Hetimi/ Prokuroria dhe policia rikthehen në Lazarat për të rindërtuar vrasjen e oficerit

0
103

 

policia ne lazaratHetuesit pritet të kryejnë një eksperiment në vendin ku u qëllua mbi policinë. Ndaj të arrestuarve mësohet se është ngritur akuza e grupit të strukturuar kriminal

Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga sulmi ndaj RENEA-s në Lazarat, ku u vra oficeri Ibrahim Basha, Prokuroria për Krimet e Rënda vazhdon veprimet për rindërtimin e të gjithë dinamikës së ngjarjes. Hetuesit pritet të kryejnë një eksperiment në vendin ku u qëllua mbi policinë. Burime nga Prokuroria për Krimet e Rënda konfirmojnë se në ditët në vijim pritet që disa nga të arrestuarit do të dërgohen në Lazarat, pikërisht në vendin ku RENEA-a u gjet nën breshërinë e armëve. Sipas grupit hetimor, ata do të shpjegojnë mënyrën se si kanë qenë të organizuar, pozicionet e gjithsecilit dhe detyrat që u ishin caktuar. Të njëjtat burime saktësuan se fillimisht do të dërgohen në vendin ku ndodhi krimi, Xhulio Malo dhe Klodian Selimi. Këta janë dy të akuzuarit që kanë pranuar të flasin deri tani dhe të jenë bashkëpunues me autoritet. Sipas grupit hetimor, dy të rinjtë do të shpjegojnë se, ku kanë qenë vendosur të gjithë anëtarët e grupit të zjarrit. Nëse prokurorët do të shohin të arsyeshme do të dërgojnë në Lazarat dhe personat e tjerë të arrestuar deri tani.

 

Eksperimenti në Lazarat

Prokurorët që hetojnë vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat do të rikthehen në vendin e krimit për të organizuar një eksperiment me armët e gjetura në fshat. Burimet thonë se do bëhet qitje me armët e gjetura në pusetën mbrapa shkollës së mesme në Lazarat, armë që dyshohet se u përdoren nga Arbion Aliko, vëllai i tij Albani dhe Edmond Boçi, personat që ishin e arrestuar mëngjesin e sulmit me armë. Me anë të këtij eksperimenti në vendin e ngjarjes, hetuesit synojnë të kenë të dhëna më të sakta për vendin nga ku u qëllua Ibrahim Basha, trajektoren e plumbit dhe vendin ku mund të ketë përfunduar predha, që ende nuk është gjetur nga prokuroria. Në kërkim të predhës që i solli vdekjen efektivit Basha, mësohet se është kërkuar ndihmë nga forcat ushtarake. Kërkimi do të bëhet me një detektor metalesh pranë vendit të ngjarjes. Nga ana tjetër ende nuk kanë përfunduar ekzaminimet e gjurmëve të gishtave në armët e Lazaratit, për t’i krahasuar me gjurmët e gishtave të të arrestuarve. Të dyshuarit për sulmin me armë ndaj policisë, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha, do të mbajnë përgjegjësi penale edhe për akuzën e grupit të strukturuar kriminal.

 

Grup kriminal

Prokuroria për Krime të Rënda, krahas akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese ndaj punonjësit të policisë, në ngarkim të të dyshuarve si grupi i zjarrit ngre akuzën edhe të grupit të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë, Arbion Aliko dhe Bajram Boci, i shpallur në kërkim, dyshohet se janë ideatorët e organizimit të të rinjve të Lazaratit për të sulmuar policinë dhe janë ata që kanë grumbulluar rreth vetes rreth 17 persona. Burimet thanë se është provuar tashmë se sulmi ishte planifikuar disa muaj më parë, me takimet e herëpashershme mes tyre, mbledhjen e armëve, ndarjen e detyrave për gjithsecilin, përgatitja dhe qepja e maskave të kokës tek një rrobaqepëse në fshat, prishja e murit rrethues dhe ndërtimi i istikameve sulmuese. Hetuesit thonë se edhe ditën e sulmit me armë, janë Arbion Aliko dhe Bajarm Boci personat që kanë dhënë edhe urdhrin për të qëlluar në drejtim të policisë.

