Vizita e 8 korrikut/ Për 4 orë në Tiranë, zbardhet axhenda e Merkelit. Masa sigurie si tek Papa dhe Vuçiç

0
129

Gëzim Saliu

Angela MerkelKancelarja, takim kokë më kokë me Kryeministrin Rama dhe Presidentin Nishani, Basha dhe Meta nuk janë të përfshirë në axhendën e takimeve të Merkelit. Nuk ka as fjalë në Parlament

Zbardhet axhenda e vizitës së Kancelares gjermane, Angela Merkel, më 8 korrik në Tiranë. Në vizitën, e cila pritet të zgjasë për rreth 4 orë e 20 minuta, Kancelarja do të zhvillojë takime kokë më kokë me Kryeministrin e vendit Edi Rama dhe Presidentin e Republikës Bujar Nishani. Ndërsa ende nuk është konfirmuar, por Merkel nuk pritet të zhvillojë takim me kreun e PD-së dhe kryebashkiakun aktual të Tiranës Lulzim Basha, kjo pasi edhe në kryeqytetet e tjera ballkanike ajo nuk do të takojë asnjë lider opozite. Po ashtu, Merkel gjatë kësaj vizite nuk do të takohet as me kreun e Kuvendit Ilir Meta, duke shmangur kështu edhe një fjalë në Parlamentin shqiptar. Ky “anashkalim” duket i ndryshëm nga të gjithë vizitat e rangjeve të tilla në Shqipëri, ku mjafton të kujtojmë ardhjen e Sekretares amerikane të Shtetit Hillary Klinton në 2012-ën në Tiranë, e cila krahas takimeve me krerët e shtetit dhe kreun e opozitës mbajti edhe një fjalë në institucionin ligjvënës.

 

Axhenda e vizitës

Përmes një takimi informal me gazetarët në Kryeministri, drejtori i Zyrës së Komunikimit, Endri Fuga, bëri të ditur dje detaje të axhendës së vizitës së Merkelit në Tiranë. Mësohet se dy do të jenë shtyllat e vizitës së Merkelit në Tiranë, ajo politike, ku në fokus dotë jetë mbështetja e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe vazhdimi i projekteve të të gjithë rajonit të Ballkanit, të cilat morën udhë në konferencën e Berlinit. Ndërkohë shtylla e dytë lidhet me bashkëpunimi ekonomik, ku fokusi do të jetë tek rritja e investimeve gjermane në vend. Ndërkaq kancelaria pritet të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 13:50 minuta ku do të mirëpritet nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe zëvendësministrja e Jashtme Odeta Barbullushi. Më pas në 14:15 ajo do t’i drejtohet Kryeministrisë, ku pas ceremonialit do të zhvillojë takimin kokë më kokë me Kryeministrin Edi Rama dhe në 15:30 zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp. Axhenda e Kancelares do të vijojë në 16:10 më takimin me Presidentin e Republikës Bujar Nishani. Por në Shqipëri, Merkel do të fokusohet edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, ndaj dhe pika e fundit e axhendës së saj është pjesëmarrja në forumin ekonomik në orën 17:00 që do të zhvillohet pranë “Tirana Business Park”, një investim gjerman i përuruar pak ditë më parë, ku Rama dhe Merkel do të mbajnë nga një fjalim. Burimet pranë Kryeministrisë bën të ditur se Gjermania është donator i parë evropian në Shqipëri e në këtë kontekst kjo vizitë do të shërbeje për t’u dhënë edhe më shumë shtysë investimeve gjermane në Shqipëri. Më pas, rreth orës 18:15 minuta, Kancelarja gjermane do të lërë Shqipërinë për të vazhduar turin e saj ballkanik fillimisht në Beograd dhe më pas në Sarajevë. Kryeministria bëri të ditur se e gjithë vizita e Merkelit do të shoqërohet me masa të forta sigurie, ku pritet që mbikëqyrja policore të jetë e të njëjtave nivele me atë të vizës së Atit të Shenjtë dhe Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç në Shqipëri. Drejtori i Zyrës së Komunikimit në Kryeministri këmbënguli të theksonte se kjo vizitë e Kancelares Merkel në Shqipëri vjen pas ftesës nga Kryeministri Edi Rama në takimin që zhvilloi në Berlin. Vizita e Merkelit në Tiranë është e dyta e një kancelari gjerman pas asaj të Gerhard Shrëderit në vitin 1999, i cili erdhi në Shqipëri për të takuar trupat gjermane të KFOR-it, që ishin stacionuar në vendin tonë, si pjesë e misionit paqeruajtës në Kosovë.

 

Axhenda e vizitës së Merkelit në Tiranë

Ora 13:00 – Mbërritja në Aeroportin e Rinasit

Ora 15:15 – Pritja zyrtare në Kryeministri, takimi me homologun Rama dhe delegacionet

Ora 15:30 – Konferenca e përbashkët për shtyp Rama-Merkel

Ora 16:10 – Takimi në Presidencë me kreun e shtetit, Bujar Nishani

Ora 17:00 – Forumi Ekonomik, fjalë përshëndetëse e Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama

Ora 18:15 – Largimi nga Aeroporti i Rinasit

 

Akuzat e PD-së për lidhjen e Frrokut me PS-në/ Zbulohen fotot e Ramës në turizmin e Pukës, Arbeni brenda hotelit, por jo në tavolinë

Partia Demokratike ka denoncuar shpesh kohët e fundit përfshirjen e Arben Frrokut, të dënuarit me burg nga Gjykata e Apelit për vrasjen e komisarit Lamaj, në fushatën e PS-së në Pukë. Madje, PD ka akuzuar se Frroku është takuar me kreun e qeverisë në Pukë dhe, sipas tyre, shërbimi i Arbenit ndaj PS-së u shpërblye me lënien e lirë të tij për të kaluar kufirin dhe për t’i shpëtuar burgut. Lidhur me këtë çështje, “News 24” zbardhi dje disa foto të Kryeministrit Rama në ambientet e jashtme të hotel-turizmit të Pukës para nisjes së mitingut elektoral për zgjedhjet vendore. Sipas informacioneve në këto momente Arben Frroku ka qenë brenda turizmit, ndërsa socialistët e pranishëm aty sigurojnë se Kryeministri Rama i është shmangur komunikimit, madje dhe afrimit me vëllain e ish-deputetit të së majtës. Ndërkaq, kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste, Angjelina Meta Paloka, e cila ishte e pranishme në tavolinën ku po qëndronte Rama, mohoi kategorikisht që Frroku të ketë qenë aty i pranishëm. Sipas Palokës, Arben Frroku ka qenë në Pukë dhe këtë e dinë të gjithë, por për të kërkuar vota për Partinë Kristian-Demokrate, të drejtuar prej vëllait të tij, Mark Frroku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here