Denoncimi/ Basha në OSBE takon Zannier: Ja si i grabitën zgjedhjet Rama- Meta

0
145

Jetmir Olldashi

Basha dhe ZanierZannier e siguroi zotin Basha për një vlerësim objektiv dhe të saktë të zgjedhjeve, i cili do të reflektohet në raportin përfundimtar

Misioni për denoncimin e zgjedhjeve të 21 qershorit vazhdon për kreun e opozitës Lulzim Basha. Së bashku me një delegacion të opozitës shqiptare, zoti Basha është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, dhe me përfaqësues të Këshillit të Përhershëm të Ambasadorëve të OSBE-së. Shefi i selisë blu ka falënderuar misionin e OSBE-së për monitorimin e kujdesshëm që i kanë bërë procesit të sapombyllur të 21 qershorit. Basha ka falënderuar për misionin e vëzhguesve të OSBE-së që monitoruan procesin zgjedhor dhe faktimin, sipas tij, “të problemeve të mëdha të cilat siç theksohet edhe në raportin paraprak kanë minuar besimin e zgjedhësve te vota e lirë”. Gjithashtu kreu i opozitës  u ndal në problematikën e zgjedhjeve, “duke nisur me kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale, trafikantë, tutorë, pengmarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar në vende të ndryshme të Evropës të cilët ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve dhe aktivistëve të opozitës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota”. Lulzim Basha në cilësinë e kreut të Partisë Demokratike vuri në dijeni diplomatët e huaj të OSBE-së problematikën e sjelljes së policisë në zgjedhje dhe grupeve kriminale sipas tij:”Në këto zgjedhje, u aktivizuan masivisht dhe dhunshëm banda të armatosura kriminale të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit e opozitës para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë”. Zoti Basha theksoi problemet me administratën publike dhe presionin ndaj saj. “Administrata publike u vu në një presion të hapur nga Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit për të mbushur kutitë me vota”. Lideri i opozitës u tha të pranishmëve në takim, me detaje për çdo institucion shkeljet e faktuara nga opozita: “Si kurrë më parë në zgjedhje, të gjitha strukturat e shtetit, tatimorëve, inspektorateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHEE e në veçanti të policisë ushtruan një fushatë sulmesh, dhune, terrori, shoqërimesh, arrestimesh, kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës në të gjithë vendin”, – theksoi Lulzim Basha. Delegacioni i opozitës shqiptare u ka bërë të ditur Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE dhe Ambasadorëve të Këshillit të Përhershëm “fakte të pakundërshtueshme të përdorimit të fondeve publike, parave të krimit të organizuar dhe të korrupsionit qeveritar, për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje”. Problemi i kartave të identitetit votimi më shumë se një herë nga individ të pushtetit ka qenë një tjetër çështje e ngritur nga kryetari Basha. “Mijëra karta identiteti u janë marrë qytetarëve me dhunë dhe kundrejt shpërblimeve monetare apo ushqimore. Punonjësit e administratës, tha zoti Basha, të cilët dyshoheshin si mbështetës të opozitës janë detyruar të dorëzojnë kartat, në mënyrë që të mos marrin pjesë në votim, në të kundërt janë kërcënuar se do të humbisnin vendin e punës. Mijëra personave që nuk ndodheshin në Shqipëri, tha zoti Basha, u janë përdorur të dhënat personale për të prodhuar karta identiteti të falsifikuara, me të cilat është votuar në 21 qershor”. Lideri i opozitës ka bërë të ditur dhe “manipulimin që u është bërë listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive të votimit, veçanërisht gjatë pasdites së 21 qershorit në një numër të madh qendrash votimi, pas nxjerrjes jashtë me forcë të komisionerëve të opozitës”. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal dhe në presionin e jashtëzakonshëm që qeveria dhe mazhoranca ushtroi ndaj medias dhe gazetarëve. “Duke vlerësuar raportin paraprak të vëzhguesve të ODIHR, zoti Basha shprehu rëndësinë e madhe që ka raporti përfundimtar, për të evidentuar shkatërrimin e standardeve zgjedhore dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te liria e votës dhe zgjedhjet”. Nga ana e tij zyrtari i lartë i OSBE-së Sekretari i përgjithshëm i Zannier e siguroi zotin Basha, për një vlerësim objektiv dhe të saktë të zgjedhjeve i cili do të reflektohet në raportin përfundimtar.

