Opozita shpërthen në Fier/ Basha: Politikanët e majtë flenë mbi dyshek të mbushur me para

0
162

basha ne fierAlibeaj: Jam njëri prej jush, jam përfaqësues i të gjithë fierakëve. Bashkia e re e Fierit do të jetë e hapur, do të jetë shtëpia e madhe e të gjithë banorëve të kësaj treve

Entuziazëm, pjesëmarrje masive, besim dhe shpresë në fitore, kjo ishte atmosfera e mitingut përmbyllës të opozitës në Fier, me një pjesëmarrje të lartë dhe me mbështetje të padiskutueshme për kandidatin e djathtë për kryebashkiak të Fierit Enkelejd Alibeaj. “Mos shikoni politikanët, por shikoni njeriun e ndershëm. Politikanët e majtë flenë mbi dyshek të mbushur me para, pastaj shkojnë e shohin televizor se si kanë dalë, ndërsa ju mbeteni me halle e me problemet tuaja”. Kjo ishte deklarata e liderit të opozitës, Lulzim Basha, i cili iu drejtua fierakëve me dorën në zemër të votojnë të ardhmen e tyre, të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike. Alibeaj në fjalën e tij drejtuar bashkëqytetarëve theksoi shqetësimin e tij për varfërinë, mjerimin dhe nëpërkëmbjen që i ka bërë e majta Fierit. “Jam njëri prej jush, jam përfaqësues i të gjithë fierakëve. Akti i parë si kryetar Bashkie, do të ul taksat. Do ta çlirojmë biznesin që të hapim vende pune t’u japim mundësi njerëzve të kenë punë, të kenë mundësi jetese. Do ta çlirojmë Fierin nga një makth i cili po i merr frymën këtij qyteti, është makthi i një partie që nëpërkëmb dinjitetin e çdo fieraku”. Alibeaj shpalosi vizionin e tij për Bashkinë e re të Fierit. Shprehu besimin se fierakët do të votojnë njeriun dhe do të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. “Bashkia do të jetë e hapur do të jetë shtëpia e madhe e të gjithë banorëve të kësaj treve. Të gjithë së bashku të bashkuar të majtë edhe të djathtë të rinj dhe të moshuar, t’i kthejmë dinjitetin Fierit. Oligarkia po e trajton vendin si çiflig”. Kryetari i Partisë Demokratike u tha fierakëve se oligarkia prej dy vjetësh s’ka asnjë premtim të mbajtur. Oligarkia nuk e ka mendjen tek puna, por tek sulmet ndaj opozitës. “Sepse hallet tuaja nuk kanë qenë dhe nuk janë prioritet i oligarkisë, sepse problemet tuaja nuk kanë qenë dhe nuk janë prioritet i oligarkisë, sepse shpenzojnë më shumë energji duke sharë, gënjyer, duke ofenduar, duke kërcënuar opozitën, kandidatët, qytetarët, se sa duke punuar, sepse kanë dy muaj që sillen nëpër Shqipëri. I ka zënë ankthi, i ka zënë paniku, jo për hallet tuaja por për pushtetin, për kontrollin të cilin duan me çdo kusht ta ruajnë e ta shtojnë në 21 qershor, sepse për ta ky është drejtimi i duhur”. Për zotin Basha e majta e shikon Fierin si serbator, jo si një qytet. Ata mendojnë se ju kanë në xhep dhe ju s’keni ç’bëni përveç se t’i votoni, por në 21 qershor Fieri do t’i thotë ndal arrogancës korrupsionit dhe keqqeverisjes, boll më me mashtrime shtoi më tej kryetari i opozitës. Fieri është bashkia më e madhe e jugut të Shqipërisë dhe një kryqëzim i rrugëve drejt bregdetit dhe Tiranës. Gara për Fierin është një rivalitet i fortë mes tre kandidatëve. Pjesëmarrja dhe fryma e krijuar nga opozita si dhe çarja e madhe e votave të së majtës mes Albert Çaçit dhe Armando Subashit. Fushata e qetë qytetare dhe pranë njerëzve ka rritur ndjeshëm shanset e kandidatit të djathtë Enkelejd Alibeaj që të thyejë dhe triumfojë në 21 qershor në një nga bastionet më ekstreme të së majtës në Shqipëri.

