Pastrimi i parave/ Sekuestrohet Agon Channel, vlera shkon më shumë se 1.2 miliardë lekë

0
164

Artan Cena

 

Francesco Becchetti2 Sipas agjencisë së administrimit të këtyre pronave, është nxjerrë nga një përllogaritje e thjeshtë, mbi bazën e çmimeve të referencës në treg të këtyre pajisjeve

Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara zbarkon në televizionin Agon Channel në pronësi të italianit të shpallur në kërkim Francesco Becchetti. Punonjës të kësaj agjencie, në kuadër të grupit të punës së krijuar së bashku me policinë, tatimet dhe prokurorinë, kanë marr në administrim 60% të aksioneve të televizionit Agon Channel. Burimet thonë se me urdhër të Ministrit të Financave janë emëruar tre administrator nga agjencia, të cilët kanë bërë edhe inventarizimin e pajisjeve të televizionit. Sipas prokurorisë, është mbajtur shënim çdo aparaturë e gjetur brenda në televizion, mjetet e tjera për llogari të kësaj medie si dhe të gjitha borderotë e hyrje-daljeve të kompanisë Agonset. Burimet thonë se referuar këtij procesverbali të inventarizimit, vlera e pajisjeve të cilat janë mbajtur shënim kap vlerën e rreth 1.2 miliard lekëve të reja. Kjo shumë, sipas agjencisë së administrimit të këtyre pronave, është nxjerrë nga një përllogaritje e thjeshtë, mbi bazën e çmimeve të referencës në treg të këtyre pajisjeve.

 

Rivlerësimi i pasurive

Prokurorët thonë se vlera e pajisjeve të sekuestruara është shumë larg shumës që dyshohet se Francesco Becchetti ka pastruar në Shqipëri nëpërmjet kompanive të tjera të tij. Sipas materialeve hetimore, kompanitë që drejtoheshin nga Becchetti dhe familjarët e tij, dyshohet se në Shqipëri kanë pastruar rreth 39 milionë euro. Burimet thonë se krahas inventarizimit të pajisjeve të këtij televizioni, administratorët e rijnë kanë kërkuar të gjithë borderotë e hyrje- daljeve financiare të kompanisë Agonset. Administratorët e rinj do të bëjnë një studim në lidhje me të ardhurat dhe shpenzimet e televizionit dhe më pas do të vendosin se çfarë do të bëhet, pasi ende nuk dihet se cila do të jetë rruga që do ndjekin administratorët e agjencisë në lidhje me shlyerjen e detyrimeve mujore ndaj punonjësve. Agon Channel e ka apeluar vendimin e gjykatës së Tiranës për sekuestrimin e televizionit dhe Apeli pritet të shprehet brenda pak ditësh mbi sekuestron. Kryeministri Rama, një ditë më parë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu tha se në hetimet ndaj Francesco Becchetti-t për pastrim parash, kishin marrë pjesë edhe autoritetet italiane. Becchetti është shpallur në kërkim dhe nuk dihet ku është. Ai u ka thënë disa mediave italiane që e kanë kontaktuar se gjendet në Londër. Megjithatë, deri tani ai nuk është shfaqur në publik.

 

Sekuestrimet

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar, pas lejes së dhënë nga gjykata, 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si bllokon llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro. Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Forcë, pas një hetimi të nisur në vitin 2014 në bazë të materialit referues nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve tё kryer nё bashkëpunim dhe mё shumё se njё herё” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

 

 Vdekja e 15-vjeçarit në Durrës, policia shoqëron dy persona

 Dy punonjës të një firme interneti janë shoqëruar në polici për shkak të humbjes së jetës së një 15-vjeçari në Durrës, nga energjia elektrike. Rreth ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë ku një 15-vjeçar, nga mot i keq ra në kontakt me telat elektrikë të rënë në rrugë dhe humbi jetën, Policia e Durrësit njofton se kabulli elektrik i ndriçimit rrugor që shtrihet përgjatë rrugës “Mbreti Gert” ishte i dëmtuar, i zhveshur, si rezultat i punimeve të kryera nga ana e një kompanie për shtrirjen e rrjetit të internetit në këtë zonë,e cila më pas nuk ka bërë riparimin e dëmtimit të rrjetit elektrik sipas rregullave teknike. Nga hetimet në vendin e ngjarjes rezulton se shtetasi me iniciale E.K, ka qenë duke ecur në Rrugën “Mbreti Gert” dhe ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, e cila i ka shkaktuar vdekjen. Sipas policisë deri tani janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës Inxhinieri dhe punëtori që kanë kryer punimet për llogari të kësaj kompanie . Ndërkohë, po punohet për nxjerrjen e përgjegjësisë ligjore lidhur me këtë rast.

