Analiza e zgjedhjeve në Kryesi/ LSI, ndryshime strukturash aty ku humbi, Meta: Riorganizim nga e para degës së Pogradecit

0
130

Gëzim Saliu

Meta te kryesia e LSIMeta: Opozita, për fat të keq, ende e çoroditur dhe në drejtim të paditur. LSI, 140 mijë vota më shumë se në 2011 dhe 80 mijë vota më shumë sesa në zgjedhjet e 2013-ës

Lëvizja Socialiste për Integrim do të pësojë ndryshime te strukturat e saj në degët e ndryshme të vendit, ku si barometër matës i punës do të përdoret rezultati në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Ishte kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së kësaj force theksoi se nga java e ardhshme do të fillojë procesi i analizës në të gjithë vendin për zgjedhjet lokale që sapo u lanë pas. Por ndonëse foli për ndryshime në struktura pa përmendur emra në veçanti të degëve, Meta nuk ngurroi të përmendte specifikisht Pogradecin si një ndër degët që pritet të riorganizohet nga e para. Edhe pse fillimisht për këtë degë u shprehën indirekt kritika për aleatët nga sekretari i përgjithshëm Luan Rama, duket se në bazë të analizës së përgjithshme rezulton se ka qenë vetë struktura e partisë në këtë degë që nuk ka funksionuar si duhet. “Por natyrisht që për Pogradecin nuk do të fillojmë analizë, do të fillojmë me një riorganizim nga e para të gjithë LSI-së të Pogradecit. Është një rezultat që ne nuk mund ta pranojmë. Është rezultat ku përgjegjësia është e shumë faktorëve, por ne në radhë të parë përgjegjësinë do ta kërkojmë nga vetja jonë, nga strukturat tona, të cilat na sollën një zhgënjim të madh. Nuk është një zhgënjim në raport me ne, por është një zhgënjim në raport me qytetarët e Pogradecit”, – u shpreh kreu i LSI-së para anëtarëve të Kryesisë. Sipas Metës, ndryshime në strukturat e LSI-së do të reflektohen mbi bazën e rezultateve, meritave edhe kontributeve. Në këtë kontekst, kreu i LSI-së bëri thirrje që të lexohet drejt çdo votë dhe që të nisë puna për të përfaqësuar të gjithë prurjet e reja në të gjitha strukturat e LSI-së. “LSI-ja ka nevojë të hapet dhe ky elektorat i ri ka nevojë për një përfaqësim më të gjerë dhe më merituar në të gjitha strukturat e LSI-së. Kudo ku në ato raste ku rezultati i LSI është në kontrast me trendin e përgjithshëm mjaft pozitiv në të gjithë vendin, do të diagnostikojmë të gjitha ato probleme, të cilat e kanë penguar LSI-në të arrijë performancën e duhur atje në nivel lokal duke pasur në konsideratë performancën që arriti në nivel kombëtar”, – pohoi Meta.

 

Rezultati

Në deklaratën e tij në mbledhjen e Kryesisë, ku nuk mungoi ironia ndaj opozitës, Meta theksoi se LSI-ja në zgjedhjet e 21 qershorit arriti më shumë se dyfishimi i votave në raport me vendoret e 8 majit 2011. Ndërkaq, ai përmendi faktin se LSI rezulton të jetë rritur me 80 mijë vota më shumë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013. “Ne e kishim thënë edhe më parë se zgjedhjet e 21 qershorit nuk i shikonim si zgjedhje politike, por përsëri i qëndrojmë kësaj. Të tjerët i vlerësuan si referendum dhe natyrisht u gëzuan për fitoren që arritën, për të cilën ne u urojmë suksese. Përveç falënderimit për 260 mijë qytetarë shqiptarë nga Saranda në Tropojë, që votuan për LSI-në dua të theksoj se ky rezultat tregon një progres të jashtëzakonshëm të LSI-së anembanë vendit dhe në nivel kombëtar. LSI-ja ka arritur më shumë se dyfishimin e votave në raport me zgjedhjet vendore të vitit 2011, pra nga 120 mijë vota, në 260 mijë vota, 140 mijë vota më shumë dhe njëkohësisht 80 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet politike të vitit 2013”, – tha kreu i LSI-së. Ndërkaq në konferencën për shtyp pas mbledhjes së kryesisë, meta u pyet nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, pyetje së cilës iu përgjigj duke pohuar se kjo është kompetencë e kryeministrit. “Për sa i takon qeverisë, kjo është një pyetje që i takon në radhë të parë Kryeministrit, z. Edi Rama, por për ne është e rëndësishme që qeveria të jetë e fokusuar në realizimin e objektivave të saj dhe përveç tyre, të ndjekë me vëmendje edhe krizën financiare në Greqi dhe pasojat e mundshme të saj ndaj qytetarëve tanë që jetojnë atje”.

 

Miraton tabelat për Durrësin, Fierin e Kamzën/ KQZ rrëzon PD-në, Luzi bashkon votat me të majtët: Zgjedhjet në Kurbin, të vlefshme

Pas rreth 5 orë debatesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje me shumicë të thjeshtë votash kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri dhe ripërsëritje të zgjedhjeve në Bashkinë e Kurbinit. Tri votave të anëtarëve të shumicës iu bashkua edhe ajo e kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzi, ndërsa vetëm tri votat e anëtarëve të propozuar nga opozita nuk mund të ndryshonin vendimin e institucionit më të lartë zgjedhor. Demokratët e bazuan kërkesën e tyre në atë që e cilësuan si paligjshmëri të procesit elektoral në këtë njësi, që nisi, sipas PD-së, që nga momenti kur KQZ shkarkoi anëtar të KZAZ-së 15 në Kurbin e duke vijuar më pas edhe me procesin e numërimit ku ishin vetëm komisionerët e ASHE-së. Por pretendimi i demokratëve u konsiderua i pabazuar nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Gjonçaj, i cili tha se “mungesa e vullnetit politik nga PD për këtë proces nuk i bën zgjedhjet e pavlefshme”. Ndërkaq, vetë anëtarët e KQZ-së u shprehën me qëndrime të ndryshme për çështjen, ku për ato të propozuar nga opozita në Bashkinë Kurbin nuk pati zgjedhje në 21 qershor. Ndërsa anëtarët e propozuar nga e majta në KQZ, e konsideruan të pavlefshme këtë kërkesë. Kryetarja Lefteri Luzi tha: “Nëse ka parregullsi në këtë proces në bazë të kallëzimit le të vendosë prokuroria për komisionarët që kanë shkelur ligjin”. Ndërkohë pritet që Partia Demokratike të ankimojë vendimin e KQZ në Kolegjin Zgjedhor pas rrëzimit të kërkesës për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Kurbin. Për tu miratuar një kërkesë e tillë kërkohet shumicë e cilësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pra 5 vota nga 7 anëtar që ka kjo trupë. Nga ana tjetër në mbledhjen e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi tabelat përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarëve të bashkisë Durrës, Fier dhe Kamëz. Me votat e të shtatë anëtarëve, KQZ miratoi tabelën e rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Durrës, duke shpallur fitues për këtë post Vangjush Dakon, i propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Me miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Fier, KQZ shpalli fitues për këtë post Armando Subashin, i propozuar gjithashtu nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Ndërsa me miratimin e tabelës së rezultateve për kryetar të Bashkisë Kamëz, KQZ shpalli fitues për këtë post Xhelal Mziun, kandidat i koalicionit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here