Basha mbledh kryesinë /Plani i opozitës për sesionin e ri: Nga debati parlamentar tek protestat. Debati brenda së djathtës

0
108

 

Në fokus të axhendës së opozitës, plani i shpëtimit për situatën ekonomike, reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimitbasha me kryesine

Gëzim Saliu

 

Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, kreu i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dje në selinë blu kryesinë e grupit kuvendor demokrat. Në këtë takim u diskutua axhenda paraprake që pritet të ndjekë opozita në ditët dhe muajt e ardhshëm, ku fokusi kryesor i saj do të jetë i përqendruar tek aksioni në parlament si edhe mundësia e mbajtjes së protestave kundër qeverisë në rrugë. Lidhur me këto të fundit, PD duket e ndarë në qëndrime, pasi një pjesë e saj mbështesin fort protestat dhe opozitën ballore ndaj mazhorancës qeverisëse e ndërsa një pjesë tjetër janë në krahun e një opozite konstruktive dhe dialogu, duke lënë mënjanë përkohësisht protestat. Por pavarësisht dyshimeve për këtë çështje e cila pritet të debatohet më gjerë në mbledhjen e parë të grupit parlamentar demokrat për këtë sesion, vetë kryedemokrati Basha duket i vendosur për mbajtjen e protestave në vjeshtë, por duke mos lënë mënjanë angazhimin e opozitës për reformën në drejtësi dhe procesin e dekriminalizimit.

 

Mbledhja e kryesisë

Mbledhja me dyer të mbyllura e kryesisë së grupit parlamentar e thirrur nga kryetari Basha zgjati dje për më shumë se 1 orë. Sipas burimeve pranë selisë blu në këtë takim diskutimi u përqendrua tërësisht tek axhenda e opozitës në sesionin e ri parlamentar, duke u ndalur specifikisht në qëndrimin që do të mbahet në lidhje me projektet më të rëndësishme. Kështu në mbledhje palët kanë rënë dakord se prioritet i axhendës së opozitës në këtë sesion do të jetë plani i shpëtimi ekonomik të vendit, pasi sipas demokratëve me këtë qeveria Shqipëria po rrezikon recensionin. Ndërkaq një pikë tjetër e rëndësishme e aksionit opozitar do të jetë edhe angazhimi i demokratëve në reformën në drejtësi, ku siç bëhet e ditur në fund të javës selia blu do të paraqesë propozimet konkrete të saj lidhur me këtë çështje. Po ashtu me rëndësi parësore është cilësuar edhe procesi i dekriminalizimit të Kuvendit dhe administratës publike, ku opozita do të synojë të ecë më me shpejtësi në punimet e komisionit të posaçëm të ngritur në parlament për këtë çështje duke synuar shmangien e atyre që i ka cilësuar si pengesa të pajustifikuara nga ana e mazhorancës. Ndërkaq, një ndër temat më të diskutuara të aksionit opozitar mbetet çështja e protestave. Më parë kryedemorkati Basha kishte deklaruar se opozita do ta përqendrojë në dy fronte aksionin e saj: në parlament përmes debatit për ligjet e qeverisë si edhe në rrugë përmes protestave kundër ekzekutivit “Rama”. Por nga ajo deklaratë deri më tani duket se gjendja ka ndryshuar pasi demokratët janë ende të ndarë lidhur me zhvillimin ose jo të protestave në këtë sezon vjeshte. Një pjesë e mirë e grupit parlamentar mbështesin zhvillimin e protestave duke theksuar se vetëm përmes tyre do të mund të ndryshohet kursi i gabuar i qeverisë. Nga ana tjetër një pjesë e demokratëve janë skeptikë lidhur me kohën e realizimit të këtyre protestave si edhe me impaktin që ato do kenë tek qytetarët. Në këto kushte do të jetë kryedemokrati Basha dhe grupi i PD-së i cili do të duhet të vendosë nëse opozita do ti rikthehet protestave kundër qeverisë apo do të synojë përballjen e fortë në parlament duke përcjellë në të njëjtën kohë edhe alternativat e saj për ndryshimin e situatës aktuale në vend.

 

 

Këshilltarët e PD-së në Kavajë dhe Krujë nuk njohin kryetarët e bashkive: Janë të inkriminuar

 

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Kavajës si edhe ata në Bashkinë e Krujës nuk njohin kryetarët e bashkive përkatëse, duke i cilësuar Elvis Roshin dhe Artur Bushin si të inkriminuar. “Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Kavajës nuk e njohin kryetarin e kësaj bashkie dhe kanë vendosur të mos marrin pjesë në mbledhjet e thirrura prej tij. Këshilltarët demokratë nuk njohin legjitimitetin e një kryetari Bashkie si Elvis Roshi, me precedentë të rëndë penalë, një përfaqësues të trafikut të drogës. Po ashtu, edhe këshilltarët demokratë të Bashkisë së Krujës, nuk e njohin për kryetar Bashkie, Artur Bushin, person i arrestuar dhe i proceduar nga policia italiane për trafik droge. Këshilltarët demokratë të këtyre bashkive besojnë se qytetarët e Kavajës dhe të Krujës, meritojnë të përfaqësohen nga persona me integritet të lartë e që janë në shërbim të tyre, dhe jo nga njerëz të inkriminuar që janë në shërbim të pushtetit të tyre personal”, – thuhej në njoftimin e PD-së.