 

 Të shtëna te kryqëzimi i Selitës, një i plagosur lehtë

 Një person ka mbetur i plagosur në zonën e Selitës konfirmojë blutë e kryeqytetit, ndërsa bëhet me dije se ka pasur disa të shtëna me armë në këtë zonë. Mësohet se i plagosuri, emri i të cilit ende nuk dihet, është transportuar për në Spitalin Ushtarak për të marrë edhe trajtimin e duhur mjekësor. Ndërkohë që forcat e policisë të cilat ndodhen në vendngjarje kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të kapur autorin. Burime nga Spitali ushtarak bëjnë me dije se personi i plagosur është jashtë rreziku duke pasur vetëm një plagë të lehtë në dorë.

 

 Skandali i ilaçeve, ish-drejtori i Fondit kërkon lirinë

 Ish-drejtori rajonal i Fondit të Kujdesit Shëndetësorë për Tiranën Pjerin Xhuvani kërkon lirinë nga Gjykata e Apelit, pas arrestit me burg të vendosur në Gjykatën Penale ndaj tij më 7 qershor. Kërkesa e Xhuvanit për liri është depozituar pak ditë më parë në Apel nga avokati, ndërsa gjithçka do të vendoset të hënën më 22 qershor në orën 9:15 minuta. Pjerin Xhuvani u prangos pak ditë më parë së bashku me disa vartës të tij dhe administratorin e disa farmacive Hysen Roçin, pasi prokuroria i akuzon për një skemë fiktive të rimbursimit me recetat e pacientëve me anë të së cilës kanë përfituar 56 milionë lekë.

 

Fitonin 130 milionë euro në vit, pasi shisnin tonelata kokainë

Shisnin më shumë se 20 kilogramë kokainë në javë, duke bërë të mundur që të fitonin 5 milionë euro në muaj. Të pasur,shumë të pasur, tonelata në vit dhe 130 milionë euro fitime për 12 muaj. Këtë rrjet ka shkatërruar Policia e Breshias në Itali. Ndiheshin të pamposhtur: Kishin armë, makina me funde të dyfishta, para që nuk mbaronin kurrë. Gjatë përgjimeve janë regjistruar duke thënë: Policët nuk do të vijnë kurrë tek ne, injorojini. Vitin e kaluar ishte ndaluar në Firence një grua që ishte duke blerë 30 kilogramë manite, një laksativ që përdoret për fëmijët, por edhe për të prerë kokainën. Në shkurt të këtij viti, gjatë sekuestrimit të 3 kilogramëve kokainë dhe 40 mijë euro në kesh, kishin goditur në shenjë. Hetuesit e Guardia di Financas kishin zbuluar një trafik gjigant të lëndëve narkotike. Në krye të grupit shqiptar të trafikut ishin kushërinjtë, Altin dhe Fatos Beqja dhe poshtë tyre, si zëvendës ishin Sokol Xheta, një i afërm i tyre dhe Emirjan Beqja dhe Defrim Shamku. Në mes tyre ishin paratë. Në prill ishte bërë arrestimi i një klienti shqiptar në Bergamo me 250 gramë kokainë. Pak ditë më pas do të viheshin në pranga me 1 kilogramë kokainë në Parma dhe dy shqiptarë të tjerë, të dy nga Tirana. Në maj ishte bërë një operacion blic në parkun e Adda-s dhe në një fermë aty afër. Në pranga ishte vënë ruajtësi bashkë me 10 kilogramë kokainë dhe më pas kishin vazhduar arrestimet në të gjithë Bergamon për mbajtje lëndësh narkotike. Kushërinjtë Beqaj kishin

tentuar që të iknin nga Italia: ishin strehuar në banesën e disa miqve, por në ditët e para të muajit qershor ishin vënë në pranga ashtu si të 11 personat e implikuar që janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Refresh”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here