Kaçamak elektoral në Shqipërinë e esnafëve

0
122

Nga Kolec TRABOINI

Nga Kolec TRABOINIMe gjithë dilemat për mospjesëmarrje, më së fundi vendosa të shkoja në qendrën e votimit tek shkolla “Kristoforidhi”, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”. Nuk u nguta. Kur u gjenda aty, ishte ora 5 e pasdites. Në të vërtetë, gjithçka dukej e qetë, plot njerëz që dukeshin si sehirxhinj, por që në fakt ishin të interesuar e u vigjilonin sytë për të parë ndonjë hile që mund të bënte kundërshtari. Pasi mora letrat, i vendosa shenjën e përzgjedhjes për kryebashkiak dhe për këshilltarë e dola në oborrin e shkollës. Aty u gjenda para një surprize. Në këndin e kundërt, përkundruall qendrës, por brenda oborrit të shkollës, ishte një kënd i improvizuar me një tryezë e me një kuti votimi. Më bëri përshtypje, ndaj u afrova. Vajza në ballë të tryezës bisedonte me një çift, të cilët shënonin në ca letra. Pastaj papritur u kujtova se letrat ishin identike me ato që kisha plotësuar brenda në qendrën e votimit. M’u duk një gjë e parregullt, prandaj sapo çifti u largua, e pyes vajzën, çfarë ishin ato letra që plotësuan ata njerëz. Fletë-anketime, – më tha. Çfarë anketimesh e kush i bën. “Ora News” bashkë me qendrën e anketimeve AA… nuk më kujtohen shenjat që më tha. Këto janë sondazhe. Po mirë, – i them, – këto sondazhe behën përpara votimeve e nuk është e pranueshme të ngrihen instanca paralele ditën e votimit, sondazhet janë prognoza jo realitete paralele, nuk mund të dualizojnë qendrat e votimit e KQZ-të. Mua kështu na kanë thënë, – tha ajo. Deri këtu biseda ishte e thjeshtë, por mënyra se si po justifikohej nuk më pëlqeu, ndaj i shpreha dyshimin e dytë. Si është e mundur që fletë-anketimet të jenë identike në ngjyrë e format dhe me të njëjtët emra si ato që unë sapo votova. Nuk e di, – tha vajza. Dhe pa dyshim që ajo nuk e dinte. Atëherë dyshimi im u konsolidua dhe i thashë: Bukur, le ta themi se është i mirëqenë dhe i ligjshëm ky paralelizëm ditën e zgjedhjeve. Më jep mua dy fletë, një për këshilltar e një për kryebashkiak që t’i mbush e t’i fus në kutinë që keni vendosur këtu në tryezë. Vajza më pa, dyshoi dhe më tha prerë: Jo. Nuk të jap fletët. Pse? – e pyeta. Pse, – më tha ajo, – se ata që i anketojmë i zgjedhim vetë. Po unë kam dëshirë të anketohem, – i thashë. Kur unë këmbëngula, ajo akoma më shumë kundërshtoi. Nuk donte të m’i linte në dorën time fletët e votimit (anketim) që ishin identike, siç thamë, me ato që hidheshin në kutitë e votimit. Epo, vazhdova kuvendimin me atë vajzë duke përdorur sarkazmën, o zgjedhje o zgjidhje, media private nuk ka pse gatuan kaçamak në punët e hyqymetit… Hodha sytë rreth e rrotull mos shihja ndonjë të policisë, që t’i pyesja a janë të rregullta këto zgjedhje paralele, kuti votimi paralele e fletë votimi autentike paralele në të njëjtën qendër votimi. Askund këmbë polici, megjithëse isha në qendër të Tiranës. Po këto fletë votimi ku shkojnë, – e pyeta vajzën duke i treguar kutinë, ku mund ishin qindra fletëvotimi të mbushura. I dinë ata, nuk e di unë, – tha ajo. Po, – i thashë, – i dinë ata, por i përfytyroj edhe unë. Ajo vazhdoi punën e vet, duke përzgjedhur njerëz, të cilët me sa duket, i njihte dhe duke mbushur fletë votimi e duke i hedhur në kutinë e madhe mbi tryezë. Mirë mua më lindi një dyshim, po ata që janë të interesuar që zgjedhjet të mos manipulohen, pse nuk u tërheq vëmendje fakti se fletët e votimit ishin autentike. Ku i kanë marrë, ku i kanë shtypur dhe a nuk ka rrezik që kjo arkë të futet fshehurazi në klasat e shkollës e të numërohet si kutitë e tjera? Po sa të tilla ishin në tërë Tiranën?! A mund këto të keqpërdoren për të manipuluar rezultatet? Këto gjëra kanë ngjarë, prandaj të mos ju duket çudi të dilni se keni votuar dy herë, – thashë me vete. Dhe pastaj vazhdova arsyetimin: Se çfarë i duhet “Ora News” të përzihet në këto zgjedhje paralele nuk e dimë, por e marrim me mend, sepse ajo për të përfituar e ka pasur një kurs pro PD-së kur kjo ishte në pushtet, por menjëherë pasi këtij televizioni Ministria e Kulturës së qeverisë së sotme sapo erdhi në pushtet, i shiti në mënyrë të fshehtë e jashtë syve të publikut një pjesë të oborrit të Kinostudios për një çapë bukë, e ka kthyer timonin 180 gradë dhe është në shërbim mediatik të partive në pushtet. Me çfarë shohim përnatë aty gjendet e kapur si peshku në grep. Përndryshe e la veten të kapet nga pushteti me shumë dëshirë se nga pushteti burojnë milionat e reklamave. Ajo çfarë ndodhi me televizionin “Agon” është edhe një mësim i mirë që po nuk bashkëpunove e pësove. Vajte për lesh. E, mos vallë, na ruaj Zot, se ne vetëm hamendësime po bëjmë, me këto kuti “Ora News” dëshiron t’i japë një dorë pozitivitet ndonjë kandidati të partive në pushtet. Mos më thoni që nuk është e mundur, sepse, si në asnjë vend tjetër në botë, nuk ka gjëra të pangjara në këtë Shqipërinë tonë të esnafëve dhe kasnecëve televizivë.

21 qershor 2015

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here