Evropa hedh shortin, skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët

0
140

 

Evropa hedh shortin  skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarëtFati i ka buzëqeshur Skënderbeut dhe Laçit, ndërsa për Kukësin dhe Partizanin është pak më i vështirë

Dje në Nion të Zvicrës u hodh shorti për turet paraeliminatore të Ligës së Kampioneve. Skënderbeu, kampioni në fuqi i Shqipërisë, do ta nisë nga turi i dytë këtë aventurë evropiane. Në short, korçarët mund të thuhet se kanë pasur fat, pasi do të ndeshen me fituesen e çiftit Krusaders-Levadia. Ndeshja e parë e Skënderbeut me ekipin fitues të këtij çifti është parashikuar të luhet më 14 korrik në Korçë, kurse ajo e kthimit më 21 korrik në transfertë. Ndërkohë, është hedhur edhe shorti për skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në kupën Europa League, Kukësi, Partizani dhe Laçi. Nënkampionët e Kukësit do të përballen me bjellorusët e Torpedo Zhodinos. Kukësi e feston me një fitore shortin relativisht të lehtë në letër për Europa League. Skuadra verilindore që ndodhet në Austri për fazën përgatitore, regjistroi suksesin e parë mes alpeve evropiane. Nënkampionët kaluan 3-1 hungarezët e MTK Budapest. Ndeshja nisi menjëherë me një gol të shpejtë nga skuadra kuksiane që në minutën e 7. Ishte i riu Riqi Halili ai që kaloi në avantazh skuadrën shqiptare por pjesa e parë u mbyll në barazim pasi MTK Budapest vendosi baraspeshën vetëm një minutë nga fundi i pjesës së parë. Gjithsesi, ekipi i drejtuar nga Troisi nuk u pajtua me këtë rezultat duke shënuar edhe golin e dytë me brazilianin Moriera dhe të tretin me brazilianin tjetër Granado. Kjo fitore e karikon me moral dhe optimizëm ekipin nënkampion që po vazhdon në Austri fazën përgatitore përpara nisjes së aventurës evropiane që e vendos përballë Torpedo Zhodino. Miqësoren e parë Kukësi e humbi 2-1 ndaj rumunëve të Botosanit. Laçi ndërkohë do të përballet me azerët e Inter Baku. Është e vërtetë se në futboll gjithçka varet nga fusha e blertë dhe topi i rrumbullakët, por shpesh në këtë periudhë të vitit vlen shumë edhe fati apo goglat, që janë edhe ato të rrumbullakët por që kësaj radhe teorikisht nuk janë treguar të mëshirshëm me skuadrën tonë të Lacit. Kurbinasit shorti i ka vënë përballë skuadrës së dytë të Azerbajxhanit, Inter Baku të cilët e mbyllën sezonin vetëm 5 pikë më pak se kampionët e Qarabak skuadrës ku militon Admir Teli dhe Ansi Agolli. Inter Baku në treg ka një vlerë prej 8.78 milion eurosh dhe ka fituar dy herë kampionatin azerbajxhanas por interesant është se pavarësisht se ka luajtur 4 finale kupeje nuk ka mundur dot të fitojë asnjëherë trofeun e Kupës së Azerbajxhanit. Në 10 vitet e fundit ka qenë pothuajse gjithmonë e pranishme në kupat e Evropës ku sezonin e shkuar kaluan me sukses në raundin e parë rumunët e Timisoarës ndërsa në turin e dytë u eliminuan nga suedezët e Elfsborg vetëm nga goditjet e 11-metërshave pasi të dyja ndeshjet ishin mbyllur me fitore minimale 1-0 për skuadrat vendase. Impianti ku luan skuadra azerbajxhanase quhet Inter Arena, është ndërtuar në vitin 2001, ka një kapacitet maksimal prej 8 125 vendesh, por tapetin e ka me bar artificial. Por lajmi i mirë për kurbinasit është se aktualisht kjo skuadër po kalon një krizë të madhe financiare. Pjesa më e mirë e futbollistëve janë larguar së bashku me trajnerin gjeorgjian Kakhaber Tskhadadze që tashmë do të drejtojë vetëm skuadrën përfaqësuese të Gjeorgjisë. Megjithatë ditët në vazhdim do të jenë shumë të rëndësishme për Laçin jo vetëm në përgatitjet që po kryen në Ohër por edhe për të parë ecurinë e azerbajxhanasve që në fund mund të rezultojnë një kundërshtar i lehtë për fituesit skuadrën e Armando Cungut.

