Standardi i zgjedhjeve të 21 qershorit/ Vëzhguesit: KQZ po shkatërron procesin zgjedhor

0
115

Jetmir Olldashi

koalicioni i vezhguesve vendorKryetarja e KQZ-së pranon hapur se po shkel ligjin dhe vazhdon më tej duke vepruar në një mënyrë të tillë sikur kjo gjë është normë në institucionin më të lartë të administrimit të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shkel ligjin dhe po anashkalon Kodin Zgjedhor. Konkluzioni ka dalë nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, të cilët vazhdojnë ndjekjen e zbatimit të procedurave që po bën organi kryesor i administrimit të zgjedhjeve në vend. “KVV konsideron si një element aspak pozitiv frymën e vërejtur në qëndrimet e komisionerëve dhe të përfaqësuesve të forcave politike për të konsideruar procesin ankimor si një proces që përpiqet ta cenojë procesin zgjedhor. Madje, në diskutimet e shprehura prej tyre pranimi i ankimimeve do të thotë “bërje pis e zgjedhjeve””. Shqetësimet e ngritura konsistojnë edhe në diskutime ku vetë kreu i KQZ-së, Lefterie Luzi, pranon publikisht në diskutimet me përfaqësuesit e partive politike se po shkelet ligji. Në një pasazh të sjellë nga diskutimi i ditës mes zonjës Luzi dhe përfaqësuesit të PD-së Kosovrasti vihet re qartë anashkalimi i ligjit. “Mendoj që s’është e ligjshme të ndërhyhet nga KQZ-ja, as kryesisht, as me ankim në këtë fazë, për të korrigjuar tabelën e rezultateve”, – është shprehur zoti Kosovrasti, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ. Ndërsa i jep të drejtë dhe pranon se institucioni që ajo drejton po shkel ligjin, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, vazhdon më tej. “Kemi rënë në parim dakord për ta tejkaluar. Sigurisht është e drejtë ajo që thatë ju, sepse ligji nuk e parashikon “mot a mot”. Por ne e kemi marrë të mirëqenë faktin që ta bëjmë këtë ndryshim këtu në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke pasur parasysh edhe nenin 123, 122. I kemi bërë ne interpretimin. Ju keni të drejtë! (…) Po pra, keni të drejtë, kështu që vazhdojmë”. Akrobacitë e KQZ-së duket se do të jenë një element shtesë për prishjen e standardit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Dy janë problemet që ndeshen sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, ndërhyrja e paligjshme në tabelat e rezultateve dhe mospranimi i ankimimeve nga partitë e vogla. “Deri tani asnjë nga këto ankimime, të kryera kryesisht prej subjekteve politike joparlamentare, nuk është pranuar në shqyrtimet e kryera nga KQZ-ja. Kjo është një qasje tërësisht e gabuar jo vetëm ndaj frymës që paraqet Kodi Zgjedhor, por edhe ndaj standardeve të së drejtës. Sistemi i drejtësisë, qoftë edhe ai i drejtësisë zgjedhore, është një garanci e së drejtës dhe jo “një instrument” për të cenuar legjitimitetin e cilitdo procesi”. Vëzhgimet e monitoruesve vendorë do t’i vihen në dispozicion dhe ODIHR-it, i cili me siguri do t’i pasqyrojë në raportin final këto shkelje të paraqitura. “Kodi Zgjedhor nuk i jep asnjë të drejtë KQZ-së në korrigjimin, qoftë edhe të gabimeve materiale, e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve nga KZAZ-ja. Vetëpranimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një tejkalim të vullnetshëm të kuadrit ligjor, pas një vazhdimësie mosrespektimi në këto zgjedhje, duket se po e shndërron Kodin Zgjedhor në një Manual ose Memorandum Zgjedhor pa asnjë efekt normativ”. Sipas KKV-së, tashmë ndërhyrjet pa kriter të institucionit që do të duhej të administronte procesin sipas Kodit Zgjedhor, po minojnë të drejtën e palëve për të pasur drejtësi. Deklarata e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë shkon më tej, duke e quajtur KQZ-në si shkelësin e madh të ligjit. “Kur ky qëndrim shfaqet prej institucionit më të lartë të ngarkuar për organizimin zgjedhor, Kodi Zgjedhor nuk ka se si të konsiderohet më si “rregullator” prej të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në proces apo akoma më keq prej shkelësve të tij. Në gjithë këtë situatë, në kushtet edhe të mungesës së transparencës nga institucioni i KQZ-së, duke evidentuar këtu, ndër të tjera, mospublikimin ende të të gjitha vendimeve për kërkesat ankimore, si ato të shumë diskutuarat për bashkitë e Kurbinit dhe Vorës, vendimmarrja e këtyre dy ditëve është akoma më shqetësuese në pasojat që mund të sjellë në shpërndarjen e mandateve në dëm të subjekteve jo parlamentare”. Deklarata e vëzhguesve vendorë thekson se gjetjet e monitorimit të kësaj periudhe do të detajohen dhe do të jenë pjesë e raportit përfundimtar të monitorimit pas finalizimit të procesit zgjedhor. “Përballë këtyre zhvillimeve, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh shqetësimin e tij se edhe mungesa më e vogël e rigorozitetit dhe skrupulozitet në zbatimin e ligjit në vendimet në vazhdim për shpërndarjen e mandateve, mund të cenojë legjitimitetin e fituar të deritanishëm të këtij procesi zgjedhor”, – ka përfunduar deklarata për media e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.

 

Të zgjedhurit e PD-së/ Shametaj: Do ta takojmë në një moment tjetër Kryeministrin Rama

Kryebashkiakët e rinj të PD-së po presin momentin e përshtatshëm për të takuar Kryeministrin Rama. Deklarata e papritur është bërë nga i zgjedhuri i djathtë në Selenicë të Vlorës, zoti Përparim Shametaj. Sipas një deklarate të bërë nga kryebashkiaku i ri i Selenicës, opozita nuk ka pasur një vendim politik për të shmangur ftesën e Kryeministrit Rama, porse të zgjedhurit kanë pritur për një moment tjetër, për shkak të faktit se ata nuk kanë marrë ende mandatin nga institucionet e administrimit të zgjedhjeve. Shametaj në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” shkruan: “Njoftimi nuk ishte zyrtar dhe se kryetarët e bashkive nuk kishin marre ende mandatin. Kryetaret e bashkive qe kane fituar nen logon e Partise Demokratike dhe partive te djathta kane vendosur qe ta takojne ne nje moment tjeter kryeministrin Rama”. Në takimin e organizuar nga Kryeministri i vendit vetëm dy të zgjedhur demokratë “begenisën” të shkonin, ndërsa të zgjedhurit e tjerë argumentuan arsyet e mosshkuarjes me paligjshmërinë e ftesës. Kryebashkiakët e Dropullit dhe të Përmetit u paraqitën para Kryeministrit, ndërsa nuk dihej deri më sot për një vendim të tillë të të zgjedhurve të djathtë për një takim në një kohë të dytë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here