 

Rama: Basha e katandisi kokoshin në një thellë

Të turpshëm e ka quajtur Kryeministri Edi Rama qëndrimin e kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili ka denoncuar standardin e zgjedhjeve të 21 qershorit në takimet e zhvilluara me drejtues të PE dhe PPE në Bruksel ku u ka dhënë edhe argumentet e tij për manipulim në zgjedhje përmes blerjes së votës apo edhe presioneve. Pas takimit të Bashës në selinë e OSBE-së Rama në postimin e tij në “Facebook” e ka cilësuar Bashën si kokoshin që e katandisi sa një thelë PD-në. “E turpshme alibia e disfates qe LB bredh ta tregoje neper bote si prove kunder zgjedhjeve #VajmedetPD me kokoshin qe te katandisi nje thele”!

 

Mesila Doda drejt kabinetit qeveritar?!

Përfundimi i zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, rezultati i tyre dhe koalicioni i madh që Kryeministri Rama rreshtoi kundër opozitës ka sjellë nevojën e ndryshimeve në qeveri. Ka pasur disa deklarata nga eksponentë të së majtës dhe nga vetë kreu i LSI-së Meta, i cili ka lënë të kuptohet se ndryshimet do të ndodhin së shpejti. Rikonfigurimi i qeverisë do të vijë edhe për shkak të faktit se një anëtare e kabinetit, cenohet nga ligji i lustracionit pasi ka qenë anëtare e Sigurimit famëkeq të Shtetit. Me këtë rast Kryeministri plotëson një kërkesë të ligjit që sapo miratoi dhe ndërkohë kënaq aleatët e tij të rinj dhe të vjetër. Burime konfidenciale nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e cila iu bashkua para zgjedhjeve zyrtarisht koalicionit të majtë bëjnë të ditur se kjo parti do të marrë një post ministror. Sipas burimeve të sigurta nga brenda kësaj partie, Shpëtim Idrizi ka arritur një marrëveshje me kreun e qeverisë për të tërhequr në grupin e tij parlamentar deputeten demokrate Mesila Doda. Ligjvënësja e zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale ose dikasterin e Kulturës. Marrëdhëniet e zonjës Doda me kryetarin e PD-së  kanë qenë jo të mira qëkurse Basha erdhi në krye të selisë blu. Doda është njohur si mbështetëse e rivalit të Bashës për kreun e PD-së, Sokol Olldashi. Afrimi i saj me partinë e Shpëtim Idrizit e dobëson edhe më tej grupin parlamentar të PD-së në Parlament. Vetëm pak ditë më parë bashkëshorti i zonjës Doda, gazetari i njohur Enkel Demi në një analizë të botuar në shtypin e shkruar e quante si mision të dështuar drejtimin e PD-së nga Basha. Duket se akuzat analitike të bëra nga një prej gazetarëve me shumë përvojë dhe si një njohës të mirë të realitetit shqiptar janë paralajmërime se bashkëshortja e tij deputetja Mesila Doda po shkon drejt PDIU-së dhe pritet të marrë drejtimin e një ministrie. Burime të sigurta brenda PDIU-së e quajnë fakt të kryer marrëveshjen mes palëve, Kryeministrit Rama, kreut të partisë Shpëtim Idrizi dhe deputetes Mesila Doda. Doda ka qenë pjesë e hartimit të ligjit të lustracionit, duke sugjeruar dhe amendime të tij në komisionet parlamentare dhe seancën plenare ku u votua ky ligj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here