Skandali i jetimores në Shkodër/ Blendi Klosi: Ai që të rreh të do

0
130

Jetmir Olldashi

jetmi shkoderVokshi: Ju po mbroni drejtoreshën. Klosi: Para dy vitesh fëmijët hanin bukë me sheqer, ndryshimi në këto dy vite ka qenë marramendës!!!

Ndërsa ministri Blendi Klosi paraqiste në Parlament programin e BE-së për punësimin dhe inovacionin social, gjykata vendoste masën e arrestit për një kujdestare që zhdëpte në dru fëmijët e një jetimoreje në Shkodër. Sigurisht që pas diskutimit të ministrit pati debate dhe akuza në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë deputetja demokrate Albana Vokshi ajo që e ka risjellë edhe një herë për të gjithë shqiptarët këtë ngjarje, e cila tronditi çdo prind që ka fëmijë në shtëpinë e tij. “Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për bukë dhe ujë, por përveç këtyre kanë nevojë edhe për gjëra të tjera. Shkodra gjithmonë ka votuar djathtas dhe ju dy ngjarjet e fundit që ndodhën në Shkodër u munduat t’ia hidhnit fajin qeverisë së kaluar. Por përpiquni që ngjarje të tilla t’i ndaloni të ndodhin përsëri në të ardhmen”, – tha Vokshi. Ministri i cili zëvendësoi Erion Veliajn në dikasterin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i parapriu në fjalën e tij duke kërkuar nga kolegët të mos flisnin për ngjarjet e rënda të ndodhura në Shkodër. “Mendova se do kishit një lloj frike dhe ndrojtje për të ngritur historitë që ndodhën në Shkodër: Vrasjen e dy turistëve çekë dhe atë që ndodhi në jetimore. Ne morëm masa për të tre edukatoret që ishin të përfshira në video. Dje isha vetë atje dhe bëra disa takime dhe nesër kemi takim me të gjithë punonjësit socialë në të gjithë vendin për të përcaktuar disa kritere për menaxhimin dhe funksionimin e punës në këto institucione. Ajo që unë vura re dje atje ishte se të gjitha ato edukatore kishin mbi 20 vite që punonin në atë administratë dhe i kishin kaluar të gjitha partitë në administratë”. Triumfi dhe qetësia që ka ofruar zoti Klosi në trajtimin e një çështjeje kaq të rëndë ka sjellë replikën e ligjvënëses demokrate Albana Vokshi, e cila ia ka thënë përballë zhgënjimin e pësuar për mbrojtjen që zyrtari i lartë i ka bërë edukatores që ‘i rregullonte mirë’ fëmijët grindavec. “Për sa u përket kritereve, unë i kam pyetur personat në Shkodër dhe ata na kanë thënë nuk e dimë, nëse ju i dini tregojuani dhe atyre personave. Më zhgënjyese ishte përgjigjja juaj për ngjarjen e Shkodrës. Nuk e prisja që ju të mbronit drejtoreshën”, – ka thënë deputetja e PD-së në replikën e saj. Ndërsa zoti Klosi ka vazhduar të paraqesë situatën në institucionet që ai menaxhon, duke ftuar dhe opozitën të shkojë të bëjë “punë bindëse” me të rinjtë të cilët kanë nevojë, sipas ministrit, për pak menaxhim. “Nëse flasim për infrastrukturë këto foto e tregojnë më së miri këtë. Ajo që ka ndodhur atje ka të bëjë me sistemin administrativ. Ai ka degraduar komplet. Shkoni dhe shikoni qendrën e të moshuarve në Shkodër. Shkoni dhe bëjini ndonjë foto dhe tregojuani qytetarëve shqiptarë që ta kuptojnë atë qendër. Shkoni bëni ndonjë foto në qendrat ku menaxhoni ju dhe bëni krahasimin. Hajdeni nesër që së bashku t’u flasim të rinjve se si të menaxhojnë fondet që ne do t’u vëmë në dispozicion”. Ministri i Mirëqenies Sociale ka paraqitur një situatë rozë në institucionet e shumëdiskutuara, duke ftuar dhe opozitën të solidarizohet dhe të merret me edukimin e fëmijëve jetimë. “Edhe në atë qendër fëmije ju doni të bëni politikë, por për ju është e vështirë, sepse ndryshimi në atë qendër në këto dy vite ka qenë marramendës. Para dy vitesh infrastruktura aty ishte skandaloze, fëmijët hanin bukë me sheqer, me fatura të papaguara. Dhe tashmë është një situatë krejt tjetër. Dhe ja ku janë fotot reale se si ndryshon qendra kur ka një menaxhim të mirë. Ne kemi një mundësi më shumë të flasim dhe fjalën ta përdorim në të mirën e fëmijëve të Shkodrës dhe të familjeve atje. Ndaj së bashku hajde të aplikojmë këtë reformë. Bëhuni dhe ju më solidarë që të kemi sa më pak ngjarje si ajo e Shkodrës”, – shtoi ministri Klosi. Akuzave të ligjvënëses demokrate Klosi u është përgjigjur me buzëqeshje dhe duke mohuar me gjestikulacione se ai po mbronte drejtoreshën e institucionit ku fëmijëve u mësohej dhe vihej në jetë shprehja e vjetër ‘se druri ka dalë nga xheneti’. Ai tha se janë marrë masat për të tre edukatoret që ishin të përfshira në video. Klosi solli disa foto të disa qendrave ku tregohej gjendja e tyre para dy viteve dhe se si ishin transformuar ato sot.

 

Gjykata lë në burg dhunuesen e jetimëve

Ndërkaq, Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për kujdestaren e shtëpisë së fëmijës në Shkodër. Punonjësja e jetimores, Edvana Sulaj, akuzohet se ka keqtrajtuar fëmijët e jetimores. Tri ditë më parë, u publikua një videoja ku ajo shfaqej duke dhunuar fëmijët jetimë. Menjëherë pas publikimit të video skandalit, Sulaj është pushuar nga puna dhe është arrestuar. Në video shfaqeshin edhe 2 kujdestarë të tjerë, edhe këta të pushuar nga puna, por që u lanë të lirë pasi u morën në pyetje. Ndërkohë, Sulaj ka pranuar dhunën e ushtruar tek fëmijët dhe është shprehur se “ishte hera e parë që dhunonte fëmijë”. Ndërsa gjykata ka dhënë masën “Arrest me burg” pasi akuzohet se ka dhunuar fëmijët në jetimoren e Shkodrës. Ngjarja e rëndë krijoi një sensibilitet të lartë shoqëror ndërsa shumë pikëpyetje janë ngritur se si trajtohen jetimët në institucionet e tjera të këtij lloji në vend. Ushtrimi i dhunës ndaj kësaj shtrese vulnerabël të shoqërisë cenon të gjitha konventat ndërkombëtare të firmosura nga Shqipëria për mbrojtjen e fëmijëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here