Pragvizita e Kancelares! Merkel: Shqipëria probleme shumë të mëdha. Bushati: nuk po presim thes me para nga Gjermania

0
132

Jetmir Olldashi

Pragvizita e Kancelares MerkelKancelarja gjermane Angela Merkel e sheh perspektivën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

Vizita e Kancelares Merkel në Shqipëri është një eveniment i rrallë dhe sigurisht për këtë çështje bëhen shumë parapërgatitje. Një prej tyre është edhe lëshimi i mesazheve paraprake për përgatitjen e opinionit publik lidhur me pritshmërinë e vizitës. Tri ditë para se zonja e hekurt e Gjermanisë dhe Evropës të zbresë në Tiranë, në të parën vizitë si Kancelare, ka bërë disa deklarata për mediat ku flet për progresin dhe problemet e rajonit. Zonja Merkel shpreh përgëzimet e saj për ecjen përpara të vendit pas territ komunist, por shprehet realiste kur thotë se problemet janë ende shumë të mëdha. “Në përgjithësi mund të thuhet se kemi bërë progres, por ka akoma shumë, shumë probleme të mëdha”. Kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) e sheh perspektivën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. “Me gjithë vështirësitë, që ende kemi, ka përparime”, – tha Merkel katër ditë para udhëtimit të saj dyditor për në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë në një mesazh të shkurtër në video. Vetëm perspektiva e pranimit mund të sjellë zgjidhjen e konflikteve mes vendeve të rajonit. Edhe Shqipëria ka ende shumë për të bërë, por gjithsesi vendi ka statusin e vendit kandidat për BE. Temë e vizitës së Merkelit do të jetë edhe fluksi i pandërprerë i refugjatëve nga Ballkani për në Gjermani. Kancelarja bëri të ditur se ajo do të prekë edhe gjendjen e vështirë të romëve në Serbi. Serbia ka ndërmarrë një sërë masash, “që zbusin si të thuash diskriminimin e romëve, edhe pse duhet thënë qartë, se ka ende diskriminim”.

 

Raportet Serbi-Kosovë, kusht për të ardhmen

Me Serbinë janë hapur disa kapituj të bisedimeve për pranim, por jemi akoma në fillimet. Për Kancelaren zgjerimi i bisedimeve varet edhe nga përparimet në raportet e Serbisë dhe Kosovës. “Ne përfshijmë këtu edhe masat në lidhje me Kosovën, me qëllim që të dyja palët të përpiqen me të vërtetë për të ecur përpara”, – theksoi Merkel. “Ka akoma jashtëzakonisht shumë për të bërë, por ka me të vërtetë shenja të kënaqshme. Dhe ne insistojmë që ky proces të përshpejtohet”.

 

Berisha: Një vrasje e pabesë, një krim horror, i njëjtë me një akt kanibalesk

Ngjarja e rëndë ku humbën jetën në një vrasje makabre dy turistë çekë në malet e Dukagjinit ka sjellë edhe reagimin e ish-kryeministrit Berisha. Në një postim të zakonshëm në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Berisha është shprehur i indinjuar mbi ngjarjen ku humbën jetën dy vizitorë të alpeve shqiptare. “Vrasja mbremshme e dy turisteve çek eshte atentat i rende ne moralin, virtutin e mikpritjes dhe kodin e saj.Ky akt eshte nje krim horror, nje vrasje e pabese, e njejte me nje akt kanibalesk. Duke shprehur ngushllimet me te sinqerta familjeve te viktimave, ju bej thirrje qytetareve te Prekalit dhe te te gjithe zones te informojne Prokurorine per çdo te dhene qe kane per kete ngjarje qe ka tronditur kaq thelle sot shqiptaret”. Deputeti demokrat, si dhe 8 vjet Kryeministër i vendit dhe 5 vjet President i Republikës, ka sjell dhe reagimin e tij pas arrestimit të dyshuarit mbi këtë ngjarje. “Te dashur miq, monstra u kap! Ky eshte nje lehtesim per shpirtin e viktimave, dy turisteve çeke, familjet e tyre dhe te gjitha ata qe ndane dje me ta dhimbjen dhe zine e krimit monstruoz. Mirenjohje per te gjithe ata qe ndihmuan dhe bene te mundur arrestimin e ketij kanibali!”, – ka përfunduar deklaratën e tij ish-kryeministri Berisha.

