“Migrimi është pjesë e historisë së njerëzimit”

0
153

 

 

fq.12Nga Carlos Lopes*

 

Që nga fillimi i vitit në ekranet tona televizive shohim gjithnjë e më shumë një masë të dëshpëruar njerëzish në përpjekje për të arritur vendet evropiane. Komisioneri përgjegjës për Migracionin deklaroi se kjo është kriza më e rëndë e refugjatëve që prej Luftës së Dytë Botërore. A është kështu?

Ndoshta kështu perceptohet në Evropën Perëndimore, por nuk është kështu me të vërtetë.

Migrimi është pjesë e zhvillimit njerëzor, që kur majmunët e parë filluan të largoheshin nga Rift Valley afrikan. Por historia e njerëzimit është aq e shumanshme dhe komplekse, saqë për ne është e vështirë që ta njohim këtë origjinë të largët, të përbashkët. Për të gjithë ne është më e lehtë t’i referohemi të kaluarës së afërt, në të cilën nga ngjarjet dhe ndërveprimi shoqëror janë formuar identitetet tona. Por njohuritë tona për historinë janë selektive. Shumica e italianëve kanë harruar ndoshta qëkur se ata themeluan kombe të tëra, si Argjentina dhe Uruguai. Britanikët mund të mos ndihen të lidhur me Australinë dhe Zelandën e Re, ashtu si edhe spanjollët dhe portugezët nuk i konsiderojnë ndoshta kombet e Amerikës së Jugut si të vetat, të shkaktuara nga krijimet e migrimit. Kinezët ndoshta kanë vetëm një ide të vagullt se përse një rajon i tërë në jugperëndim të vendit të tyre mban emrin Indokina. Dhe amerikanëve mund t’u duhet e pakëndshme të përmendet se një pjesë e madhe e vendit të tyre është blerë nga Meksika. Vetëm një kontinent në historinë e kohëve të fundit nuk përmendet në lidhje me këtë lloj migrimi, d.m.th. me emigracionin për të përfituar nga pasuritë e rajoneve të tjera, ai është Afrika! Kur kujton Afrikën, të shkon mendja më shumë te vuajtjet e skllevërve, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe trajtimi i padrejtë në nivel ndërkombëtar. Me gjithë rritjen e shpejtë ekonomike që nga fillimi i shekullit narrativa e kontinentit afrikan përcaktohet nga tema e migrimit. Vendet afrikane pranojnë më shumë emigrantë nga sa kontinenti eksporton emigrantë në botë. Fakt është se shumica e emigrantëve afrikanë e kërkojnë fatin në vende të tjera afrikane. Por forca tërheqëse e Evropës është e madhe. Njerëzit në mbarë botën, falë telefonave mobilë, e kanë tani më të lehtë të marrin informacione. Angazhimi i Evropës për të drejtat e njeriut apo kërkesa e saj për vlera universale morale dëgjohet në mbarë botën. Mungesa e konsiderueshme e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar luajnë gjithashtu një rol. Në çdo moment të historisë rritja ekonomike i ka dhënë shtytje edhe emigracionit. Zhvillimi shkakton interes për një jetë të re, më të mirë. Por shpërndarja e pasurive të reja, veçanërisht në fazën e hershme të një zhvillimi të tillë, është shumë e pabarabartë dhe e vështirë të parashikohet. Ata që nuk kanë akses në mirëqenien e re të fqinjëve të tyre, guxojnë të marrin botën. Afrika është kontinenti më i ri dhe rinia e saj do të vazhdojë të rritet, ndërsa pjesa tjetër e botës po plaket. Kombet në plakje e kanë të vështirë të pranojnë se sistemet e tyre të mirëqenies nuk janë ngritur në mënyrë të qëndrueshme. Por është e qartë se piramida e popullatës duhet të mbetet e balancuar, me gjithë progresin teknologjik. Robotët dhe prona intelektuale nuk mund të paguajnë arkat e sigurimeve shoqërore dhe fondet e pensioneve, për këtë nevojiten njerëz dhe punëtorë prodhues. Guximi i jashtëzakonshëm dhe mbresëlënës i eksploruesve evropianë të detrave dhe vendeve të panjohura ka qenë shumë i vlerësuar. Ne e shohim të njëjtën guxim sot te emigrantët. Dhe ata drejtohen nga Evropa.

 

*Carlos Lopes është që nga viti 2012 kryetar i Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Afrikën (UNECA), me seli në Addis Ababa, Etiopi

 

 

 

Avramopulos dhe Timmermans në ishullin Kos: Gjendja e rënduar

 

Komisioneri Evropian për Refugjatët dhe zëvendëspresident i KE-së në Greqi

 

Në ishullin grek të Kosit, një prej vendeve kryesore ku përplaset vala e parë e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, ndaluan për pak kohë komisioneri Evropian për Refugjatët, Dimitris Avramopulos, dhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, me qëllimin të shihnin situatën nga afër. Raportet në mediat evropiane tregojnë se gjendja e emigrantëve atje nuk është aspak siç mund të imagjinohet: ushqimet nuk mjaftojnë për të gjithë, njerëzit shtyhen sapo punonjësit e ndihmave fillojnë e shpërndajnë ndonjë shishe uji, nuk ka tualete e as dushe; gjithë çfarë u rezervohet janë ca tuba uji që dalin nga toka. Vetë Avramopulos do të pohonte pas vizitës së shkurtër se për të ardhurit, kushtet janë çnjerëzore dhe se Brukseli kërkon që gjendja të ndryshojë. por më parë duhet bindur kryetari i Bashkisë së Kosit, Giorgos Kyritsis, që deri më sot e ka refuzuar me forcë ngritjen e një qendre pritjeje për refugjatët. Frika e tij është se ngritja e një qendre të tillë mund të frikësojë turistët, duke i larguar nga ishulli piktoresk. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as incidentet e dhunshme. Në prag të vizitës së zyrtarëve nga Brukseli, neonazistët e Agimit të Artë sulmuan dhe rrahën refugjatë para stacionit të policisë. Përfaqësues të organizatës se bamirësisë “Metadrasi” janë të bindur se tensionet i kërkon kryebashkiaku i Kosit dhe zvarritjet në procedurën e regjistrimit nuk janë rastësore. Sipas tyre, ajo qëllimisht është organizuar shumë ngadalë për t’i mërzitur e zmbrapsur refugjatët. Diskutimet tani janë përqendruar tek mundësia e shndërrimit në kamp pritjeje të një baze të vjetër ushtarake. Paratë nuk mungojnë, sepse BE-ja ka në buxhet deri në 450 milionë euro vetëm për ndihma për refugjatët në Greqi. Por kërkesa në Bruksel mundi të bëhej vetëm pas krijimit të qeverisë provizore greke. Siç pohoi dhe vetë Avramopoulos, shpreson që shumë shpejt do të mund të alokohen 30 milionët e parë.
 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here