 

 

Denoncimi i PD-së

Kaso: PS, presion nëpunësve të administratës për votën, ja dokumenti

 

Partia Demokratike vazhdoi dje denoncimin e manipulimit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit ku përmes përfaqësuesit ligjor Ivi Kaso ka akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Rama si urdhëruesin e manipulimit të votave. “Format e blerjes së votës, të presionit dhe shkeljes së standardeve nga dyshja Rama-Meta kanë qenë të gjithanshme. Kemi këtu një dokument të bërë publik nga media, që Partia Socialiste e ka shpërndarë masivisht tek funksionarët publikë në institucione. Ky dokument, shërbente për të evidentuar në listë nëpunësit e administratës shtetërore, për të kontrolluar votën e tyre, dhe për t’u bërë atyre presion me largim nga puna në rast se nuk hidhnin votën për kandidatët e qeverisë, duke i gjurmuar ata deri tek qendra e votimit”, – tha ai. Sipas Kasos, ky dokument dhe kjo metodë është dëshmi e presionit kriminal ndaj administratës publike, e shantazhimit të saj sistematik për ta detyruar të votojë kandidatët e qeverisë. “Frymëzuesi, madje urdhëruesi i kësaj metode është Edi Rama, i cili porositi vetë drejtpërdrejt drejtorët e administratës të mbushin kutitë me vota duke ju thënë shprehimisht: “Çdo drejtor, çdo shef, çdo përgjegjës, çdo person që ka marr një fije pushtet nga PS, dhe nga LSI do ketë detyrë konkrete. Dhe detyra konkrete do të jetë: Sa kuti votimi do të kesh ti nën përgjegjësinë tënde personale”. Konstatimi i këtyre shkeljeve dhe dhunimeve të standardeve zgjedhore detyruan institucionet ndërkombëtare të flasin njëzëri dhe të dënojnë edhe në raportet paraprake; presionin politik ndaj administratës, zgjedhësve dhe institucioneve, blerjen masive të votës, dhe përfshirjen e kontigjentit kriminal, që minuan besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor”, – deklaroi ai. Në këtë kontekst përfaqësuesi ligjor i PD-së theksoi se mazhoranca pretendon se mashtrimet, kriminalizmi dhe korrupsioni qeveritar janë legalizuar me votën e shumicës së qytetarëve. “Kjo nuk mund të ndodhë në zgjedhje të lira. Por mund të imponohet përkohësisht në zgjedhje të kapura si ato të 21 qershorit. Vetëm përkohësisht. Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë dhe bashkë me qytetarët do ta flakë zgjedhën e regjimit oligarkik të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Pushteti i vjedhur dhe i blerë nuk ka të ardhme”, – përfundoi Ivi Kaso.

 

 

 

Reforma në drejtësi

 

Halimi: Platforma e PD-së gati javën e ardhshme, analiza dhe strategjia e mazhorancës e njëanshme

 

“Vetëm nëse mazhoranca merr në konsideratë qëndrimin e PD-së, ne do jemi pjesë e komisionit”

 

Partia Demokratike do të bëjë publike në fund të javës qëndrimin e saj në lidhje me reformën në drejtësi. Në një prononcim për mediat, nënkryetari demokrat i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Eduard Halimi, u shpreh dje se ekspertët e opozitës kanë punuar lidhur me dy dokumentet që mazhoranca i ka konsideruar si të përfunduara, siç janë analiza dhe strategjia. Deputeti demokrat theksoi se nëse mazhoranca merr në konsideratë qëndrimin e opozitës, atëherë ata do të jenë pjesë e kësaj reformë për të dhënë impaktin e tyre. “Ekspertët e propozuar nga PD janë duke përfunduar punën e tyre lidhur me dy dokumentet, të cilat mazhoranca i ka konsideruar të përfunduara dhe strategjinë e ka lënë të hapur për diskutim. Javën e ardhshme ekspertët do të paraqesin para grupit parlamentar të PD-së, por edhe para mediave qëndrimin tonë lidhur me dy dokumentet për reformën në drejtësi dhe ne besojmë se këto dokumente, me analizën dhe strategjinë, platformën e PD për reformën në drejtësi dhe ne besojmë se këto do të rishihen nga ana e mazhorancës në mënyrë që të kemi një qëndrim të përbashkët. Për ne dokumenti i analizës dhe i strategjisë janë dokumente të hartuara në mënyrë të njëanshme pasi nuk ka marrë pjesë opozita. Opozita është gati që të japi impaktin e vet, e cila javën e ardhshme do të prezantohet nga ekspertët e vet dhe me pas do paraqitet në komisionin parlamentar, në rast se mazhoranca do marrë në konsideratë qëndrimin e opozitës ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e reformës në drejtësi dhe do japin impaktin konkret”, – theksoi ai. Më tej Halimi theksoi se është e rëndësishme është që të bëhet e qartë që opozita nuk mund të jetë fasadë e mazhorancës. “Opozita është për të dhënë impakt konkret se si opozita mendon reformën në drejtësi, si e ka platformën, një drejtësi e cila të jetë e pavarur, por dhe e pakorruptuar. Një reformë që të bëj të mundur largimin nga sistemi të gjyqtarëve të kapur politikisht, të gjyqtarëve të paaftë dhe të korruptuar dhe ta mbajë sistemin e drejtësisë larg duarve të politikës. Pikërisht kjo platformë konkrete do t’i paraqitet javën e ardhshme nga PD, ekspertët e propozuar dhe më pas, pasi të marrë dhe diskutimet në grupin parlamentar të paraqitet në emër të PD-së publikut dhe komisionit të posaçëm parlamentar”, – deklaroi ai.