Ndërkohë që fati u ka buzëqeshur më pak të kuqve të Partizanit që do të ndeshen me norvegjezët e Stromsgodset, Ndeshjet e para luhen më 2 korrik dhe ato të kthimit më 9 korrik. Të tre skuadrat shqiptare do t’i luajnë sfidat e para në shtëpi dhe një javë më pas do të udhëtojnë në transfertat përkatëse.

 

 

Parma falimenton, bie në Serinë D

Tashmë është zyrtare, Parma falimenton dhe i duhet të rinisë gjithçka nga e para pasi në adresë të shoqërisë emiljane nuk mbërriti asnjë ofertë për blerjen e aksioneve. Klubi verdheblu duhet të riniset nga liga e diletantëve. Asnjë prej dy të interesuarve nuk arriti të shtinte në dorë aksionet e klubit dhe në këtë mënyrë, gjykatësi shpalli falimentimin e shoqërisë duke e zhytur edhe më shumë në probleme klubin emiljan pas një sezoni katastrofik që mbylli një erë të gjatë dhe të lavdishme për emiljanët. Ky vendim e zbret automatikisht Parmën në Serinë D nga ku klubi mund të nisë rrugën i ndihmuar nga investitorët e mundshëm që ende nuk duken në horizont. Shkrirja e një klubi si Parma është një tregues i qartë për vështirësitë që po kalon futbolli i gadishullit Apenin gjatë viteve të fundit për shkak të mungesës së parave në tregun e kësaj loje. Detajet e mënyrës së funksionimit të shoqërisë së re do të zbulohen me kalimin e ditëve sepse Parma e re duhet të ketë një emër të ri dhe po ashtu një logo zyrtare të re. Rruga e vetme për të mbajtur gjallë lavdinë e një klubi të madh është rifillimi nga e Para, një klub i ri që duhet të regjistrohet në gjykatë si një subjekt tërësisht i ri.

 

Bekim Balaj, synimi i Lacios

Drejtori sportiv i Lazios Igli Tare duket se kërkon të shtojë koloninë shqiptare tek bardhekaltrit. Mediat italiane raportojnë për një interesim të Lacios në drejtim të sulmuesit kuqezi Bekim Balaj. 24-vjeçari konsiderohet si një investim për të ardhmen nga ana e drejtuesve Italian dhe përflitet se mund të arrihet një akord në të cilin do të përfshihej transferimi i Balajt në Romë në vitin 2016, pra Lacion mund ta lejonte shkodranin të qëndronte tek Rijeka deri në muajin Janar. Për momentin duket se klubi kroat nuk kërkon të privohet nga sulmuesi shqiptar për më pak se 4 milion euro, megjithatë tek Lacio shpresojnë se marrëveshja mund të arrihet edhe mbi bazën e 2.5 milion eurove. Por nuk është Balaj i vetmi lojtar i Rijekës nën shënjestrën e Lacios, pasi Igli Tare kërkon të afrojë në skuadër edhe mbrojtësin Marko Leskovic. Ndërkohë që për të mbetur tek lojtarët e kombëtares shqiptare, duket se është zbehur interesimi i Napolit kundrejt Elseid Hysajt. Me sa raporton e përditshmja “Gazzetta dello Sport” klubi napoletan nuk duket i gatshëm të shpenzojë shifrën e kërkuar nga Empoli, ose më saktë 7 milion euro për mbrojtësin shqiptar. Për momentin gjithnjë sipas mediave italiane drejtuesit e Napolit duken më të fokusuar tek lojtari i Torinos Mateo Darmian, i cili luan në të njëjtin pozicion ku aktivizohet edhe Hysaj, megjithatë akoma nuk është zvanitur mundësia e transferimit të shkodranit tek “të kaltrit”.

