Pastrimi i parave/ Kush e njoftoi Francesco Becchettin që  i pastroi llogaritë para konfiskimit?

0
161

 

Artan Cena

Francesco BecchettinNë llogaritë e pronarit të Agon Channel nuk kishte më shumë se 10 apo 15 mijë euro në secilën apo shuma të përafërta në lekë. Policia: Më shumë se 39 milionë euro janë transferuar jashtë

Ndërsa është në kërkim për pastrimin e miliona euro në Shqipëri, në llogaritë bankare të Francesco Becchettit janë gjetur më pak se 100 mijë euro. Kur ditën e djeshme ekspertët e Prokurorisë dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave kanë kërkuar që të bllokohen pasuritë e pronarit të Agon Channel, ata kanë janë habitur me llogaritë e boshatisura të tij.Edhe pse kanë gjetur pak para sërish janë bllokuar. Pas kësaj mësohet se kanë nisur hetimet pasi dyshohet se ka pasur rrjedhje informacioni deri në momentin kur është dhënë vendimi i gjykatës. Dyshimet janë që dikush mund të ketë njoftuar se është duke u bërë gati bllokimi i llogarive të tij dhe ata janë boshatisur. Në këtë çështje dyshohet se mund të kenë bashkëpunuar edhe punonjës të bankës ku kanë qenë edhe llogaritë më të shumta të Francesco Becchettit. Ky i fundit akuzohet për pastrimin e të paktën 45 milionë eurove dhe bashkë me të dyshohet se ka bashkëpunuar edhe drejtoresha e Veneto Bankës.

 

Bllokimi i llogarive

Hetuesit e policisë dhe të prokurorisë gjejnë më pak se 100 mijë euro në llogaritë bankare të Francesco Becchettit dhe të njerëzve apo kompanive të lidhura me të. Ky është rezultati i verifikimeve të kryera nga hetuesit në bankat e nivelit të dytë në vendin tonë për sipërmarrësin italian. Burime nga grupi i hetimit zbuluan se në llogaritë e verifikuara nuk janë zbuluar shumat e qarkulluara nga njerëzit e Becchettit. Në këto llogari shumica e të cilave ishin bosh, nuk kishte më shumë se 10 apo 15 mijë euro në secilën apo shuma të përafërta në lekë. Kjo ka bërë që policia të konfirmojë zyrtarisht tashmë edhe nëpërmjet bankave se paratë e Becchettit, ishin transferuar jashtë vendit në masën e 39 milionë eurove. Ndërkaq paralelisht me këto verifikime, Prokuroria e Përgjithshme iu ka dërguar një letër porosi, autoriteteve italiane për banka të nivelit të dytë, një kërkesë për bllokimin e llogarive bankare të Becchettit. Po ashtu një kërkesë tjetër që përfshin edhe Anglinë dhe vende të tjera pritet të niset nga Prokuroria e Përgjithshme.

 

Kërkesa e tatimeve

Veç Prokurorisë një kërkesë për bllokimin e 39 milionë eurove dhe të 770 milionë lekëve, një kërkesë të tillë e ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, edhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kërkesa përkatëse është reflektuar edhe në kërkesën për ndryshime në ekstraktin historik të Agonset SHPK. Kërkesa në fjalë është depozituar me 10 qershor, tri ditë pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Becchettit dhe Mauro De Renzis. Në këtë dokument është përfshirë edhe kërkesa për bllokimin e llogarive bankare të Liliana Kondomitit, (nënës se Becchettit) Mauro de Renzis dhe Erjona Troplinit, zotërues të aksioneve në shoqëritë “Energji” shpk, Shoqërinë “Cable System” shpk, Shoqërinë “400 KV”, Shoqërinë “Fuqi” dhe Shoqërinë “Agonset”.

 

Aksioni i policisë

Verifikimet e mësipërme nisën të kryhen që të hënën me 7 qershor 2015, dy ditë pas arrestimit të bashkëaksioneres me Becchettin Erjona Troplini dhe drejtoreshës së një banke të një niveli të dytë në Tiranë Pranvera Gjika. Pak ditë pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Francesco Becchettit dhe bashkëpunëtorit të tij Mauro De Renzis, të akuzuar për evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh, policia e Tiranës nisi verifikimet e llogarive bankare të Becchettit si dhe kompanive e njerëzve të lidhur me të. Verifikimet e kryera nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë së kryeqytetit, kanë zbuluar disa llogari dhe gjurmë llogarish që sipas hetuesve janë të lidhura me Becchettin.

