i panjohur në vendin tonë.

Me ndryshimet që propozojmë, ne kërkojmë që shteti të ketë ambicien që asnjë qytetar i Republikës së Shqipërisë të mos marrë të ardhura më të pakta se minimumi jetik, pavarësisht nga gjendja, mosha, vendbanimi a mundësitë për punë. Ne besojmë që shteti shqiptar, përmes një administrimi korrekt të financave, e ka plotësisht të mundur ta realizojë këtë objektiv.

Përmes minimumit jetik do të përfitojnë me qindra mijë shqiptarë që sot jetojnë në varfëri ekstreme, por që mund të dalin nga realiteti i hidhur e të integrohen njerëzisht në jetën e vendit të tyre. Do të përfitojnë mbi 400 mijë njerëz në ndihmë ekonomike, qindra mijë pensionistë, mijra të papunë dhe shqiptarë me aftësi të kufizuara.

Minimumi jetik, duke marrë atributet e së drejtës themelore të çdo shqiptari, do të jetë revolucioni human, që e kthen shtetin tonë me sy nga njerëzit e vet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here