Superliga Shqiptare Skënderbeu triumfon minimalisht ndaj Vllaznisë

0
174

 

 

kombetarja shqiptare“Ujqërit e dëborës” kanë arritur të marrin një sukses minimal ndaj shkodranëve, duke treguar edhe një herë që janë pretendentë për titull

 

 

Kategoria Superiore vazhdon të hedhë hapat e saj të parë dhe të tregojë ekipet që janë në formë dhe ato që kanë nevojë për punë. Një tjetër fitore 1-0 për Skënderbeun, e mjaftueshme për korçarët për të regjistruar suksesin e dytë në kampionat dhe për të qenë sërish në krye të Superiores bashkë me Teutën. Një gol i Renato Arapit vendosi në ndeshjen me Vllazninë, të luajtur në Pukë. Tri pikë më se të merituara për formacionin e Josës, që dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund, ndërsa lojtari më i mirë nga “Supersport” u shpall Bernard Berisha, që ishte i pandalshëm në krah. Pavarësisht nga mungesat Skënderbeu mori kontrollin e lojës që në fillim, duke u shfaqur rrezikshëm përpara portës shkodrane, që në minutat e para. Në të 8-ën Olayinka arriti të merrte krahun e djathtë, pasoi për Salihin, por aksioni nuk u finalizua. Gjithsesi goli nuk vonoi pasi në të 15-ën, Arapi me një goditje të fortë arriti të mposhtë Dragojevicin për epërsinë e korçarëve. Një minutë më pas Salihi pati mundësinë për të dyfishuar shifrat, por pavarësisht se dribloi dhe portierin nuk arriti të shënojë. Salihi ishte protagonist dhe në minutën e 18-të, me një goditje me kokë, ndërsa pak sekonda më pas sulmuesi shkodran u detyrua të lërë lojën pas një shqetësimi në kofshën e djathtë duke u zëvendësuar nga Hristov. Në fushën e lojës ishin vetëm korçarët, që në të 30-tën iu afruan dhe njëherë tjetër golit me një kthesë të Nimagës, ndërsa pesë minuta më pas rrezikoi dhe Progni. Në të vetmen herë që Vllaznia në pjesën e parë u përpoq të rrezikonte portën e Shehit, Shtubina e gjeti veten në pozicion jashtë loje. Pjesa e dytë nisi sërish me Skënderbeun në kontroll të sfidës, dhe pse Kampionët rastin e parë e regjistruan në të 60-ën kur Olayinka dhe Arapi nuk u kuptuan mes tyre duke i prishur punë njëri-tjetrit. Katër minuta më pas Berisha mori krahun dhe la në qendër për Lilajn, që goditi në qendër ku gjeti reagimin e portierit Dragojevic. Skënderbeu kërkonte të mbyllte ndeshjen, por dhe në të 69-ën Nimaga nuk e gjeti atë për pak centimetra. Në 10 minutat e fundit Vllaznia kërkoi të arrinte te barazimi por nuk krijoi raste të pastra për gol me Skënderbeun që mbrojti mirë rezultatin duke marrë fitoren e dytë në kampionat, për t’ju bashkangjitur Teutës në krye. Pikë në transfertën me Vllazninë ishte ajo që Mirel Josa kërkonte nga skuadra e tij. Trajneri i Skënderbeut u shpreh i kënaqur për fitoren, por i kërkoi të tijve që të jenë më pragmatist përpara portës për të mbyllur ndeshjen me një gol të dytë. “Ne duhet ta kishim mbyllur ndeshjen, në mënyrë që të ishim më të qetë. Megjithatë jam shumë i kënaqur. Periudha e tanishme do të jetë shumë delikate dhe fakti që do të kemi ndeshje pothuajse çdo tri ditë duhet të na bëjë që të realizojmë kur të na paraqiten mundësitë. Pasi pikët janë ato që na interesojnë. Dëmtimi i Salihit është ai që shqetëson te korçarët, dhe Josa pranoi se sulmuesi mund të mungojë për disa javë. “Salihi u dëmtua në biceps, por me shumë gjasa për 3 javë nuk do të jetë, të paktën sipas asaj që tha mjeku. Por të presim çdo të thotë mjeku”. Për Luan Zmijanin, Skënderbeu e meritoi fitoren pavarësisht se skuadra e tij u përpoq t’i bënte ballë kampionëve. “U munduam të reagonim pas pësimit të golit, por Skënderbeu mbetet Skënderbeu dhe me meritë i ka këto rezultate. Sa na përket ne, rezultatet janë negative, pasi janë dy humbje radhazi, por kemi pasur dhe shumë dëmtime. Unë besoj se në ditët në vazhdim ekipi do të gjejë rezultatet që priten prej nesh dhe as që bëhet fjalë për ndonjë rrëzim”.

 

 

Shkurte

 

Cana prezantohet te Nanta

 

Lorik Cana u prezantua zyrtarisht me skuadrën e tij të re, Nanta. Kapiteni i Shqipërisë, që firmosi vetëm në ditën e fundit të merkatos me klubin nga “La Beaujoire” një kontratë dyvjeçare, pas ndeshjes me Portugalinë iu bashkua skuadrës së tij të re në qendrën stërvitore të “La Joneliere”, ku u prit nga drejtues të ekipit francez. Cana u njoh gjithashtu dhe me ambientet e klubit dhe dhomat e zhveshjes, ku pozoi dhe me fanellën numër 5. Ndërkohë që në seancën e tij të parë stërvitore me skuadrën e re, pas transferimit nga Lacio, Cana u shoqërua gjatë gjithë kohës nga futbollisti tjetër i kombëtares, Ermir Lenjani, që nuk e la për asnjë moment vetëm kapitenin. Cana cilësohet si një blerje shumë e rëndësishme për skuadrën e Nantës dhe mendohet se mund të debutojë që këtë fundjavë me skuadrën e tij të re në ndeshjen ndaj Renës, që do të jetë e veçantë mbi të gjitha për Lenjanin, i cili do të luajë ndaj ish-ekipit të tij.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here