 

Lekët Becchettit i vinin nga daja i tij, “Mbreti i plehrave” Cerroni

Burimi i të ardhurave për Francesco Becchettin ka qenë pasuria e dajës së tij në Itali, Manilio Cerroni. Ky njihet si mbreti i plehrave në Itali, dhe i arrestuar për mashtrim në kuadër të një organizate kriminale në Itali. Aksionerja e televizionit “Agon Channel” njëherazi me detyrën e ekonomistes Erjona Troplini ka pranuar se të gjithë kompanitë e familjes Beketi kanë një adresë, të njëjtët përfaqësues ligjorë dhe kontabilistë. Gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, Troplini i tha gjyqtares Manjola Bejleri se të 8 kompanit që trashmë janë sekuestruar, nuk bënin asnjë lëvizje parash pa miratimin e pronarit Becchetti. Ajo i tha gjyqtares, se çdo veprim bankar, transaksion apo pagesë sado e vogël të ishte për televizionin apo kompanitë e tjera, duhej të merrej firma e Francesco Becchettit. Nga ana tjetër, prokuroria ka siguruar tashmë dy raporte inspektimi, të kryer nga ekspertët kontabël dhe ato të Agjencia kombëtare e burimeve natyrore. Referuar këtyre raporteve, mësohet se ekspertët kontabël kanë krahasur të gjitha faturat e dorëzuara nga kompanitë që kanë lidhje me Becchettin në Drejtorinë Tatimore ku është zbuluar rritja fiktive e volumit të punës dhe çmimeve. Gjithashtu edhe inxhinierët e AKBN-së kanë konstatuara se janë dorëzuar fatura për punë të kryer, ndërkohë në teren nuk ka asnjë gjurmë të atyre punimeve që janë pasqyruar në faturat e rimbursimit të TVSH-së. Sipas akuzës, janë zbardhur të gjitha transaksionet e kryera mes kompanive që drejtoheshin nga vet Becchetti apo familjar të afërm të tij në Itali. Prokurorët kanë konstatuar se kompania koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, ka përfituar para edhe nga shoqëria e Manilio Cerronit i njohur ndryshe si mbreti plehrave në rajonin e Lacios në Itali. Prokurorët thonë se nga verifikimi miliona eurove të ardhur në Shqipëri, rezultojnë se ata mes tjerash kanë edhe si burim kompaninë BEG spa, që drejtohej nga Cerroni, i arrestuar për mashtrim në kuadër të një organizate kriminale në Itali për mbetjet urbane. Më 9 janar 2014 Cerroni është arrestuar nga policia italiane si pjesë e një rrjeti kriminal me qëllim trafikimin e plehrave, duke ju sekuestruar edhe miliona euro në llogarit bankare. Bashkë me Cerronin, policia ka arrestuar edhe 21 perona të tjerë të përfshirë në këtë hetim disavjeçare, ku në pranga kanë rënë edhe disa zyrtar të rajonit të Lacios, si bashkëpunëtor në krijimin e këtyre shoqatave kriminale për trafikimin e plehrave

 

Skandali i ilaçeve, të arrestuarit i boshatisën llogaritë bankare

Prokuroria sekuestron llogaritë bankare të Hysen Roçit, i cili është nën hetim në cilësinë e administratorit të 4 farmacive të përfshira në skandalin e rimbursimit me receta fiktive të medikamenteve. Për habinë e prokurorëve, 4 llogaritë e sekuestruara kanë rezultuar të boshatisura dhe në total në këto llogari ka vetëm 12 mijë lekë nga 56 milionë të cilat janë lëvruar nga fondi i sigurimeve. Sekuestro ndaj llogarive bankare është vendosur 1 ditë më parë nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa pritet që ndaj Hysen Roçit të nis dhe hetimi pasurorë. Hysen Roçi është nën akuzë së bashku me ish-kreun eF për rajonin e Tiranës Pjerin Xhuvani, ndërsa sipas hetuesve skema fiktive e rimbursimit ka prekur dhe drejtori të tjera veç asaj të Tiranës. Për skandalin e rimbursimit një ditë më parë dha dorëheqjen dhe kreu i fondit Astrit Beci, ndërsa brenda muajit qershor sipas prokurorëve pritet të mbaroj hetimi në rang kombëtar ku dëmi në buxhetin e shtetit përllogaritet në mbi 150 milionë euro. Dy ditë më parë, Drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci dha dorëheqjen e pa revokueshme nga posti që mbante prej gati 2 vitesh. Ka qenë provat e reja të skandalit të rimbursimit të ilaçeve që kanë detyruar Becin që të tërhiqet nga posti që mban. Dorëheqjen Beci e ka bërë publike me një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të fondit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here