 

Basha nga Kukësi: Kjo është qeveri e besës së thyer

Nga verilindja, kryetari i Partisë Demokratike sulmoi kandidatët e majtë duke i quajtur të korruptuar dhe besëprerë. Lideri i opozitës mbylli fushatën në Kukës, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i thonë jo lakmisë dhe korrupsionit të kandidatëve të majtë për kryebashkiak në Kukës, Has dhe Tropojë. “Një tipar i bashkon tre kandidatët e oligarkisë. Hasan “Metën”, Adem “gjobën” dhe Rexhë “besëprerin” i bashkon dashuria dhe lakmia për paratë tuaja, për paratë tuaja dhe pasuritë tuaja, aty i kanë sytë, aty e kanë mendjen dhe paktin me oligarkinë e kanë që t’ju zhvatin e t’ju rrjepin për llogari të oligarkisë”. Kryetari i opozitës ka luajtur edhe me emrin e kandidatit të majtë për kryebashkiak të Kukësit, duke i dhënë mbiemrin e kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ai e akuzoi sikundër dhe dje Ilir Metën se kandidati i LSI-së është problemi dhe jo zgjidhja. “Halil Meta nuk ka përgjigje për hallet dhe problemet tuaja, sepse Halil Meta nuk mund të jetë kurrë zgjidhja për ju, Halil Meta është problemi për Kukësin, problem që ju do ta zgjidhni me votën tuaj, me votën tuaj të bashkuar me 21 qershor duke i thënë jo vjedhjes, jo korrupsionit, po Bashkim Shehut dhe Partisë Demokratike”, – theksoi z. Basha. Lideri i opozitës ka garantuar banorët e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe të gjithë shqiptarët se me votën e tyre të bashkuar, në 21 qershor, askush nuk mund ta ndalë realizimin e ofertës së Partisë Demokratike për ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë dhe falje kamatë-vonesash, mbështetje të biznesit për hapje vendesh pune dhe ndihmë personave në nevojë. Ndërsa kandidati i djathtë për kryebashkiak të Kukësit, Bashkim Shehu, u bëri thirrje bashkëqytetarëve ta vrasin frikën, të dalin të votojnë të lirë në 21 qershor. “Ne do të fitojmë, sepse në Kukës ka njerëz që e duan qytetin dhe zhvillimin e tij. Dhe ata do votojnë për Partinë Demokratike. Nuk e dua unë votën tuaj, por e do vetë e ardhmja e qytetit emrin tim, sepse unë jam biri i këtij qyteti. E njoh zakonin e tij të madh – besën.

I drejtohem nga ky log edhe atyre që nuk kanë guxuar të vijnë sot. Jam i bindur që ju e doni Kukësin e zhvilluar po aq sa unë. Mos kini frikë, ne do ta vrasim frikën me votën tonë”. Kandidati i djathtë ka sulmuar rivalin e tij të LSI-së si të korruptuar dhe si drejtues që ka zhdukur fondet. “A e dini ju që 3.5 milionë euro janë zhdukur për ujësjellësin e qytetit? Qyteti që ndërton liqene, ngre hidrocentrale, vuan ujin e pijshëm. Kukësi nuk i meriton hajdutët e ujit. Kukësi me ujin e tij lan gjithë fëlliqësirat e atyre që e drejtuan këto vite. Etjen e Kukësit do ta bëjë vota juaj për PD-në”.

 

Voltana Ademi: Do ndihmojmë biznesin që të ndihmojmë qytetarët

“Prioritetet tona për Shkodrën janë investimet në infrastrukturë rrugore, rikonstruktimi i linjave të ujësjellësit, ndërhyrje e integruar për shembjen e barrierave arkitektonike për krijimin e mundësisë së lëvizjes sё lirë pёr personat me aftёsi ndryshe, mirëmbajtja dhe rehabilitimi i aseteve, mbulimi i shpenzimeve operative duke garantuar kushte normale mësimdhënie”. Kandidatja e djathtë për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi, ka vazhduar takimet e saj me banorët duke shpalosur vizionin e saj për qytetin e së ardhmes. Përveç rikonstruktimit apo mirëmbajtjes së infrastrukturës, Bashkia Shkodër do të angazhohet të luajë rolin e lehtësuesit për zhvillimin e zonës industriale për promovimin dhe tërheqjen e investimeve vendase apo te huaja, me qëllim zhvillimin e kësaj zone, rritjen e numrit të bizneseve dhe të punësuarve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here