 

Dunga: Brazili nuk varet nga Neymar

Trajneri i kombëtares së Brazilit, Dunga, ka deklaruar se skuadra e tij do t’ia dalë mbanë edhe pa yllin e skuadrës, Neymar, i cili u pezullua me katër ndeshje, gjë që nënkupton se ai nuk do të mund të paraqitet në ndeshjet e mbetura të Copa America-s. Ylli dhe kapiteni Neymar nuk mund t’i ndihmojë Brazilit në Kupën e Amerikës për shkak të dënimit, por trajneri Carlos Dunga është i bindur se Brazili nuk varet nga Neymar. “Neve na vjen keq se Neymar nuk do të jetë më pjesë e jona, por mund ta them me bindje se ekipi ynë nuk varet vetëm nga një futbollist”, – tha Dunga. Brazili në ndeshjen e fundit ndaj Venezuelës shënoi fitore të merituar me rezultat 2-1, ndërsa ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Paraguait.

 

Nedved: Tevez, vështirë të zëvendësohet

Ish-legjenda bardhezi, Pavel Nedved, ka deklaruar se është shumë vështirë që të zëvendësohet një yll si Carlos Tevez. Edhe pse Juventusi e transferoi Mario Madzukicin, legjenda e klubit ka thënë se Carlos Tevez është vështirë të zëvendësohet. “Zëvendësimi i Tevezit është i pamundur dhe normalisht se është një humbje e madhe për ne, sepse ai ishte lideri ynë në dy vitet e fundit. Ai mori vendim që të jetë më afër familjes dhe ne e respektojmë këtë”, – tha Nedved. Siç dihet Carlo Tevez, i cili ka luajtur edhe për Manchester City dhe Manchester United, ka vendosur të rikthehet te skuadra e Boca Juniors.

 

Benitez: Nuk kam mosmarrëveshje me lojtarët

Trajneri i Realit të Madridit, Rafael Benitez, ka përgënjeshtruar njoftimet se ekzistojnë mosmarrëveshje mes tij dhe lojtarëve kryesorë të skuadrës. Ai ka thënë se secili lojtar është shprehur i gatshëm që t’i dëgjojë planet e tij dhe t’i përshtatet stilit të lojës së strategut spanjoll. “Fillimisht më duhet të them se qëndrimi që më kanë treguar të gjithë, Sergio, Iker, Cristiano, Bale, Pepe, Varane dhe tjerët, ka qenë i shkëlqyer. Sa i përket çështjes se kush do të luajë dhe ku do të luajë, siç kam thënë, duhet të njihemi, të stërvitemi dhe pastaj do të vendosim”, – ka thënë Rafa duke sqaruar se asnjëri nga lojtarët nuk i ka kërkuar ndryshim pozite në lojë. Benitez ka hedhur poshtë njoftimet për largimin e Sergio Ramosit drejt Manchester Unitedit. Ai ka thënë se mbrojtësi spanjoll është figurë kyçe në planet e tij. Njëherësh, trajneri i ri u ka premtuar tifozëve se klubi do të blejë lojtarë të rinj gjatë afatit veror.

