Fantazma e pularisë

0
152

Nga Ramiz Memçaj*

Rastësisht, këto ditë te gazetashitësi, sytë më zunë portretin prej fantazme të Nexhmie Hoxhës. Epo thashë me vete, me sa duket, paska ikur prej kësaj bote. Dhe meqë po e blinin si më të kërkuarën, nxitova dhe e bleva edhe unë, megjithëse kisha pasur ndërmend të blija një tjetër. “AMANETI SEKRET” me germa kapitale?! Ç’të ishte ky AMANET?

Kur shkova të pija një kafe dhe ta lexoja me nge, te faqja e dytë, konstatova se fantazma na ishte një lloj mashtrimi kompjuterik, gruaja e diktatorit ishte gjallë dhe me një pamje tjetër. Epo, “s’e han dreqi gjanë e vet, nuk han mortja m…”

Na ishte një lloj artikulli ribotim, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së diktatorit kriminel, ku e ngrinte në qiell, ishte një lloj letre edhe si “amanet”, ku vidhte vrer kundër demokracisë, ku pa pikë turpi përshkruante “mundimet” që kishte hequr familja e Hoxhatëve, ku i thurte lavdërata gjysmës së familjes së Ilirit dhe Teutës dhe ku porosiste të ruheshin nga gjysma tjetër e kalbur e familjes Sokolit dhe Ilirianës-Lilianës.

I nevrikosur, gati fillova të flisja me vete: Si ka mundësi?! Kjo grua, që nuk kërkoi as faljen më minimale, as sa për sy e faqe, për krimet monstruoze të burrit të saj, as për të vetat, flet kundër demokracisë, e cila nuk e dënoi për krimet e kryera kundër popullit të vet, por e dënoi për çikërrima, kafe e biseda telefonike… Kjo “Ledi Makbeth” madje na kishte organizuar edhe një plenum ku kërkonte të forcohej lufta e klasave, ku kërkonte revolucionin botëror etj…

Por çfarë krimesh kishte në aktivin e saj Helena Çaushesku? Në krahasim me Enverin dhe Nexhmien, ishin ku e ku!

Ankohet Nexhmia se e kanë keqtrajtuar në burg?! Kur burri i saj dhe familja e saj, i kanë eliminuar fizikisht me mijëra e me mijëra kundërshtarët politikë, kur nuk kanë lënë ligësi në botë pa bërë për t’i poshtëruar kundërshtarët politikë e familjarët e tyre? I kanë dënuar, ridënuar, i kanë pushkatuar, i kanë shfrytëzuar si skllevër nëpër miniera… Ka gojë e mendim Nexhmie Hoxha e flet për “internimin” te pularia e Tiranës, ka gojë e mendim dhe përshkruan qëndrimin stoik dhe moralin e Teuta Hoxhës, kur na paska shkuar me një shofer besnik për të vizituar Ilirin në burgun e Kavajës?! Po a nuk të shkon mendja se me këtë rast ke ofenduar në mënyrën më diabolike dhe të vetëdijshme mijëra e mijëra nënat, motrat e bashkëshortet e të burgosurve dhe të internuarve të Shqipërisë, që kanë pritur me orë, ditë e vite e vite…

Unë vetë kam parë në burg të Spaçit një pulari-fjetore me 50 vetë në një dhomë, madje o ironi aty shkruhej edhe një parullë hipokrite e neveritëse: “Në socializëm është hequr shfrytëzimi i njeriut prej njeriut”. Për 6 vjet, 1973-1979 janë vrarë disa dhjetëra njerëz, janë ridënuar me dhjetëra të tjerë dhe nga afro 600 të burgosur ishte dyfishuar numri në 1200…

AMANETI yt shkon në makabritet…

Besoj se ti si plakë fantazmë nuk ke edhe aq faj, se ke qenë dhe je akoma edhe më e rrjedhur, por faji është i atyre që të botojnë ty dhe tërë racën tënde të kalbur…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here