 

Ambasadori gjerman, shuplakë mosdënimit të krimeve në Shqipëri

Pas më shumë se shtatë dekadash dhe pa asnjë përgjegjësi të drejtpërdrejtë ose indirekt me ngjarjen ambasadori gjerman në Shqipëri shprehet mbi masakrën e Borovës. Zoti Hoffman kërkon ndjesë dhe sheh përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman, përkujtoi masakrën e Borovës. Gjatë fjalës së tij, Hoffman deklaroi se ky ishte krimi më i rëndë i ushtrisë gjermane në Shqipëri. “Kujtojmë sot krimin me te rëndë të ushtrisë gjermane në Shqipëri. Është e domosdoshme të kujtojmë ngjarje të tilla. Për mua e rëndësishme të flas me ju, edhe pse jo e lehtë. Çdo gjerman ndjen turp në këtë vend edhe pse sot nuk kemi lidhje të drejtpërdrejtë”, – pohoi ambasadori. Ndërkohë, ambasadori Hoffman theksoi se katastrofat e Luftës së Dytë Botërore do të mbeten në kujtesë. “Për fat të keq, ngjarje të tilla po vijojnë dhe sot për shkak të terrorizmit. Gjatë Luftës së Dytë në Borovë humbën jetën 107 persona”, – tha diplomati gjerman. Masakra e Borovës ndodhi më 6 korrik të vitit 1943, ku ushtria gjermane vrau 107 persona, mes tyre gra shtatzëna dhe fëmijë.

 

Gjok Vuksani: Po flasin për humbjen e PD-së përgjegjësit kryesorë

Situata brenda selisë blu nuk është e qetë. Pothuaj nuk kalon një ditë ku palët nuk lëshojnë akuza dhe deklarata të nënkuptuara ndaj njëra-tjetrës. Ka qenë radha e ish-deputetit, dhe anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Gjok Vuksani, që të sulmojë me një fjalor jo shumë etik ata që kritikojnë linjën zyrtare të forcës së tij politike. “Une nuk jam dakort me disa qendrime te deputetit Patosi per fushaten e PD por e respektoj ate sepse ai vjen nga beteja elektorale dhe ka gjithe te drejten e Zotit te flase per bejtejen, per strategjine dhe per humbjen e saj. Por jo disa b… pambuk qe kane ndenjur duke ferkuar duart si “Kronikani ne thes” tek filmi i “Skenderbeut” gjate fushates elektorale dhe tani kane nxjerre “pallen” dhe presin “koka” majtas dhe djathtas, KETE NUK MUND TA PRANOJ KURRE madje me duket e PESHTIRE”. Sigurisht duke i qëndruar besnik linjës zyrtare të kryetarit Basha, zoti Vuksani thotë në postimin e tij se zgjedhjet u manipuluan dhe se kritizerët brenda PD-së duhet të heshtin. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së shprehet i bindur se ata që flasin janë ata që nuk punuan në fushatë dhe vetëm kanë pritur orën e disfatës. “Nuk jam aspak i kenaquar me rezultatin qe ka arritur PD ne keto zgjedhje dhe per kete se pari duhet nje analize e gjere brenda strukturave te PD-se. Po une ne ndryshim nga disa “isha” nuk kam ndejnur duke pritur per disfaten e PD-se ne keto zgjedhje dhe pastaj te dal si “kerpudha pas shiut” dhe te bej nje analize mbi analizen e performances te PD dhe Kryetarit te saj,por kam kontribuar sa kam mundur ne fitoren e Fran Frrokaj ne Bashkine e Lezhes”. Më tej politikani i djathtë hedh shigjeta mbi linjën e të vjetërve në PD, duke i akuzuar si shkaktarë të daljes në opozitë para dy viteve. “Verej qe flasin per humbjen e PD-se ca qe jane pergjegjesit kryesore te kalimit ne opozite te PD-se me arrogancen e tyre, me perzgjedhjet e tyre SKANDALOZE ne postet drejtuese te shtetit, e katandisen qeverisjen ne parcela personale “arna arna”. Edhe pse duket se ka një qëndrim zyrtar dhe dakordësi mes palëve për të mos folur në media duket se situata është e nxehtë dhe çdo ditë ka një deklaratë prej selisë blu. Secila nga palët nxjerr përfaqësuesin e saj dhe gjuan ‘me gurë’. Atmosfera në selinë blu i ngjan një lufte të ftohtë ose dy palëve që po përgatiten për luftë. Çfarë presin?! Këtë do ta shohim në ditët që vijnë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here