 

Ospina drejt Turqisë

Portieri i Arsenalit, David Ospina, ka konfirmuar se agjenti i tij është në bisedime me Fenerbahcen për të mundësuar një transferim gjatë verës. 27-vjeçari iu bashkua “Topçinjve” vitin e kaluar nga Nice, por pritet të largohet menjëherë pasi klubi ka kryer transferimin e portierit të Çelsit, Petr Cech. Ospina tashmë është i hapur për t’u larguar edhe pse thotë se momentalisht është i fokusuar te Kolumbia në Copa America. “Fenerbahce po bisedon me agjentin tim. Momentalisht jam duke menduar vetëm për Kolumbinë. Nuk mundem ta tradhtoj skuadrën time”, – citohet të ketë thënë portieri.

 

Arsenali kompleton transferimin e Cech

Arsenali e ka kompletuar transferimin e portierit të Çelsit, Petr Cech, për një shumë rreth 11 milionë eurosh. Pas shumë javësh të mbushura me spekulimet për transferimin e Cech-ut te Arsenali, më në fund kjo lëvizje u realizua. “Daily Mail” raporton se Arsenali do të paguajë rreth 11 milionë euro për transferimin e tij, dhe ardhja e tij nënkupton se njëri nga portierët Wojciech Szczesny ose David Ospina do të largohen nga klubi. Cech mund të debutojë pikërisht ndaj Çelsit me 2 gusht në “Wembley” në kuadër të Community Shield. Ai gjithashtu u kërkua shumë edhe nga PSG-ja, mirëpo ka dashur të qëndrojë në Premier League.

 

Mandzukic, lojtar i Juves

Juventusi ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e Mario Mandzukicit nga Atletiko Madridi. “Zonja e Vjetër” do të paguajë 19 milionë euro plus dy milionë të tjera në formë bonusesh. Marrëveshja me sulmuesin kroat ishte arritur që në javën e kaluar dhe pas testeve mjekësore të realizuara mëngjesin e të hënës, klubi e ka konfirmuar blerjen. “Klubi futbollistik i Juventusit njofton se ka arritur marrëveshje me Atletico Madridin për shërbimet e Mario Mandzukicit, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare. Çmimi i marrëveshjes është 19 milionë euro dhe do të paguhet në tri këste, me një bonus shtesë prej dy milionë eurosh të lidhura me paraqitjet dhe arritjen e objektivave”, – thuhet në njoftimin e Juves.

 

Kondogbia: Ëndërr të luaj me Interin

Geoffrey Kondogbia e ka përshkruar transferimin te Interi si një realizim ëndrre, pas kalimit të testeve mjekësore. 22-vjeçari është transferuar te “nerazzurr”ët nga Monakoja, ndërsa së shpejti do të bëhet edhe konfirmimi formal me nënshkrimin e kontratës. “Të qenët pjesë e kësaj skuadre të madhe është një realizim ëndrre. Dua të qëndroj këtu sa më gjatë që mundem. Si fëmijë e kam shikuar Interin duke luajtur në TV dhe tashmë po i bashkohem këtij klubi të madh. Do të jap maksimumin”, – ka thënë Kondogbia për “Inter Channel”. Kondogbia e refuzoi Milanin për të nënshkruar me zikaltrit, ndërsa do të bartë fanellën me numrin 7.

 

Cavani, i shtrenjtë për Milanin

Agjenti i Edinson Cavanit ka përgënjeshtruar njoftimet se klienti i tij mund të shkojë te Milani. Sulmuesi i Paris Saint-Germainit ishte lidhur me Juventusin, mirëpo pas transferimit të Mario Mandzukicit nga Zonja e Vjetër, emri i tij u lidh me kuqezinjtë. “Juve e transferoi Mandzukicin, prandaj mendoj se sulmi i tyre është i përfunduar. Milani? Nuk shoh ndonjë klub italian që do të mund të paguante shifrat e domosdoshme për një lojtar të kalibrit të Cavanit. Veç kësaj, Edinsoni ka qenë shumë i qartë për të ardhmen e tij, ai është i lumtur në Paris dhe planifikon të qëndrojë te PSG”, – ka thënë agjenti Claudio Anellucci.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here