Situatë e frikshme/ Topalli: Pushteti në dy duar të vetme. Në PD kemi diferenca, jo konfrontim

0
135

Jetmir Olldashi

Jozefina TopalliOpozita mund të ishte më e besueshme, analiza nuk është çështje strukture, por është çështje përmbajtjeje, lidhjeje me qytetarët, mosnënshtrimi ndaj gënjeshtrës dhe një doze të fuqishme idealizmi

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ngre alarmin për destinacionin që po shkon vendi. Ish-numri dy i selisë blu përgjigjet dhe analizon një sërë çështjesh nga gjendja e opozitës, zgjedhjet e 21 qershorit dhe rruga e mbetur për të djathtën për të shpëtuar vendin nga kthetrat e oligarkisë, sipas saj. Zonja Topalli këmbëngul se partia ku ajo bën pjesë, duhet të shohë nga vetja e të korrigjojë çfarë s’ka bërë mirë. Sipas saj, problemi nuk qëndron tek forma, por tek përmbajtja, analiza e opozitës, sipas ish-numrit dy të selisë blu, duhet të jetë në frymë. “Mendoj se gjykimi dhe shikimi nga vetja është një proces që duhet të jetë shumë më kompleks dhe mbi çdo kuti votimi duhet bërë një analizë dhe kjo e kombinuar me një gjykim tashmë të shtrirë jo vetëm të opozitës, por edhe të komunitetit ndërkombëtar. Nëse opozita nuk shkundet dhe nuk e realizon si proces, sistemi ynë rrezikon të tronditet thellësisht, sepse po merret peng. Ne shohim se tashmë janë marrë të gjitha pushtetet. Dhe pushtetet janë marrë në dy duar”. Ligjvënësja demokrate analizon edhe situatën mbi të cilën u zhvilluan zgjedhjet e 21 qershorit. Ajo akuzon shumicën parlamentare se i ka marrë tashmë të gjitha pushtetet, pothuaj të gjitha institucionet. Një rëndësi të veçantë zonja Topalli i kushton kandidimit të personave me rekorde kriminale nga politika e majtë. “10 ditë pas zgjedhjeve të 21 qershorit ne kemi dalë më disa kryetarë bashkish, të cilët janë të dyshuar për rekorde kriminale dhe kjo kërkon një reflektim të madh të të gjithë shoqërisë. Por duhet të pranojmë se kjo nuk ishte e papritur. Ishte e paralajmëruar. Ne kemi në Parlament një numër të madh deputetësh të dyshuar për rekorde kriminale, kështu që asnjë justifikim nuk do t’i shërbente çështjes për rivendosjen e standardeve. Në këto kushte, besoj se opozita ka disa misione themelore”. Deputetja demokrate ka shprehur qëndrimet e saj lidhur me situatën brenda Partisë Demokratike, si dhe ka mbështetur fjalët e thëna në Parlament nga kolegu i saj Astrit Patozi. “Me fjalë të tjera, thashë të njëjtën gjë. Opozita mund të ishte më e besueshme, ndaj dhe analiza nuk është çështje thjesht strukture, por është çështje përmbajtjeje, lidhjeje me qytetarët, mosnënshtrimi ndaj gënjeshtrës dhe një doze të fuqishme idealizmi për t’i ikur pragmatizmit”. Zonja Jozefina Topalli jep alarmin se situata është dramatike për demokracinë në Shqipëri. Shoqëria po përjeton krizë të rëndë morale, politike dhe shoqërore, thotë ligjvënësja e selisë blu. “Sistemi po degradon, po shkon përtej kalbëzimit. Vulgu ka dalë sipër. Standardet e zgjedhjeve janë cenuar. Kjo situatë është e frikshme dhe e rrezikshme. Misioni i opozitës është vendimtar në këto kushte. Nuk është e lehtë, përkundrazi është shumë e vështirë, por e mundur. Kërkohet kurajo, sakrificë, shpirt në betejë. Ka uri morale sot kudo. Përkushtimi ndaj interesit publik është detyra minimale”. Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe “zonja e hekurt” e politikës shqiptare akuzon ashpër mazhorancën e majtë për përqendrim pushtetesh. “Në Parlament kanë rreth 90 deputetë. Nuk i mjaftuan 83, blenë 84. Nuk i mjaftoi 84, morën dhe grupe parlamentare. Nuk i mjaftuan këto, morën dhe institucionet e pavarura, morën ILDKP-në, KLD-në, morën AMA-n, zëvendësuan me njerëzit e vet të gjithë. Duan gjyqësorin tani. Kanë marrë treçerekun e pushtetit vendor. Është e frikshme”. Ish-funksionarja e lartë e selisë blu ka analizuar edhe periudhën e Partisë Demokratike të drejtuar nga Basha. Ajo shpreh rezervat e saj për atë se ç’ka bërë opozita në këto dy vjet. “Unë mendoj se PD-ja duhet të ishte më koherente gjatë dy viteve të fundit në qëndrimet e saj. Sigurisht që ka diferenca. Ndoshta kryesisht kjo diferencë qëndron jo vetëm në gjykimin politik, por kryesisht në analizën bazike që një forcë politike duhet t’i bëjë vetes, kundërshtarit, betejës dhe misionit që ajo ka. Ndoshta kjo diferencë qëndron në faktin se jo të gjithë mendojnë se politika është një mision”. Duket se Topalli thumbon të rinjtë e afruar nga Basha, ndërsa injoron kritikat që kanë shkuar në adresë të saj. Jep zgjidhjet e saj dhe duket sikur flet nga një pozicion mbi palët në PD. “PD-ja ka një mision jashtëzakonisht të vështirë dhe po aq vendimtar për të ardhmen e vendit, jo vetëm për PD-në si forcë politike. Në fund të fundit, duhet të bëjmë një analizë. Monstrat që na rrethojnë janë edhe produkt i një pragmatizmi të frikshëm që jo rrallëherë shfaqet në politikën shqiptare. Ne nuk mund t’u nënshtrohemi gënjeshtrave në asnjë rast. Sigurisht kjo kërkon një dedikim të fortë, të mos pranosh të sillesh për asnjë çast si opozitë burokratike apo fasadë, t’u rikthehesh idealeve për të cilat lindi kjo forcë politike, që janë idealet që e bënë forcë të shpresës dhe lirisë. Sigurisht që ndershmëria dhe idealizmi do të jenë dozat të cilat do të duhet të mbizotërojnë në opozitë për të bërë diferencën dhe për t’u dhënë shpresë njerëzve për nesër”. Me pozicionimin e saj mbi palët, zonja Topalli kërkon të qetësojë dhe të japë rrugët e zgjidhjes. Ish-numri dy i Partisë Demokratike bën thirrje për bashkim të opozitës, për një vëmendje më të madhe drejt idealizmit dhe moralit. “Ka një betejë nga e cila varen fatet e vendit. Nuk është më e rëndësishme të jesh PD-ja në vetvete. Është se ajo do kthejë besueshmërinë te vetja e saj, duke u bazuar në parimet themelore mbi të cilat ka lindur kjo parti në shërbim të interesit publik, për të qenë e besueshme dhe për të bërë diferencën e madhe me koalicionin aktual, i cili ka marrë çdo pushtet. Dhe kjo është e frikshme, e rrezikshme, sepse jemi në një fazë ku sistemi po degradon e shkon përtej kalbëzimit dhe vulgu ka dalë sipër”, – shton më tej deputetja e pesë legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here