 

 

Rama i ka vënë emrin e vet rrugës?! Berisha: U bë si “Don Corleone”. Bashkia: Nuk ekziston

 

Media bëri të ditur dje se vetëm përmes një kërkimi të lehtë në “Google Earth” ose “Google Maps” mund të verifikosh se një rrugë në Surrel ka marrë emrin e Kryeministrit Edi Rama. Lidhur me këtë lajm ka reaguar dje edhe ish-kryeministri Berisha, i cili e identifikoi Kryeministrin Rama me personazhin e filmit “Kumbari”, Don Corleone, i cili ka qenë një prej drejtuesve kryesorë të mafies italiane në SHBA. “Mediat njoftojnë se Rama i ka vene rruges ku banon ne Surrel emrin e tij. Po ju rikujtoj këtu se sarajet e tij ne Surrel jane simboli me i shemtuar i korrupsionit. Ne vitin 2011 ai deklaroi se kishte si kursime vetem 3 mije euro, nderkohe qe vetem pigmenti i betonit ka kushtuar 76 mije euro dhe ne hipoteke ka deklaruar se token truall te sarajeve e ka blere me 2$ metrin katror ne nje kohe kur aty toka shitej me 50$ metri katror. Tani prisni kur te shpalle rrugen prone personale!”, – shkruante Berisha. Ndërkohë, lidhur me këtë lajm reagoi edhe Bashkia e Tiranës, e cili e cilësoi informacionin të rremë, ndërsa theksoi se nuk ekziston asnjë rrugë me emrin “Edi Rama” në territorin shqiptar. “Duke u nisur nga një informacion që po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale dhe i botuar në disa faqe online, Bashkia e Tiranës kërkon të sqarojë opinionin publik se në territorin e saj nuk ekziston asnjë rrugë, e cila të mbajë emrin “Edi Rama”. Sipas ligjit, emrat e rrugëve të qytetit vendosen ose ndryshojnë vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Bashkia e Tiranës bën me dije se në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës apo të këshillave të ish-komunave, të cilat tashmë janë pjesë e Bashkisë së Tiranës, nuk ka shqyrtuar e as ka pasur në plan ndonjëherë për të shqyrtuar një vendim të tillë. Çdo informacion tjetër për këtë çështje është i rremë apo nga burime të pasakta e të pavërteta”, – deklaroi Bashkia e Tiranës.

 

 

PD, Vokshi: Qeveria me bilanc tragjik, prej 2 vitesh, 26 qytetarë kanë humbur jetën në miniera

 

Partia Demokratike reagoi dje përmes deputetes Albana Vokshi lidhur me situatën e rëndë në minierat e vendit, ku vetëm në dy vite kanë humbur jetën 26 qytetarë shqiptarë. “Partia Demokratike është e tronditur nga vdekja në minierën e Selishtës të Miftar Loshës dhe Albert Loshës dhe dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave. Por sot është rasti të denoncojmë qeverinë për neglizhencën vrastare ndaj minierave e kushteve në to, që po marrin çdo javë jetë njerëzish. Prej ardhjes së rilindjes, 26 qytetarë, familjarë që ushqejnë fëmijët me sakrificën e tyre, kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës. Ky është bilanci më tragjik i 25 viteve të fundit, dhe Kryeministri Edi Rama, ashtu si edhe në të gjithë rastet e tjera që prej ardhjes në pushtet, nuk gjen 1 minutë kohë as për ngushëllime”, – theksoi Vokshi. Më tej deputetja e PD-së theksoi se kur ishte në opozitë Kryeministri Rama shfrytëzonte çdo ngjarje në minierë për të përfituar politikisht. “Ai premtoi se do të ofronte siguri e kushte të mira pune, por mashtroi. Mashtroi dhe braktisi premtimet dhe minatorët. Edhe sot një ditë pas tragjedisë ku humbën jetën dy familjarë në minierën e Selishtës, edhe pse foli një orë para medias, nuk gjeti asnjë moment për të shprehur ngushëllimet. Sot çdo shqiptar e sheh Edi Ramën si përgjegjës për humbjen e jetës së bashkëqytetarëve tanë në miniera, për shkak të papërgjegjshmërisë, pandjeshmërisë dhe moskrijimit të kushteve të duhura të sigurisë”, – përfundoi Vokshi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here