 

Si u grabit banka në Durrës. Autorët, dyshime për grabitje edhe në Greqi

Policia ka bërë publike pamjet e grabitjes së ndodhur dy ditë më parë në Durrës, ku dy persona të maskuar hynë në një bankë të nivelit të dytë në Rrugën Tregtare dhe kanë marrë 35 mijë euro. Ata hyjnë qetësisht në ambientet brenda dhe drejtojnë armët nga roja private dhe nga njerëzit qe ndodheshin aty. Njëri nga autorët i cili është maskuar si i moshuar lëviz qetë nëpër arkat e bankës dhe mbledh paratë që gjenden në to. Kurse personi tjetër që mban në kokë një skafandër motori kërcënon me armë derisa kolegu i tij të grabisë paratë. Sipas policisë ata kanë arritur të marrin afro 35 mijë euro gjithsej. Në momentin qe kanë tentuar të largohen njëri prej grabitësve është neutralizuar nga siguria private e bankës, duke i marrë armën dhe shumën e parave, që autorët arritën t’i nxirrnin jashtë ambienteve të bankës. Alban Duka, 31 vjeç, nga Tirana i cili u neutralizua dhe iu dorëzua policisë, kurse grabitësi i dyte mundi të largohej. Ai është identifikuar, por për arsye hetimi policia nuk e ka publikuar emrin e tij, ndonëse është shpallur në kërkim. Për këta persona thuhet se janë grabitës profesionistë, pasi i arrestuari dyshohet se ka kryer akte të tilla edhe në Greqi.

 

Publikohen videot e ballafaqimit Doshi-Bami në prokurori

 Publikohen videot e ballafaqimit mes deputetit Tom Doshi dhe të pandehurit Durim Bami, të realizuara në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gjatë valës së hetimeve për të zbardhur pretendimet e deputetit, se ndaj tij ishte thurur një komplot për ta eliminuar. Në videon e parë shfaqet ballafaqimi Doshi-Bami nëpërmjet dy kamerave, njëra e vendosur në zyrën e prokurorit dhe tjetra në trupin e Doshit. Durim Bami, më së shumti shfaqet duke u shprehur me gjestikulacione e fraza të shkurtra, ndërkohë që biseda mes dy burrave zhvillohet me pyetje rreth familjes së Durimit, i cili në këtë pikë shpërthen në të qara. Në një tjetër çast, Doshi e informon dhe i tregon Durim Bamit se janë pyetur që të gjithë, edhe Toni i Kombinatit. Doshi dhe Bami bisedojnë për ngjarjen, për të cilën janë akuzuar. Në video flitet edhe për njohjen me Mark Frrokun, për të cilin Durim Bami shprehet mohues.

 

Prangosen binjakët shqiptarë që kanë vjedhur mbi 100 banesa në Itali

 Kanë përfunduar në pranga në Itali, dy vëllezërit shqiptarë, Edmond dhe Eduard Trushi, 31 vjeç, nën akuzën e vjedhjes së mbi 100 banesave, pas një operacioni të koduar “Binjakët” në një provincë të Mantovës. Prej disa kohësh, dy binjakët shqiptarë ishin kthyer në makthin e banorëve të zonës, por edhe rrethinave të disa qyteteve të tjera të Italisë qendrore dhe veriore, pasi kishin në shënjestër shtëpi dhe vila luksoze, të cilat i zhvatnin ndërsa të zotët e shtëpisë ishin duke fjetur, me anë të pajisjeve të sofistikuara që nuk shkaktonin zhurmë. Policia italiane ra në gjurmët e tyre që prej 28 tetorit të vitit të kaluar, në një operacion ku madje njëri prej dy vëllezërve mbeti i plagosur, por nuk mundi t’i arrestonte në atë rast, edhe pse falë njollave të gjakut në vendngjarje u bë e mundur identifikimi i tyre. Gjatë operacionit për arrestimin e tyre një ditë më parë, Eduardi u ndalua në vend, në banesë, ndërsa Edmondi arriti të largohej me makinën e tij tip “Ford Mustang”, për vetëm 24 orë, pasi u bllokua nga forcat italiane të rendit. Në cilësinë e provës materiale, atyre iu sekuestruan dy automjete luksoze, 24 000 euro cash, 5 orë floriri “Rolex”, si dhe bizhuteri të tjera floriri dhe diamante, dhe material teknologjike, me vlerë totale prej 300 000 eurosh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here